Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

I qëlluar nga ushtarët izraelitë, 14-vjeçari vdiq pa ndihmë mjekësore

Jad Jadallah

Një hulumtim i BBC-së hedh dritë mbi vrasjen e 14-vjeçarit palestinez Jad Jadallah në kampin e refugjatëve al-Far’a, në Bregun Perëndimor. Pamjet tregojnë se ai qëndroi i plagosur për rreth 45 minuta, ndërsa ushtarët izraelitë penguan ambulancat t’i afroheshin. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit pretendojnë se i dhanë ndihmë mjekësore dhe e akuzojnë për hedhje guri, por familja dhe organizatat e të drejtave të njeriut ngrenë dyshime serioze mbi rrethanat e ngjarjes

Në nëntor të vitit të kaluar, një djalë 14-vjeçar palestinez, i quajtur Jad Jadallah, u qëllua nga afër nga ushtarë izraelitë në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Pasi Jad u rrëzua në një rrugicë, ushtarët krijuan një rreth përreth tij dhe i penguan dy ambulanca palestineze që t’i afroheshin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas pamjeve në video dhe dëshmive të banorëve, 14 ushtarë qëndruan rreth tij për të paktën 45 minuta, ndërsa ai po humbiste gjak nga një ose më shumë plagë me armë zjarri.

Të gjithë ushtarët izraelitë trajnohen për ndihmën e parë në raste traume dhe çdo njësi luftarake ka zakonisht një mjek të trajnuar. Megjithatë, në pamje nuk shihet asnjë ushtar që t’i japë ndihmë mjekësore për t’ia shpëtuar jetën. Në disa momente, ata duket se injorojnë përpjekjet e Jadit për të tërhequr vëmendjen e tyre.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) i thanë BBC-së se ushtarët kishin dhënë “ndihmë fillestare mjekësore”, por nuk dhanë detaje për kohën ose llojin e trajtimit.

IDF- ja gjithashtu e akuzoi Jadin se kishte hedhur një gur. Sipas rregullave të tyre të angazhimit, kjo mund të lejojë përdorimin e forcës vdekjeprurëse.

Megjithatë, pamjet tregojnë një ushtar izraelit që hedh një objekt pranë Jadit pasi ai ishte qëlluar, dhe më pas e fotografon atë. Familja e Jadit dhe një organizatë e njohur për të drejtat e njeriut thonë se kjo duket si përpjekje për ta fajësuar atë.

Më vonë, ushtarët e vendosën Jadin në pjesën e pasme të një automjeti ushtarak izraelit. Nuk është e qartë nëse ai vdiq para apo pas kësaj. Ende nuk dihet sa herë u qëllua apo në cilën pjesë të trupit, sepse ushtria izraelite nuk ia ka kthyer trupin familjes dhe ka refuzuar të japë informacion për plagët.

I qëlluar nga afër

Jad lindi dhe u rrit në kampin e refugjatëve al-Far’a, në Bregun Perëndimor, ku jetojnë rreth 10 mijë palestinezë. Këto kampe përballen shpesh me bastisje nga ushtria izraelite, e cila thotë se ato janë të nevojshme për t’i luftuar grupet e armatosura që veprojnë aty.

Sipas OKB-së, 55 fëmijë u vranë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor vitin e kaluar. Që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, numri i fëmijëve të vrarë atje ka arritur në 227.

Dy gjëra e bëjnë këtë rast të veçantë. E para, Jad qëndroi i plagosur në tokë për një kohë të gjatë pa ndihmë, ndërsa shumë ushtarë ishin pranë tij. E dyta, ekzistojnë shumë pamje video të verifikuara nga BBC-ja që e tregojnë ngjarjen.

Momenti i saktë i të shtënave u kap nga një kamerë sigurie në kamp. Në video shihen tre djem në cep të një rrugice. Ata shikojnë nga e djathta, ku sipas dëshmitarëve, mjetet ushtarake izraelite sapo ishin larguar nga kampi.

Një nga shokët e Jadit tha se djemtë dolën jashtë pasi panë një mesazh në një grup komunikimi që thoshte se njësitë izraelite po largoheshin. Ata po kontrollonin nëse zona ishte e sigurt.

Pa dijeninë e tyre, katër ushtarë izraelitë kishin mbetur pas dhe po qëndronin disa metra larg, të fshehur pas murit. Dy shokët e panë rrezikun dhe ikën me vrap. Jad ose nuk i pa ushtarët, ose i pa shumë vonë.

Pamjet tregojnë ushtarin kryesor që afrohet më pak se tri metra nga Jad, ngre armën dhe qëllon. Jad duket se plagoset në atë moment. Në murin e kampit shihen vrima plumbash në atë vend.

Jad, ndoshta i plagosur, vrapon në rrugicë. Ushtari duket se vazhdon të qëllojë pas tij. Pluhuri që ngrihet në tokë tregon se të shtënat vazhduan ndërsa ai largohej.

Pak sekonda më vonë, Jad rrëzohet dhe del nga pamja e kamerës. Një video tjetër, e filmuar nga një banor, tregon momentet e fundit të tij.

Në këtë video, Jad përpiqet disa herë të tërheqë vëmendjen e ushtarëve. Ai lëviz duart dhe hedh kapelën drejt tyre. Ushtarët duket se e injorojnë dhe e shtyjnë kapelën me këmbë.

