Të shtunën, për të dytën ditë, po vazhdojnë sulmet në Izrael dhe Iran. Të premten Izraeli nisi një sulm masiv në Iran duke vrarë katër komandantë të tij, teksa Irani u kundërpërgjigj më pas.
Irani është zotuar se do të hakmerret e se përgjigja do të jetë “shkatërruese” ndaj Izraelit.
Alarme janë dëgjuar mëngjesin e së shtunës në Tel Aviv, Jerusalem dhe në Teheran, teksa përshkallëzimi rrezikon ta çojë Lindjen e Mesme në luftë të gjerë.
Forcat iraniane kanë lëshuar raketa gjatë natën drejt Izraelit. Garda Revolucionare Islamike ka thënë se ka shënjestruar qendrat ushtarake izraelite dhe bazat ajrore. Teksa mëngjesin e së shtunës Izraeli ka nisur një valë tjetër sulmesh,
Nga të dyja palët ka pasur të vdekur pas sulmeve.
Tjetër valë luftimesh Izrael – Iran
Ushtria e Izraelit ka njoftuar të shtunën në mbrëmje se një valë e re sulmesh mes saj dhe Iranit ka nisur.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë identifikuar se Irani ka lëshuar raketa në drejtim të territorit të shtetit të Izraelit. Sistemet e mbrojtjes janë duke punuar për të ndalur kërcënimin. Hyni në zona të mbrojtura sapo të merrni alarmin dhe rrini deri në njoftimin e ardhshëm”, thuhet në lajmërimin e fundit të Ushtrisë së Izraelit.
E televizioni publik iranian ka njoftuar se vala e re përfshin 100 raketa që tashmë janë nisur në drejtim të Izraelit.
Haifa dhe Tel-Avivi janë caqet kryesore, ka bërë të ditur televizioni iranian. E sipas raportimeve, tashmë shpërthime janë dëgjuar në Izraelin verior.
Ndërkohë, vetë Ushtria e Izraelit ka thënë se përderisa po merret me mbrojtjen nga raketat e lëshuara nga Irani, po vazhdon sulmet ajrore në caqet ushtarake në Teheran.
Ndërkohë, sirena janë dëgjuar edhe në Amman, kryeqytet të Jordanisë. Jordania ka vendosur ta mbyllë hapësirën e vet ajrore.
Netanyahu apel amerikanëve për përkrahje
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nëpërmjet një videoje të publikuar, i është drejtuar audiencës amerikane duke i bërë apel për përkrahje.
Në video ai fillimisht uron Donald Trumpin për ditëlindje dhe më pas ka lavdëruar SHBA-në për “ruajtjen e lirisë” për 250 vjet.
Netanyahu ka thënë se Ushtria e Izraelit po ashtu “po mbron lirinë” në Lindjen e Mesme kundër “regjimit tiranik iranian”.
“Armiku jonë është armiku juaj. Dhe duke bërë atë që po bëjmë, po merremi me diçka që do të na kërcënojë të gjithëve, herët a vonë”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se po që se Izraeli të mos vepronte, Irani do të armatoste satelitët e tij – Hezbollahun e Hamasin – me armë bërthamore.
“Kjo është ajo që po bën Izraeli me përkrahjen e qartë të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe popullit amerikan dhe shumë të tjerëve në botë”, ka shtuar ai.
Fillimisht Shtëpia e Bardhë u përpoq të distancohej nga sulmet e Izraelit mbi Iran, por më vonë e shprehu mbështetjen. Trumpi madje e quajti “të shkëlqyeshëm sulmin”.
Tre të vdekur nga sulmet e Iranit në Izrael
Të paktën tre persona kanë vdekur dhe 174 të tjerë janë lënduar nga sulmet hakmarrëse të Iranit mbi Izrael, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Izraelit të shtunën.
Mbi 150 raketa janë lëshuar drejt Izraelit ndërsa raportohet se 17 kanë pasur sukses dhe kanë depërtuar në mburojën e çeliktë.
