Botë

Hetime në Itali pas propagandës ruse në televizione

Sergei Lavrov

Sergei Lavrov

Në televizionet italiane u jepet shumë hapësirë adhuruesve të Vlladimir Putinit. Ata e quajnë masakrën në Buqa si lajm të rrejshëm dhe i bëjnë thirrje Ukrainës të kapitullojë. Parlamenti tani synon të zhvillojë hetime dhe pyet nëse kjo çfarë thuhet në televizionet italiane është gazetari apo propagandë ruse me pagesë

Më 1 maj ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ia dha një intervistë televizionit italian, pronë e kompanisë së ish-kryeministrit Silvio Berlusconi. Në emisionin “Zona Bianca” Lavrov tha se Ukraina duhet të “denazifikohet” dhe shtoi se fakti që presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski është me origjinë hebraike nuk e përjashton mundësinë që ai të jetë ithtar i nazizmit. “Mund ta kem gabim, por Adolf Hitleri ka pasur gjak hebraik. Kjo nuk domethënë asgjë. Populli i urtë hebraik thotë se antisemitët më të zellshëm zakonisht janë hebrenj”.

Këto deklarata në televizionin Rete4 nuk u kundërshtuan nga drejtuesi i emisionit. Tani komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e shërbimeve sekrete ka nisur hetimet mbi depërtimin e pafiltruar të propagandës ruse në televizionin privat italian dhe në televizionin publik RAI.

Siç shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt, në 20 emisionet debutuese televizive, që gjatë javës transmetohet në televizionet italiane, shumë shpesh kanë marrë pjesë gazetarë dhe ekspertë të afërt me Kremlinin. Disa kanale televizive e ftuan gazetaren ruse Nadana Friedrichson. Ajo punon për kanalin “Zvezda”, pas të cilit qëndron Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Friedrichson tha se qëllimi i “operacionit special” rus në Ukrainë është t’i japë fund luftës, të cilën, sipas saj, e ka regjimi në Kiev i përkrahur nga SHBA-ja. Në emisionet italiane kyçet shpesh edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Marija Saharova. Si Lavrovi edhe ajo e quan lajm të rrejshëm masakrën në Buqa afër Kievit.

Vlladimir Sollovjovi, moderator televiziv dhe njeri besnik i Vlladimir Putinit, gjendet në listën e sanksioneve të BE-së (ngjashëm si Lavrovi), por shpesh i lejohet të flasë në televizionet italiane. Sollovjovi është pronar i dy vilave me pamje nga liqeni në Como, por nga data 24 shkurt ai s’mund të lëvizë më lirshëm në territorin e BE-së. Në televizionin shtetëror rus “Rosija 1”, Sollovjovi ka folur mbi përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore kundër NATO-s.

Hapësirë të konsiderueshme në televizionet italiane zënë edhe të ashtuquajturit “Putiniani”, adhurues të Putinit në Itali. Njëri ndër ta është Alessandro Orsini, sociolog dhe ekspert i terrorizimit në Universitetin e Romës LUISS. Në paraqitjet e tij të rregullta televizive në RAI3, Orsini e shpall Putinin fitimtar të luftës dhe i bën thirrje Ukrainës të kapitullojë për hir të paqes në botë. Me tezat e tij Orisini sjell vëmendjen e publikut, andaj pritej se do të fitonte një kontratë – 2500 euro për çdo paraqitje. Pas protestave, shkruan gazeta gjermane, dyshohet që do të arrihet kjo kontratë.

Të enjten drejtori i përgjithshëm i RAI, Carlo Fuortes, u mor në pyetje nga komisioni për mbikëqyrjen e shërbimeve sekrete. Ai u pyet se përse u jepet aq shumë hapësirë personave që ose paguhen direkt nga Kremlini, ose përhapin propagandën e tij. Komisioni parlamentar synon të sqarojë nëse kjo ka të bëjë me gazetari apo bëhet fjalë për një fushatë të planifikuar dezinformative të qeverisë ruse.

Përgatiti:

E. Robelli