Botë

Gazetari suedez dënohet në Turqi për “ofendimin e Erdoganit”

Recep Tayyip Erdogan

Foto: Associated Press

Një gjykatë turke e ka dënuar një gazetar suedez me 11 muaj burgim me kusht për ofendimin e presidentit, Recep Tayyip Erdogan. Ai gjithashtu është duke pritur gjykimin për një akuzë tjetër shumë më serioze, ka raportuar “The Guardian”. 

Joakim Medin, i cili punon për gazetën suedeze Dagens ETC, është ndaluar në aeroportin e Stambollit më 27 mars kur ai shkoi për të mbuluar protestat masive në Turqi. 

Ai ishte arrestuar me dy akuza të ndryshme: ofendimin e presidentit si dhe si anëtar i një organizate terroriste, dhe është burgosur një ditë më vonë në burgun Silivri në Stamboll.

Pas dënimit të tij me kusht, gjykata ka urdhëruar lirimin e tij, sipas MLSA-së, një grup turk i të drejtave që po e mbronte atë. 

Po si pasojë e akuzës së dytë me të cilën po përballet – për të cilën akoma nuk është caktuar data e gjykimit– Medin do të qëndroj i burgosur. 

Prokurorët thonë se Medin kishte marrë pjesë në një protestë në Stokholm në janar të 2023-tës ku protestuesit kishin varë një kukull që dukej si Erdogani. E njëjta kukull është paraqitur muaj më vonë, duke mbajtur një flamur të komuniteti LGBTQ, në një karrocë të aktivistëve kurd në paradën e krenarisë në Stokholm. 

Sipas padisë, të cilën Medin nuk e ka parë, “imazhet ofenduese” janë përdorur të ilustrojnë disa nga artikujt që ai i kishte postuar në internet.

Gjatë adresimit në gjykatë përmes një video thirrjeje nga burgu Silivri, Medin deklaroi se nuk ka qenë në Suedi gjatë kohës së tubimit në janar.

Edhe pse ai postonte lidhje të artikujve që kishte shkruar për aplikimin e Suedisë në NATO – që në fillim ishte bllokuar nga Turqia – ai tha se nuk ishte përgjegjës për zgjedhjen e fotos. 

“Nuk isha në këtë organizim, isha në Gjermani për punë. Nuk i dija planet për organizimin e tij, dhe unë nuk kam ndarë asnjë foto apo video rreth saj në mediat sociale”, ka deklaruar Medin gjatë video thirrjes me gjykatën. 

“Unë nuk e kam ofenduar presidentin. Unë u zgjodha të shkruaj artikullin. Foto është zgjedhur nga redaktorët, unë po bëja punën time”, ka shtuar ai, duk kërkuar të lirohet që të mund të kthehet te gruaja e tij, e cila është shtatzëne me fëmijën e tyre të parë.

Avokati i tij, Veysel Ok, i kërkoi gjykatës ta lirojë atë nga akuzat.

“Medin nuk ka motivime që me vetëdije dhe me qëllim të ofendoj presidentin. Procesi i NATO-s ishte jetik për Suedinë sepse një sulm rus ishte në agjendë: klienti im ka raportuar mbi këtë proces”, ka deklaruar Ok në gjykatë. 

Shumë njerëz, nga adoleshentë deri te gazetarët madje edhe një ish-Miss Turqia, janë dënuar për ofendim të presidentit, një akuzë që zakonisht përdoret për t’i heshtur disidentët. 

Si pasojë e akuzës së dytë, Medin do të qëndroj në burg deri të vendoset një datë për gjykim. 
Akuza për anëtarësim në një organizatë terroriste është shumë më serioze. Nëse shpallet fajtor, Medin mund të dënohet deri në nëntë vjet burgim. Ai i mohon akuzat.