Prej 174 të lënduarve, dy kanë marrë lëndime serioze, shtatë më mesatare dhe 165 janë lënduar lehtë.
Raportohet për “shpërthim masiv” në një rafineri të madhe nafte në Iran
Mediat në Iran kanë raportuar të shtunën për një “shpërthim masiv” pas një sulmi me dron nga Izraeli në rafinerinë e naftës “South Pars” në qytetin-port të Kanganit.
“Një orë më parë, një dron izraelit ka goditur një nga 14 rafineritë e ‘South Pars’, duke shkaktuar shpërthim masiv dhe zjarr në rafineri”, ka raportuar agjencia e lajmeve Tasnim.
E agjencia “Fars” ka raportuar po ashtu se zjarrfikësit po përpiqen të ndalin zjarrin që ka shpërthyer nga sulmi.
Putini e Trumpi bisedojnë për tensionet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump kanë zhvilluar telefonatë afro 50-minutëshe të shtunën për të diskutuar rreth situatës shqetësuese në Lindjen e Mesme dhe bisedimet e paqes në Ukrainë, kanë bërë të ditur zyrtarët e Kremlinit, raporton AP.
Gjatë bisedës, Putini e informoi Trumpin sa i përket bisedave të fundit të tij si me liderët nga Irani ashtu dhe Izraeli, teksa përsëriti propozimin e Rusisë për të kërkuar zgjidhje të pranueshme reciprokisht mbi çështjen bërthamore iraniane.
“Përshkallëzimi i rrezikshëm i situatës në Lindjen e Mesme ishte, natyrisht, në qendër të shkëmbimit të mendimeve”, ka thënë para gazetarëve, Yuri Ushakov, këshilltar i presidentit Putin për politikën e jashtme.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan e ka kualifikuar situatën në rajonin e Lindjes së Mesme si shumë shqetësuese.
Bazuar në njoftimin e Kremlinit, Putini e ka informuar po ashtu Trumpin edhe për zbatimin e marrëveshjes të dakorduar në bisedimet e paqes ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë lidhur me shkëmbimin e të burgosurve.
Qeveria e Kosovës: Irani të ndalojë veprimet hibride, zgjidhja diplomatike është rruga e duhur
Qeveria e Kosovës ka thënë se Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe se rruga diplomatike është e duhura për ta zgjidhur konfliktin, pas përshkallëzimit të situatës me Izraelin.
Që nga e premtja, Izraeli dhe Irani kanë intensifikuar sulmet ndaj njëri-tjetrit. Izraeli nisi sulmet duke synuar objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, e më pas erdhi kundërpërgjigja nga Teherani.
“Republika e Kosovës po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.
Duke iu referuar të dhënave të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), ku theksohet se Irani nuk po i përmbush detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore, Qeveria e Kosovës ka thënë se Teherani duhet të ndalë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe “t'i përmbahet detyrimeve të IAEA”.
“Zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe parandalimin e pasojave më të gjera rajonale e globale”, thuhet më tej në deklaratë.
Qeveria u bën thirrje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre që ndodhen në rajon apo kanë kontakte atje, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe të autoriteteve lokale.
Në përfundim, Qeveria ka thënë se riafirmon përkushtimin e saj ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shprehur solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga konflikti aktual.
A ka qenë Irani afër prodhimit të bombës bërthamore?
Izraeli ka goditur disa caqe në Iran, duke dëmtuar zonën e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe duke vrarë komandantët kryesorë ushtarakë e shkencëtarët bërthamorë në Teheran.
Pas valës së parë të sulmeve të enjten në mbrëmje, Irani ka thënë se Izraeli ka sulmuar “objektivat nukleare paqësore”. Pas kësaj, Irani ka nisur sulmet hakmarrëse ajrore ndaj Izraelit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se Natanzi po funksiononte nën monitorimin e mbikëqyrësit ndërkombëtar, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), dhe se sulmet në fabrikë kanë rrezikuar “katastrofë radiologjik”.
Gjithsesi, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se operacioni ka qenë i domosdoshëm për të “ndalur kërcënimin iranian ndaj ekzistencës së Izraelit”.
