Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë lëshuar paralajmërim urgjent për banorët në Libanin jugor “konkretisht në fshatin Arab al-Jal”, që të evakuohen, ndërsa ushtria thotë se vazhdon të godasë Hezbollahun.
“Ushtria e Mbrojtjes do të sulmojë infrastrukturën ushtarake që i përket organizatës terroriste Hezbollah në një afat të afërt kohor”, tha një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në një postim në X.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKjo vjen ndërsa mediat shtetërore libaneze raportojnë se sulmet ajrore izraelite kanë goditur tri lagje në Bejrut herët të martën, sipas AFP-së.
Izraeli konfirmoi më herët se kishte kryer “një valë shtesë sulmesh mbi infrastrukturën terroriste të Hezbollahut në Bejrut”, ka shkruar në Telegram.
Lufta ndaj Iranit – vjen dorëheqja e parë në administratën Trump
Kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joseph Kent, ka dhënë dorëheqjen të martën, duke u bërë anëtari i parë dhe më i lartë i administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që jep dorëheqjen për shkak të luftës në Iran.
Në letrën e dorëheqjes, ai ka thënë se Teherani zyrtar nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, i ka kërkuar presidentit Trump që të "ndryshojë kurs".
"Nuk mund ta mbështes me ndërgjegje të pastër luftën e vazhdueshme në Iran. Irani nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm për kombin tonë dhe është e qartë se ne e filluam këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobi i tij i fuqishëm", ka shkruar Kent në një letër drejtuar Trumpit të postuar në X.
Disa ekspertë kanë thënë se një kërcënim i menjëhershëm do të ishte i nevojshëm që Shtetet e Bashkuara të nisnin një luftë sipas ligjit aktual.
Zyrtarët e inteligjencës raportohet të jenë kapur në befasi nga njoftimi i Kent.
Mediat raportojnë se Kent është i afërt me drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila ka qëndruar kryesisht e heshtur që nga fillimi i luftës në Iran.
Gabbard nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike dhe është shfaqur në publik vetëm gjatë transferimit dinjitoz të ushtarëve amerikanë të vrarë në fillim të këtij muaji gjatë konfliktit me Iranin.
Kent, 45 vjeç, është një veteran i forcave speciale amerikane dhe i CIA-s, gruaja e të cilit, teknikja e marinës Shannon Kent, kishte mbetur e vdekur nga një sulm vetëvrasës me bombë në Siri në vitin 2019.

Lufta ndaj Iranit do të çojë 45 milionë njerëz në uri akute deri në qershor, thotë OKB-ja
Dhjetëra milionë njerëz do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, sipas një analize të publikuar të martën nga Programi Botëror i Ushqimit, i cili vepron në kuadër të OKB-së.
Sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit që filluan më 28 shkurt kanë bllokuar rrugët kryesore të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat shpëtimtare për disa nga krizat më të këqija në botë.
45 milionë të tjerë parashikohet të çohen në uri akute për shkak të rritjes së kostove të ushqimit, naftës dhe transportit, duke e çuar numrin global mbi nivelin aktual rekord prej 319 milionësh, u ka thënë gazetarëve në Gjenevë zëvendësdrejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, Carl Skau.
"Kjo do t'i çonte nivelet globale të urisë në një rekord të të gjitha kohërave dhe është një perspektivë e tmerrshme", ka thënë ai.
“Tashmë, para kësaj lufte, ishim në një stuhi të përsosur ku uria nuk ka qenë kurrë aq e rëndë sa tani, për sa i përket numrave dhe se sa e thellë është ajo", ka shtuar ai.
Skau ka thënë se kostot e transportit janë rritur me 18% që kur filluan sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt.
BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit
Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të martën se duhet të gjenden mënyra diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Deklarata e saj vjen teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin, mes luftës në Iran.
"Askush nuk është i gatshëm t'i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë të hapur në mënyrë që të mos kemi një krizë ushqimore, krizë të plehrave kimike, krizë energjie gjithashtu", ka thënë Kallas në një intervistë me Reuters.
