Krahu ushtarak i Hamasit ka thënë të dielën se ka humbur kontaktin me dy pengje izraelite të mbajtura në qytetin e Gazës dhe i ka bërë thirrje Izraelit të tërheqë trupat dhe të pezullojë sulmet ajrore për 24 orë në mënyrë që luftëtarët të mund të merrnin pengjet.
Izraeli ka nisur një sulm masiv tokësor në qytetin e Gazës, duke rrafshuar lagje të tëra dhe duke urdhëruar qindra mijëra palestinezë të iknin në kampe me tenda.
Netanyahu e quan atë një përpjekje për të shkatërruar Hamasin njëherë e përgjithmonë në bastionin e tij të fundit.
Megjithatë, ditët e fundit është folur gjithnjë e më shumë për hapa drejt një zgjidhjeje diplomatike për luftën gati dyvjeçare. Trumpi ka thënë të premten se një marrëveshje për Gazën dukej e mundshme.
Hamasi ka thënë më herët të dielën se ende nuk kishte marrë një propozim të ri për t'i dhënë fund luftës. Netanyahu thotë se Hamasi duhet të lëshojë armët ose të mposhtet. Grupi militant deri më tani ka thënë se nuk do t'i heqë kurrë armët e tij për sa kohë që palestinezët luftojnë për një shtet.
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, i ka bërë thirrje ushtrisë izraelite të tërheqë trupat nga distriktet Sabra dhe Tel Al-Haëa në juglindje të qendrës së qytetit të Gazës dhe të pezullojë fluturimet mbi zonë për 24 orë në mënyrë që të mund të arrijë te dy pengjet e bllokuara.