Hamasi është gati të diskutojë "ngrirjen ose ruajtjen" e arsenalit të tij të armëve si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin, ka thënë të dielën zyrtari i lartë i grupit, Bassem Naim.
Naim, një anëtar i byrosë politike vendimmarrëse të Hamasit, ka folur ndërsa palët përgatiten të kalojnë në fazën e dytë dhe më të ndërlikuar të marrëveshjes.
Marrëveshja ndaloi një ofensivë shkatërruese dyvjeçare izraelite në Gazë, të nisur në përgjigje të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
"Ne jemi të hapur për të pasur një qasje gjithëpërfshirëse në mënyrë që të shmangim përshkallëzimet e mëtejshme ose për të shmangur çdo përplasje apo shpërthim të mëtejshëm", ka thënë Naim për
Associated Press në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku ndodhet pjesa më e madhe e udhëheqjes së grupit.
Që kur armëpushimi ka hyrë në fuqi në tetor, Hamasi dhe Izraeli kanë kryer një seri shkëmbimesh pengjesh izraelite për të burgosur palestinezë.
Me vetëm një peng që mbahet ende në Gazë, mbetjet e një polici izraelit të vrarë në sulmin e 7 tetorit, palët po përgatiten të hyjnë në fazën e dytë.
Faza e re synon të përcaktojë një të ardhme për Gazën e shkatërruar nga lufta dhe pritet të jetë edhe më e vështirë - duke adresuar çështje të tilla si vendosja e një force ndërkombëtare sigurie, formimi i një qeverie teknokratike palestineze, tërheqja e trupave izraelite nga Gaza dhe çarmatimi i Hamasit.
Një bord ndërkombëtar, i udhëhequr nga presidenti Donald Trump, do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes dhe rindërtimin e Gazës.
Kërkesa izraelite që Hamasi të dorëzojë armët parashihet të jetë veçanërisht e ndërlikuar teksa zyrtarët izraelitë thonë se kjo është një kërkesë kyçe që mund të pengojë progresin në fusha të tjera.
Ideologjia e Hamasit është thellësisht e rrënjosur në rezistencën e armatosur kundër Izraelit dhe udhëheqësit e tij kanë hedhur poshtë thirrjet për t'u dorëzuar.
Naim tha se Hamasi ruan "të drejtën e tij për të rezistuar", por ka shtuar se grupi është gati të dorëzojë armët si pjesë e një procesi që synon të çojë në krijimin e një shteti palestinez.