Nëna e tij u përpoq të arrinte tek ai, por u ndalua nga ushtarët, sipas dëshmive. Një banor tjetër thirri ambulancën. Ajo mbërriti pas tetë minutash, sipas të dhënave të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Mjeku i urgjencës, Hassan Fouqha, tha se ambulanca u ndalua nga ushtarët me armë dhe nuk u lejua të afrohej, edhe pse ishte rreth 100 metra larg. Ata pritën për të paktën 35 minuta, pa mundur të ndihmonin. Edhe një ambulancë e dytë u ndalua.

“Ne u përpoqëm disa herë të afrohemi dhe t’u sinjalizojmë që të na lejonin të ndihmonim fëmijën, por u penguam plotësisht”, tha ai.

IDF-ja tha se i kishte dhënë “ndihmë fillestare mjekësore” pasi verifikoi se ai nuk kishte pajisje shpërthyese. Pamjet tregojnë se Jad kishte veshur vetëm një bluzë dhe xhinse.

Kur u pyet për plagët dhe trajtimin e dhënë, ushtria izraelite nuk dha përgjigje.

I akuzuar për hedhje guri

IDF-ja ka deklaruar se Jadu kishte hedhur një gur dhe e ka cilësuar atë si një “terrorist” që, sipas tyre, “u përpoq të sulmonte forcat” izraelite gjatë operacionit në kamp.

Megjithatë, familja e tij i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe ka akuzuar ushtarët se po përpiqeshin ta fajësonin padrejtësisht djalin e tyre për të justifikuar përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Në pamjet video që janë bërë publike, shihet një ushtar që hyn në skenë nga jashtë kornizës së kamerës, vendos një objekt të rëndë pranë trupit të Jadit dhe më pas e fotografon atë objekt ndërsa ndodhet pranë tij.

Sipas nënës së Jadit, Safas, kjo ishte një përpjekje e qartë për ta paraqitur ngjarjen ndryshe nga sa kishte ndodhur në të vërtetë. “Ata hodhën një gur pranë tij që ta fajësonin dhe që të dukej sikur ai u kishte hedhur gurë atyre”, tha ajo. “Kjo shihet qartë në video. Çdokush që e shikon me vëmendje do ta kuptojë se çfarë ka ndodhur”.

Organizatat për të drejtat e njeriut prej kohësh kanë ngritur shqetësime se ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor veprojnë sipas një politike të ashtuquajtur të “hapjes së zjarrit”, e cila, sipas tyre, lejon përdorimin e armëve të zjarrit edhe në raste kur personat e përfshirë nuk paraqesin rrezik të menjëhershëm për jetën e ushtarëve. Sipas këtyre organizatave, në disa raste janë qëlluar edhe fëmijë që kanë hedhur gurë në drejtim të forcave ushtarake.

Shai Parnes, përfaqësues i organizatës izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem, tha për BBC-në se pamjet e incidentit duket se tregojnë një ushtar duke vendosur një gur pranë Jadit me qëllim që të krijohej një justifikim për të shtënat.

“Është e vështirë të thuhet me siguri absolute se çfarë po shohim - nëse objekti është vërtet një gur dhe nëse qëllimi ishte ta fajësonin atë”, u shpreh Parnes. “Megjithatë, mendoj se kushdo që e analizon videon me mendje të hapur ka shumë gjasa të arrijë në përfundimin se bëhet fjalë për një përpjekje për ta inskenuar situatën”.

Ai shtoi se, nëse një veprim i tillë do të vërtetohej, do të ishte jashtëzakonisht i rëndë dhe i papranueshëm. “Ne kemi dokumentuar edhe raste të tjera kur forcat izraelite, në mënyra të ndryshme, pas ngjarjeve janë përpjekur ta paraqesin një palestinez si fajtor për të justifikuar veprimet e tyre. Nuk do të ishte hera e parë që një situatë e tillë kapet nga kamerat”.

Kur BBC-ja e pyeti konkretisht IDF-në për pretendimin se një ushtar kishte vendosur një gur pranë Jadit, ushtria izraelite nuk dha asnjë përgjigje dhe e anashkaloi pyetjen.

Ndërkohë, shumë nga rrethanat e sakta të vdekjes së Jadit vazhdojnë të mbeten të paqarta, përfshirë numrin e plagëve nga plumbat, pjesët e trupit ku ai u godit, si dhe momentin dhe vendin e saktë kur ai vdiq. Kjo situatë e paqartë lidhet me faktin se IDF-ja ka refuzuar t’ia dorëzojë trupin familjes dhe nuk ka pranuar të japë shpjegime të detajuara lidhur me incidentin.

Refuzimi për të kthyer trupat e personave të vrarë nga IDF-ja nuk është një praktikë e rrallë. Sipas raportimeve, autoritetet izraelite aktualisht po mbajnë trupat e 776 palestinezëve ose shtetasve të tjerë, të cilët janë akuzuar ose dyshuar për përfshirje në sulme.

Kur u pyet nga BBC-ja për arsyen e mbajtjes së trupit të Jadit, IDF-ja nuk ofroi asnjë sqarim zyrtar.

Nëna e tij, Safa, tha se kjo sjellje mund të jetë ose një përpjekje për të fshehur të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur me djalin e saj, ose një formë e qëllimshme presioni dhe mizorie psikologjike ndaj familjes.

“Ndoshta synojnë vetëm të na provokojnë dhe të na rëndojnë emocionalisht, të na lodhin shpirtërisht dhe të na sfilitin durimin”, tha ajo. “Por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të fortë. Kemi durim dhe kemi shpresë. Do të presim aq sa të jetë e nevojshme - sot, nesër apo edhe pas shumë e shumë vjetësh - derisa ta marrim djalin tonë mbrapsht. Me ndihmën e Zotit, një ditë ai do të kthehet te ne”.