Nënë e bijë janë arrestuar për mashtrim dhe përfitim të gati 46 milionë dollarëve nga disa persona në Australi. Njëra pretendon se është fallxhore e tjetra mjeshtre e “feng shui” – praktikë kineze me qëllimin e balancimit të energjisë për të sjellë harmoni, pasuri, shëndet.
Nëna 53 vjeçe pretendohet se i bindi viktimat të merrnin kredi duke u thënë se parashikonte pasuri miliardëshe në të ardhmen e tyre.
Ajo përballet me 39 akuza, përfshirë udhëheqjen e aktiviteteve të një grupit kriminal dhe përfitimit financiar përmes mashtrimit.
Vajza e saj 25 vjeçe akuzohet për 7 vepra, përfshirë pjesëmarrjen në grup kriminal.
Gjatë bastisjes në rezidencën e tyre luksoze multi-milionëshe, policia sekuestroi dokumente, telefona, çanta të shtrenjta, ari dhe gjësende të tjera me vlerë.
Policia australiane ka thënë se gruaja ishte anëtare me ndikim dhe e besuar e komunitetit të saj dhe se si fallxhore pretendonte se ua lexonte të ardhmen klientëve, disa prej të cilëve ishin në vështirësi financiare.
Ajo u thoshte klientëve se do të bëheshin miliarderë, e se kjo do të vinte herët a vonë nëse do të merrnin kredi. Nga kjo kredi, ajo merrte një pjesë të mirë për veten.
Policia ka thënë se ato janë pjesë e një sindikate kriminale, një grup që pretendohet se mashtroi banka australiane me deri në 250 milionë dollarë – me stafin e korruptuar brenda bankës që aprovonte ato kredi në ndihmë të sindikatës.