Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Evropa është paksa një rrëmujë, thotë djali i Trumpit

Donald Trump Jr.

Foto: Associated Press

Djali i madh i presidentit amerikan, Donald Trump, ka vizituar të martën Republikën Serbe të Bosnjës, një vizitë që shihet gjerësisht si një gjest mbështetjeje për liderin e saj pro-rus të rrëzuar, Milorad Dodik, gjatë së cilës ai kritikoi Bashkimin Evropian, për të cilën tha se është “paksa një rrëmujë”.

Donald Trump Jr. udhëtoi në kryeqytetin de facto të Republikës Serbe, Banja Luka, si mysafir i djalit të Dodikut, Igor. Vizita përkoi me deklaratat e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në Budapest, ku ai akuzoi Bashkimin Evropian për ndërhyrje në zgjedhjet në Hungari. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Bashkimi Evropian ka qenë paksa një rrëmujë”, ka thënë Trump Jr. gjatë një paneli të mbyllur me liderë politikë dhe figura biznesi të rajonit. Ai ka shtuar se kishte dëgjuar nga biznesmenë në mbarë botën që e përshkruanin Evropën si “një katastrofë”.

“Por është një katastrofë që ata mendojnë se duhet gjithashtu të rregullohet, për shkak të ndikimit që ka mbi vlerat dhe qytetërimin perëndimor”, ka thënë Trump Jr., i cili është nënkryetar ekzekutiv i Trump Organization, që ai e drejton së bashku me vëllain e tij më të vogël, Eric.

Republika Serbe është një nga dy rajonet autonome që përbëjnë Bosnjën, së bashku me Federatën Boshnjako-Kroate, sipas marrëveshjes së paqes së Daytonit të vitit 1995, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës së viteve 1992–1995 që ka lënë të vdekur rreth 100,000 njerëz dhe ka zhvendosur rreth 2 milionë të tjerë, raporton Reuters.

Ngjarja ku mori pjesë Trump Jr., ishte e hapur vetëm për media të afërta me qeverinë, por videoja u transmetua në televizionet rajonale.

Dodik, ish-president separatist i rajonit, u privua nga mandati i tij gushtin e kaluar pas një vendimi gjykate që i ndalonte aktivitetin politik dhe kishte qenë nën sanksione amerikane për shkelje të marrëveshjes së Daytonit. Ai është bërë një mbështetës i fortë i politikave të Donald Trumpit pasi ky mori pushtetin vitin e kaluar.

“Ardhja e Vance në Hungari dhe Donald Trump Jr. në Banja Luka është një sinjal i një ndryshimi të rëndësishëm në administratën amerikane nën presidentin Trump, duke treguar interes për këtë pjesë të Evropës”, ka shkruar Dodik në platformën X.

Në tetor, Departamenti Amerikan i Thesarit hoqi sanksionet e vendosura ndaj Dodikut dhe aleatëve e familjarëve të tij, pa dhënë shpjegime publike për vendimin. 

Zyrtarët serbë kanë thënë që atëherë se kanë punuar në heshtje për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin, duke ruajtur njëkohësisht lidhje të ngushta me aleatin tradicional, Rusinë.