Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka thënë se Evropa do ta “kuptojë” propozimin e SHBA-së për marrjen nën kontroll të Grenlandës, si pjesë e një mbrojtjeje më të gjerë kundër përpjekjeve të Kinës dhe Rusisë për të fituar më shumë ndikim në Arktik.
“Besoj se evropianët do ta kuptojnë se rezultati më i mirë është që SHBA-ja të ruajë ose të marrë kontrollin e Grenlandës”, ka thënë Bessent të dielën për NBC.
Bessent e ka përshkruar Grenlandën si “thelbësore” për sigurinë kombëtare, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të një “Kupole të Artë”, një mburojë ambicioze e mbrojtjes raketore e propozuar nga administrata Trump. Ai ka shtuar se presidenti Donald Trump “po shikon përtej vitit të ardhshëm, drejt asaj që mund të ndodhë në një betejë në Arktik… Amerika duhet të jetë në kontroll këtu”.
“Bëjeni (Grenlandën) pjesë të Shteteve të Bashkuara. Dhe nuk do të ketë konflikt, sepse Shtetet e Bashkuara tani: jemi vendi më ‘i nxehtë’ në botë, jemi vendi më i fortë në botë. Evropa projekton dobësi; SHBA-ja projekton forcë”, ka thënë Bessent.
Të shtunën, Trumpi ka njoftuar tarifa të reja 10% ndaj tetë vendeve evropiane — Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuaa, deri sa “të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës”.
“Udhëheqësit evropianë do ta pranojnë këtë dhe do ta kuptojnë se kanë nevojë të jenë nën ombrellën e sigurisë së SHBA-së”, ka thënë Bessent, kur është pyetur nëse Grenlanda apo NATO-ja janë më të rëndësishme për sigurinë kombëtare.