Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbash Araghchi, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm për bisedime, por edhe është “plotësisht i gatshëm për luftë”.
Këto deklarata Araghchi i ka thënë para ambasadorëve të huaj në Teheran, transmeton “The Guardian”.
Deklarata e tij vjen në kohën kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ripërsëritur mundësinë për ndërhyrje ushtarake në Iran pas protestave vdekjeprurëse atje. Në protestat në Iran, që nisën më 28 dhjetor pas rënies së monedhës iraniane, janë vrarë mbi 500 protestues dhe janë arrestuar mbi 10 mijë tjerë, bazuar në shifrat e publikuara nga grupet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Republika Islamike e Iranit nuk kërkon luftë, por është plotësisht e gatshme për luftë”, tha ai duke paralajmëruar kundërshtarët kundër çdo “llogaritjeje të gabuar”. “Ne jemi të gatshëm për negociata, por këto negociata duhet të jenë të drejta, me të drejta të barabarta dhe të bazuara në respekte të ndërsjellë”,
Ai tha se Irani është “më i përgatitur” se në luftën 12-ditore me Izraelin në qershor të vitit të kaluar, ku humbën jetën rreth 1000 persona nga bombardimet izraelite.
Sa i përket protestave ai ka thënë se janë “nën kontroll”. E po ashtu tha se interneti në Iran do të rikthehet së shpejti.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha se kanalet diplomatike me SHBA-në mbeten të hapura, ndërsa administrata e Donald Trump po e peshon mundësinë e sulmeve ushtarake.
“Ky kanal komunikimi mes ministrit tonë të Jashtëm dhe të dërguarit special të presidentit të Shteteve të Bashkuara është i hapur”, tha Baghaei, duke iu referuar me sa duket Steve Witkoffit. “Mesazhet shkëmbehen sa herë që është e nevojshme”.
Ai ka thënë se Irani nuk largohet nga tryeza e negociatave dhe mbetet i përkushtuar ndaj diplomacisë por tha se bisedimet duhet të bazohen “në pranimin e interesave dhe shqetësimeve të ndërsjella, e jo në negociatë të njëanshme dhe bazuar në diktat”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të dielën tha se zyrtarët iranianë po duan të diskutojnë, por ai tha se SHBA-së “mund t’i duhet të veprojë para diskutimeve”. Ai nuk dha detaje se cilat opsione ushtarake po i shqyrton.