Botë

Hamasi s’do t’i dorëzojë armët përderisa të mos formohet një shtet i pavarur palestinez

Hamas

Foto: Associated Press

Hamasi ka thënë të shtunën se nuk do të çarmatoset prëderisa të mos krijohet një shtet i pavarur palestinez, raporton agjencia “Reuters”. Çarmatimi i Hamasit ishte kërkesë kyçe e Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gazë. 

Negociatat indirekte mes Hamasit dhe Izraelit, që synonin të siguronin një armëpushim 60-ditor në Gazë dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve, përfunduan javën e kaluar pa sukses. 

Të martën, Katari dhe Egjipti, që po ndërmjetësojnë përpjekjet për një armëpushim, miratuan një deklaratë nga Franca dhe Arabia Saudite që përshkruante hapat drejt një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, e ku cekej se si pjesë e kësaj Hamasi duhet t’ia dorëzojë armët Autoriteteti Palestinez të mbështetur nga Perëndimi. 

Në deklaratën e tij, Hamasi – që ka dominuar Gazën që nga viti 2007, por është goditur ushtarakisht nga Izraeli – tha se nuk mund të heqë dorë nga e drejta e tij për “rezistencë të armatosur” përderisa nuk krijohet një “shtet palestinez i pavarur, plotësisht sovran dhe me Jerusalemin kryeqendër”. 

Izraeli e konsideron çarmatosjen e Hamasit një kusht kyç për çdo marrëveshjen për t’i dhënë fund konfliktit, por Hamasi ka thënë vazhdimisht se nuk është i gatshëm t’i dorëzojë armët. 

Muajin e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi çdo shtet të ardhshëm të pavarur palestinez si një platformë për ta shkatërruar Izraelin dhe tha se, për këtë arsye, kontrolli i sigurisë mbi territoret palestineze duhet të mbetet me Izraelin. 

Ai po ashtu kritikoi vendet si, Britania e Madhe e Kanadaja, që njoftuan për planet për ta njohurn një shtet palestinez në përgjigje të shkatërrimit të Gazës nga ofensiva dhe bllokada e Izraelit. Netanyahu e quajti këtë shpërblim për sjelljen e Hamasit. 

Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë 1200 persona e duke marrë 251 pengje. 

Ofensiva e Izraelit në Gazë e ka shndërruar enklavën në një shkretëtirë, ndërsa janë vrarë mbi 60 mijë palestinezë.