Hillary Clinton ka akuzuar administratën e presidentit amerikan Donald Trump për “mbulim të së vërtetës” lidhur me mënyrën se si janë trajtuar dosjet që kanë të bëjnë me të akuzuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
“Publikoni dosjet. Po e zvarrisni qëllimisht procesin”, ka deklaruar ish-sekretarja amerikane e Shtetit.
E pyetur nëse Andrew Mountbatten-Windsor duhet të paraqitet para një komisioni të Kongresit, Clinton është shprehur se të gjithë duhet të dëshmojnë nëse u kërkohet ta bëjnë”.
Andrew ka mohuar vazhdimisht çfarëdo shkelje duke deklaruar se përfshirja e një emri në dosje nuk nënkupton fajësi.
Clintonët pritet të paraqiten para Komisionit të Kongresist. Bill Clintoni do të dëshmojë më 27 shkurt, ndërsa Hillary pritet një ditë më herët.
Kjo do të jetë hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një komisioni të Kongresit që nga koha kur Gerald Ford e bëri këtë në vitin 1983.
Bill Clinton i cili përmendet disa herë në dosjet e Epsteinit, ka pasur njohje me Epsteinin, por thotë se i ka ndërprerë kontaktet me të para dy dekadash.
Asnjëri prej Clintonëve nuk është akuzuar për keqbërje nga viktimat e abuzimeve të Epsteinit, dhe të dy kanë mohuar se kishin dijeni për krimet seksuale të tij në kohën kur ato ndodhnin.
Miliona dokumente të reja që lidhen me Epsteinin u bënë publike nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në fillim të këtij muaji, pasi Kongresi miratoi një ligj që kërkon nga agjencia publikimin e materialeve që lidhen me hetimet ndaj tij.