Ai ka thënë se Izraeli ka vepruar sepse “po të mos ndalej, Irani do të prodhonte armë bërthamore në një periudhë të shkurtër kohore”.
“Mund të jetë një vit. Mund të jenë pak muaj”, ka thënë ai.
Izraeli besohet se ka armë bërthamore, edhe pse nuk është konfirmuar apo mohuar kurrë.
A ka dëshmi se Irani po punonte në armë bërthamore?
Ushtria e Izraelit ka thënë se ka mbledhur informata të inteligjencës që kanë treguar se “ka përparim konkret në përpjekjet e regjimit në Iran për të prodhuar komponentë armësh të përshtatur për një bombë bërthamore”, përfshirë një bërthamë metalike uraniumi dhe një iniciator burimi neutroni për të shkaktuar shpërthim bërthamor.
Kelsey Davenport, drejtoreshë për politikën e mospërhapjes në Shoqatë e Kontrollit të Armëve me seli në SHBA, ka thënë se kryeministri i Izraelit, nuk ka ofruar asnjë provë të qartë ose bindëse se Irani është në prag të armatosjes me armë bërthamore.
“Irani prej muajsh ka qenë afër pikës që mund të prodhojë armë të tilla. Prandaj deklarimi se Irani mund të zhvillojë armë të tilla për pak muaj, s’është i ri”, ka thënë ajo për BBC-në.
Ajo ka thënë se disa prej aktiviteteve nukleare të Iranit mund të jenë për zhvillimin e një bombe, por agjencitë e inteligjencës amerikane kanë vlerësuar se Irani s’është angazhuar në punën kryesore të armatimit.
Në mars, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, i ka thënë Kongresit se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit ishin “në nivelet më të larta” dhe “të paprecedentë për një shtet pa armë bërthamore”.
Por ajo ka thënë po ashtu se komuniteti amerikan i inteligjencës vazhdon të mendojë se Irani nuk është duke ndërtuar armë bërthamore dhe se lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei nuk ka autorizuar programin e armëve bërthamore të cilin e ka pezulluar më 2003.
“Nëse Netanyahu ka qenë i motivuar thjesht nga rreziku i forcimit të shpejtë të Iranit, Izraeli ka gjasa se e ka shpërndarë atë informacion me Shtetet e Bashkuara dhe sulmi fillestar ka gjasa të ketë pasur cak të gjitha objektet kryesore bërthamore të Iranit”, ka shtuar Davenport.
Javën e shkuar, IAEA ka thënë në raportin e fundit tremujor se Irani ka grumbulluar uranium të pasuruar deri në 60 për qind pastërti – hap i shkurtër teknik larg gradës së shkallëve apo 90 për qind – për të prodhuar potencialisht nëntë bomba bërthamore. Për shkak të rrezikut të përhapjes u tha se çështja është shumë shqetësuese.

Çfarë dihet për programin bërthamor të Iranit?
Irani gjithmonë ka thënë se programi i vet bërthamor është tërësisht paqësor dhe se nuk ka pasur kurrë përpjekje që ta zhvillojë një armë bërthamore.
Por një hetim dhjetëvjeçar i IAEA-së ka gjetur dëshmi se Irani ka kryer “një sërë aktivitetesh që lidhen me zhvillimin e një pajisjeje shpërthyese bërthamore” nga vitet e ’80-ta deri më 2003, kur projektet në kuadër të asaj që njihen si “Projekti Amad” u ndalën.
Irani ka vazhduar disa aktivitete deri më 2009 – kur fuqitë perëndimore zbuluan ndërtimin e impiantit nëntokësor të pasurimit në Fordo – por pas kësaj nuk ka “pasur indikacione të besueshme” për zhvillimin e armëve, ka përfunduar agjencia.
Më 2015, Irani u dakordua për një marrëveshje me gjashtë fuqitë botërore sipas së cilës pranoi të kufizojë aktivitetet e veta bërthamore dhe lejoi monitorim rigoroz nga inspektorët e IAEA-së në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Kufizimet mbulonin prodhimin e uraniumit të pasuruar, i cili përdoret për të bërë karburant reaktori, por edhe armë bërthamore.
Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e braktisi marrëveshjen gjatë mandatit të parë më 2018, duke thënë se është bërë shumë pak për të ndaluar rrugën drejt një bombe, dhe ktheu sanksionet e SHBA-së.
Irani u hakmor duke shkelur edhe më shumë ndalesat – veçanërisht ato që lidheshin me pasurimin.
Sipas marrëveshjes bërthamore, asnjë pasurim nuk lejohej në Fordo për 15 vjet. Por më 2021, Irani rifilloi pasurimin e uraniumit në pastërti 20 për qind.
Të enjten, bordi i IAEA-së deklaroi se Irani ka shkelur detyrimet për mospërhapje për herë të parë në 20 vjet.
Irani ka thënë se do t’i përgjigjet rezolutës duke ndërtuar strukturë të re për pasurimin e uraniumit dhe duke zëvendësuar centrifugat e vjetra me makineri të gjeneratës së gjashtë në Fordo.
Çfarë dëmi i ka shkaktuar Izraeli infrastrukturës bërthamore iraniane?
Ushtria e Izraelit ka thënë të premten se rundi i parë i sulmeve ajrore ka dëmtuar hapësirën nëntokësore të centrifugave në Natanz, dhe infrastrukturën kritike që i ka mundësuar zonës të operonte.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se impianti pilot i pasurimit të karburantit mbi tokë dhe infrastruktura e energjisë elektrike në Natanz janë shkatërruar. S’ka pasur tregues të ndonjë sulmi në sallën nëntokësore, por se humbja e energjisë ka mundur t’i ketë dëmtuar centrifugat, ka shtuar ai.
Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në SHB ka thënë se shkatërrimi ishte i rëndësishëm sepse objekti qe përdorur për të prodhuar uranium të pasuruar 60 për qind, dhe gjithashtu për të zhvilluar centrifuga të avancuara.
Davenport ka thënë po ashtu se sulmet në Natanz mund të zgjasin “kohën e daljes” së Iranit në armë bërthamore, por se sipas saj është herët për të vlerësuar ndikimin e plotë.
“Nuk do të mund të kemi pamje të qartë se sa shpejt Irani mund t’i kthejë operimet atje, ose nëse Irani ka qenë në gjendje ta devijojë uraniumin derisa IAEA mund ta mbërrijë zonën”, ka shpjeguar ajo.

Më vonë të premten, Irani ka njoftuar IAEA-në se Izraeli ka sulmuar fabrikën e pasurimit Fordo dhe Qendrën e Teknologjisë Bërthamore të Isfahanit.
Izraeli ka thënë se sulmi në Isfahan ka “çmontuar një strukturë për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për rikonvertimin e uraniumit të pasuruar, laboratorët dhe infrastrukturë shtesë”.
“Për sa kohë që Fordo mbetet operacional, Irani paraqet rrezik për përhapje afatshkurtër. Teherani ka opsionin ta rrisë pasurimin në nivele të gradës së armëve në zonë ose të devijojë uraniumin në një vendndodhje të panjohur”, ka thënë Davenport.
Kryeministri i Izraelit po ashtu ka thënë se operacioni do të vazhdojë “për aq ditë sa të duhen për ta hequr kërcënimin”.
Por sipas Davenportit, qëllimi s’është real.
“Sulmet mund të shkatërrojnë objekte e të kenë synim shkencëtarët, por s’mund të fshijnë njohuritë bërthamore të Iranit. Irani mund të rindërtohet, madje më shpejt se në të kaluarën, për shkak të përparimeve në pasurimin e uraniumit”, ka thënë ajo.
Bisedimet bërthamore SHBA–Iran të së dielës anulohen
Raundi i radhës i bisedimeve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i paraparë të mbahej të dielën, është anuluar. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi.
“Bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së që ishte planifikuar të zhvilloheshin në Muskat këtë të diel nuk do të mbahen. Por diplomacia dhe dialogu mbeten e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”, ka shkruar ai në platformën “X”.
