Botë

Franca po e heton ish-ministrin e saj për lidhjet me Jeffrey Epstein

Jack Lang

Prokurorët për krime financiare në Francë kanë njoftuar se kanë hapur një hetim paraprak ndaj ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein. Lang, një figurë shumë e njohur në qeveritë socialiste franceze nga vitet 1980 deri në vitet 2000, po hetohet për dyshime mbi “pastrim të të ardhurave nga mashtrimi tatimor”.

Hetimi vjen pas publikimit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të dosjeve Epstein, ku dokumentohen lidhje mes familjes Lang dhe seks-abuzuesit amerikan tashmë të ndjerë. Jack Lang, i cili është 86 vjeç, i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si të pabaza.

Në një deklaratë për AFP, ai tha se hetimi do të ndihmojë për të sqaruar plotësisht akuzat që, sipas tij, vënë në dyshim ndershmërinë dhe nderin e tij. Ai u shpreh i bindur se e vërteta do të dalë në dritë.

Disa orë pas njoftimit për hetimin, Lang ofroi dorëheqjen nga posti i tij si drejtues i Institutit të Botës Arabe, një institucion që promovon bashkëpunimin dhe shkëmbimet mes Francës dhe vendeve arabe. Në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, ai tha se do ta paraqesë zyrtarisht dorëheqjen në mbledhjen e ardhshme të bordit.

Ish-ministri francez përmendet gati 700 herë në dosjet Epstein dhe deri më tani kishte refuzuar presionet për t’u larguar nga detyra.