Botë

Evropa do t’u përgjigjet me kujdes tarifave të Trumpit, thotë Merz

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë të hënën se është i vendosur të gjejë një zgjidhje për kërcënimet me tarifa të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj tetë vendeve evropiane që kundërshtuan kontrollin amerikan mbi Grenlandën.

“Konsumatorët amerikanë do t’i paguanin tarifat, por ato sigurisht që do të dëmtonin edhe ekonominë tonë, ekonominë evropiane dhe veçanërisht ekonominë gjermane, prandaj duam të gjejmë një zgjidhje këtu”, ka theksuar Merz.

Kancelari gjerman i ka bërë komentet në një konferencë për shtyp në selinë e partisë së tij, Unionit Kristian Demokrat të Gjermanisë (CDU), në Berlin.

Kjo vjen pasi qeveritë evropiane kritikuan ashpër njoftimin e Trumpit se tetë vende do të përballen me tarifa 10% për shkak të kundërshtimit të kontrollit mbi Grenlandën, duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Në listën e Trumpit janë Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda, megjithëse nuk është ende e qartë nëse tarifat do të preknin Bashkimin Evropian si bllok.

Merzi ka thënë se do të përgjigjen në mënyrë “të matur dhe të përshtatshme” dhe se i sheh kërcënimet amerikane me tarifa si një dobësim të mundshëm të marrëdhënieve transatlantike, por nuk dëshiron përshkallëzim.

“Qëllimet kryesore mbeten një Evropë e bashkuar dhe një NATO e fortë. Jam në kontakt të ngushtë me fqinjët dhe partnerët tanë evropianë, si edhe me presidentin amerikan. Është e qartë se duam të mbrojmë veten si vend dhe si kontinent”, ka thënë ai.

Merzi ka shtuar se synon të takohet me Trumpin për bisedime në Davos të Zvicrës, gjatë Forumit Ekonomik Botëror (ËEF) të mërkurën, dhe ka konfirmuar gjithashtu një samit të posaçëm të BE-së për Grenlandën, i planifikuar për të enjten në Bruksel.