Botë

Irani s’po pasuron më uranium, thotë ministri i Jashtëm

Abbas Araghchi

Abbas Araghchi

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë të dielën se Teherani nuk po pasuron më uranium në asnjë objekt në vend.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një gazetar i Associated Press që vizitoi Iranin, ministri i Jashtëm, Araghchi ka dhënë përgjigjen më të drejtpërdrejtë deri më tani nga qeveria iraniane në lidhje me programin e saj bërthamor pas bombardimit të vendeve të saj të pasurimit, nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara në qershor.

"Nuk ka pasurim bërthamor të padeklaruar në Iran. Të gjitha objektet tona janë nën mbrojtje dhe monitorim" të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ka thënë Araghchi. 

"Nuk ka pasurim tani për tani sepse objektet tona, objektet tona të pasurimit janë sulmuar."

I pyetur se çfarë do të duhej që Irani të vazhdonte negociatat me SHBA-në dhe të tjerët, Araghchi ka thënë se mesazhi i Iranit mbi programin e tij bërthamor mbetet i qartë.

"E drejta e Iranit për pasurim, për përdorim paqësor të teknologjisë bërthamore është e pamohueshme. Ne e kemi këtë të drejtë dhe vazhdojmë ta ushtrojmë atë dhe shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të njohë të drejtat tona dhe të kuptojë se kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e Iranit dhe ne kurrë nuk do të heqim dorë nga të drejtat tona", ka thënë ai.

Izraeli ka kryer në qershor një valë sulmesh ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Sulmeve u është bashkuar edhe SHBA-ja.