Presidenti Trump ka paralajmëruar të dielën NATO-n se e pret “një e ardhme shumë e keqe” nëse vendet anëtare nuk i ndihmojnë SHBA-së që ta sigurojë Ngushticën e Hormuzit.
Deri më tani, asnjë vend nuk është shprehur publikisht pro thirrjes së Trumpit, teksa vendet si Britania, Gjermania dhe Spanja kanë paraqitur qëndrim kundër, duke thënë se nuk duan të tërhiqen në një luftë më të gjerë, dhe po ashtu se lufta ndaj Iranit nuk është çështje e NATO-s.
Trumpi ka deklaruar të hënën se e dinte që nuk do të merret ndihmë nga vendet e NATO-s, sepse siç ka thënë, kjo ka ndodhur gjithmonë, që SHBA-ja i ka ndihmuar ato, ndërkaq ato kanë refuzuar të ofrojnë ndihmë.
Ai ka thënë po ashtu se disa liderë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe se emrat e tyre do t’i bëjë publik më vonë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Kina ofron ndihmë emergjente humanitare për Iranin dhe tri vende të tjera
Kina është duke ofruar ndihmë humanitare emergjente për Iranin, Jordaninë, Irakun dhe Libanin për shkak të luftës.
“Konflikti ka shkaktuar një katastrofë serioze humanitare për popullin e vendeve rajonale, përfshirë Iranin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian në Pekin.
Ai nuk dha detaje mbi shumën apo natyrën e ndihmës.
Kina më parë kishte njoftuar se do të siguronte 200.000 dollarë për të mbështetur prindërit e nxënësve të vrarë nga një sulm raketor që goditi një shkollë fillore në Iran.
Izraeli thotë se i ka vrarë dy figura të rëndësishme iraniane
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka njoftuar të martën se ushtria izraelite ka vrarë zyrtarin e lartë iranian të sigurisë, Ali Larijani në një sulm gjatë natës.
Israel Katz e bëri këtë njoftim dhe shtoi se ushtria izraelite gjithashtu kishte vrarë gjeneralin Gholam Reza Soleimani, kreun e forcës vullnetare Basij të Gardës Revolucionare.
Mediat shtetërore iraniane nuk konfirmuan menjëherë asnjërin prej informacioneve, por thanë se një mesazh nga zyra e Larijanit do të publikohet së shpejti, shkruan AP.
Larijani vinte nga një familjet më të njohura politike të Iranit, ka shërbyer si kryetar i Parlamentit dhe këshilltar i lartë për politikën e sigurisë, duke përfshirë këshillimin e ish-liderit Khamenei në negociatat bërthamore me administratën Trump. Ai ishte gjithashtu sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Larijani ishte një figurë konservatore brenda teokracisë iraniane, i përfshirë në shtypjen e dhunshme të protestave kombëtare të janarit të vitit 2022, të cilat sipas SHBA-së shkaktuan mijëra viktima dhe dhjetëra-mijëra të arrestuar. Ai gjithashtu ishte i ndaluar të kandidojë për president në vitin 2021 nga Khamenei, për shkak të qëndrimeve të tij pragmatike në lidhje me Marrëveshjen Bërthamore të vitit 2015.
Irani godet ambasadën amerikane në Bagdad
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bagdad është sulmuar gjatë natës me dronë dhe raketa, ndërsa burime të sigurisë në Irak kanë deklaruar se ky ishte sulmi më intensiv që nga fillimi i sulmeve, shkruan AFP.
Përveç kësaj, një zjarr u shkaktua nga një dron në një hotel në Bagdad, pikërisht në pjesën ku ndodhet ambasada e SHBA-së.
Ndërsa Izraeli vazhdon sulmet në Liban, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar po u bëjnë thirrje të dy vendeve të nisin negociata, pas asaj që ata e quajnë “situatë humanitare thellësisht shqetësuese”.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb mbrojti Keir Starmer pas kritikave të presidentit Donald Trump ndaj Mbretërisë së Bashkuar për “mosndihmën” e Mbretërisë së Bashkuar në sulmet ndaj Iranit.