Gjermania i ka dërguar disa njësi të zjarrfikësve për të ndihmuar Spanjën në luftën ndaj zjarreve.
Një zjarr në provincën veriperëndimore spanjolle të Zamorës ka shkatërruar më shumë sipërfaqe pyjore të mërkurën, teksa është përhapur nga erërat e forta.
Spanja po përballet me disa prej zjarreve më të mëdha në dekadat e fundit, në atë që po kualifikohet nga shkencëtarët si njëri ndër sezonet më të nxehta në historinë e vendit.
Mijëra zjarrfikës, të ndihmuar nga ushtarë dhe avionë, kanë luftuar me flakët në pyjet e thata, veçanërisht në veriperëndim të Spanjës. Krahas kësaj, disa njësi zjarrfikëse nga Gjermania kanë mbërritur po ashtu për të ndihmuar në pjesën veriore të shtetit iberik, ka shkruar AP.
Zjarret në Spanjë kanë marrë jetën e katër personave këtë vit dhe kanë djegur më shumë se 382,000 hektarë ose rreth 3,820 kilometra katrorë, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje të Bashkimit Evropian (EFFIS).
Bazuar në të dhënat e EFFIS-it, kjo sipërfaqe është më shumë sesa dyfishi i madhësisë së Londrës dhe gjashtëfish më shumë se mesatarja gjatë periudhës 2006-2024 për tokën e djegur.