Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se sulmi amerikan ndaj centraleve bërthamore iraniane “shënon një kthesë të rrezikshme në një rajon që tashmë është i tronditur”.
Ai ka thënë se dënon çfarëdo përshkallëzimi ushtarak në Lindje të Mesme, teksa ftoi për diskutime.
“Dy ditë më parë, në këtë sallë, bëra një apel të drejtpërdrejtë: jepini paqes një shans. Kjo thirrje nuk u mor parasysh”, ka deklaruar Guterres në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të dielën.
“Në vend të kësaj, bombardimi i objekteve bërthamore iraniane nga Shtetet e Bashkuara shënon një kthesë të rrezikshme në një rajon që tashmë është duke u tronditur...E megjithatë, tani rrezikojmë të biem në një vrimë hakmarrjeje pas hakmarrjeje”, ka shtuar ai.
Ndërsa, Rafael Grossi, shef i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), dha përditësime mbi situatën aktuale në uzinat bërthamore iraniane.
“Krateret janë të dukshme në vendin e Fordoë - vendi kryesor i Iranit për pasurimin e uraniumit në 60%, duke treguar përdorimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të municioneve që depërtojnë në tokë. Kjo është në përputhje me deklaratat nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Grossi, duke shtuar se në këtë kohë, askush, përfshirë IAEA-n, nuk është në pozicion “për të vlerësuar dëmet nëntokësore në Fordow”.
Sipas shefit të IAEA-s, në sulme kundër centraleve iraniane, SHBA-ja përdori municione që depërtojnë në tokë. Gjatë diskutimit u theksua se s’ka pasur rritje të niveleve të rrezatimit jashtë vendeve ku u sulmua.
