Autoritetet kanë njoftuar se i dyshuari për një incident me të shtëna në Gjermaninë veriore muajin e kaluar, që ka lënë të vdekur gjashtë persona, është gjetur i vdekur në qelinë e tij të burgut të martën.
Incidenti me të shtëna në Stade, në perëndim të Hamburgut, ka ndodhur më 29 qershor në një qendër që ofron strehim të përkohshëm për gra shtatzëna ose nëna të reja me fëmijë. Viktimat ishin punonjës të qendrës së strehimit dhe të zyrës rajonale për mirëqenien e të rinjve.
Hetuesit besojnë se të shtënat lidheshin me një mosmarrëveshje për kujdestarinë e vajzës 3-muajshe të të dyshuarit, një shtetas turk i lindur në Gjermani. Ai po hetohej nën dyshimin për vrasje.
Burri, emri i të cilit nuk është bërë publik nga autoritetet, është gjetur i vdekur herët të martën në qelinë e tij në një burg në Bremervörde, pranë Stade, ka njoftuar ministria rajonale e drejtësisë së Saksonisë së Ulët. Një mjek ka konstatuar se ai kishte vdekur nga mbytja.
Hetimi deri më tani tregon se i dyshuari i ka dhënë fund jetës, ka thënë ministria. Ajo ka shtuar se nuk kishte asnjë shenjë që të tregonte përfshirjen e ndonjë personi tjetër.