Franca ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje në vitin 2025 për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, një zhvillim që dobëson avantazhin demografik që vendi ka pasur tradicionalisht mbi vendet e tjera të Bashkimit Evropian, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën.
Instituti kombëtar i statistikave INSEE ka raportuar 651,000 vdekje dhe 645,000 lindje vitin e kaluar, ku lindjet kanë pësuar rënie të ndjeshme që nga pandemia globale e COVID-19.
Franca tradicionalisht ka pasur statistika më të forta demografike se pjesa më e madhe e Evropës, por popullsia në plakje dhe normat e ulëta të lindshmërisë tregojnë se edhe ajo nuk është imune ndaj krizës demografike që po rëndon financat publike në kontinent.
INSEE ka njoftuar se norma e fertilitetit ka rënë në 1.56 fëmijë për grua vitin e kaluar, niveli më i ulët që nga Lufta e Parë Botërore.
Në vitin 2023, viti më i fundit me krahasime në BE, Franca renditej e dyta për nga norma e fertilitetit, me 1.65, pas Bullgarisë me 1.81.
Ky ndryshim demografik do të rrisë shpenzimet publike përsëri në nivele të ngjashme me ato të pandemisë në vitet e ardhshme, ndërsa do të dobësojë bazën tatimore, ka paralajmëruar zyra kombëtare e auditimit publik muajin e kaluar.
“Duke marrë parasysh pensionimin e brezave të mëdhenj të lindur në vitet 1960, tensionet në tregun e punës dhe problemet me fuqinë punëtore pritet të rriten shpejt në vitet e ardhshme,” ka thënë ekonomisti Philippe Crevel nga “Cercle d’Epargne”.
Pavarësisht se vdekjet tejkaluan lindjet, popullsia e Francës u rrit pak vitin e kaluar, duke arritur 69.1 milionë, falë migracionit neto, të cilin INSEE e ka vlerësuar në 176,000