Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të martën se Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacione për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke hedhur kështu poshtë komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, se Parisi zyrtar ishte i gatshëm të ndihmonte.
Duke folur në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Trumpi ka deklaruar se kishte folur me Macronin, duke i dhënë një vlerësim “8 nga 10” për qëndrimin e tij ndaj përpjekjeve për të nxitur aleatët që të zhbllokojnë Ngushticën e Hormuzit, dhe ka sugjeruar po ashtu se Macroni do t’i bashkohej përpjekjeve të mbështetura nga SHBA-ja.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne nuk jemi palë në konflikt dhe për këtë arsye Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacione për të hapur apo çliruar Ngushticën e Hormuzit në kontekstin aktual”, ka thënë Macroni në fillim të një mbledhjeje të kabinetit për të diskutuar konfliktet në Lindjen e Mesme.
Zyrtarët francezë kanë thënë se Franca po vazhdon me përpjekjet e saj për të krijuar një koalicion që do të sigurojë Ngushticën e Hormuzit sapo situata e sigurisë të stabilizohet, dhe pa një rol të SHBA-së.
“Ne jemi të bindur se sapo situata të qetësohet, dhe e përdor qëllimisht këtë term në mënyrë të gjerë — sapo situata të qetësohet, pra kur bombardimet kryesore të kenë pushuar, ne jemi të gatshëm, së bashku me kombe të tjera, të marrim përgjegjësinë për sistemin e eskortës”, ka shtuar Macron.
Shtetet evropiane kanë qenë kryesisht të anashkaluara ndërsa lufta SHBA-Izrael kundër Iranit është përshkallëzuar, teksa Irani ka kryer sulme ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe shteteve të Gjirit.
Por, përderisa rrugët detare janë të prekura dhe konflikti po rrit çmimet e naftës, fuqitë evropiane po përpiqen të gjejnë mënyra për të mbrojtur interesat e tyre.
Zyrtarët kanë thënë se Franca tashmë ka zhvilluar konsultime me shtete evropiane, aziatike, përfshirë Indinë, dhe vendet arabe të Gjirit gjatë javës së kaluar, me synimin për të hartuar një plan që në të ardhmen anijet luftarake të shoqërojnë cisternat dhe anijet tregtare përmes ngushticës.