Pas sulmeve të Izraelit mbi objektet bërthamore dhe ushtarake të Irani ishte e paqartë nëse do të mbahej raundi i gjashtë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit. Irani ka thënë se është e pakuptimtë që zhvillohen bisedime pas sulmeve.
Irani mohon se programi i tij i pasurimit të uraniumit ka qëllime të tjera përveç atyre civile, duke hedhur poshtë akuzat e Izraelit se po zhvillon fshehurazi armë bërthamore.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Iranin të arrijë marrëveshje ose ndryshe do të vazhdojnë sulmet.
Izraeli thotë se i ka vrarë 20 komandantë ushtarakë iranianë
Ushtria e Izraelit ka thënë se e ka vrarë kreun e inteligjencës për forcat e armatosura iraniane, Gholam-Regha Merhabi.
Sipas Izraelit, nga nisja e sulmeve mbi Iran janë vrarë më shumë se 20 komandantë ushtarakë.
Forcat izraelite të Mbrojtjes kanë thënë se Merhabi ka qenë i përfshirë në punën e inteligjencës dhe menaxhim të sulmeve ndaj Izraelit vitin e shkuar.
Më herët gjatë ditës, mediat iraniane kanë raportuar se gjenerali Mehdi Rabbani, zëvendësshef i operacioneve, ishte vrarë po ashtu gjatë sulmeve.
Pse Irani nuk e bllokon njërën nga arteriet më të rëndësishme të naftës në botë?
Pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, është rishfaqur frika se Teherani mund të hakmerrej duke bllokuar një nga rrugët më jetike të naftës në botë – ngushticën e Hormuzit.
Kjo ngushticë, që ka gjerësi nga 55 deri në 95 kilometra, lidh Gjirin Persik me Detin Arabik. Çdo ditë kalojnë përmes saj rreth 20 milionë fuçi naftë dhe derivate, që përbëjnë gati një të pestën e furnizimit global me naftë. Çdo përpjekje për ta bllokuar këtë rrugë do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale, shkruan CNBC.
Megjithatë, analistët besojnë se një veprim i tillë është i pamundur dhe i paarsyeshëm për Iranin. Sipas Ellen Wald, presidente e kompanisë “Transversal Consulting”, një bllokadë nuk do t’i sillte Iranit përfitime reale, veçanërisht sepse infrastruktura iraniane e naftës nuk është shënjestruar nga sulmet izraelite. Përkundrazi, një bllokadë e tillë do të nxiste sulme të reja ndaj Iranit.
Ajo thekson gjithashtu se një veprim i tillë do të zemëronte Kinën – blerësin më të madh të naftës iraniane.
“Kina nuk dëshiron që shpërndarja e naftës nga Gjiri Persik të ndërpritet dhe nuk dëshiron që çmimi i naftës të rritet. Prandaj, do të përdorë gjithë fuqinë e saj ekonomike ndaj Iranit”, thotë Wald.
Vlerësohet se çereku i importeve të naftës së Kinës vjen nga Irani, ndërsa Kina është partnerja më e madhe tregtare e këtij vendi. Prandaj, një bllokadë do të dëmtonte më shumë aleatët e Iranit sesa armiqtë e tij, thotë Anas Alhajji nga “Energy Outlook Advisors”.
Sipas tij, vetë Irani do të pësonte më shumë, pasi pjesa më e madhe e eksporteve të tij kalon përmes ngushticës së Hormuzit.
Bllokadë e pamundur?
Në fakt, shumë analistë thonë se bllokimi fizik i ngushticës është praktikisht i pamundur.
“Të jemi realistë. Pjesa më e madhe e kësaj ngushtice është në ujërat territoriale të Omanit, jo Iranit. Dhe është mjaftueshëm e gjerë që Irani të mos mund ta mbyllë”, thekson Alhajj.
Ellen Wald shton se anijet mund të devijojnë përmes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit nëse ndodh një përpjekje për bllokadë.
Sipas Vivek Dhar nga “Commonwealth Bank of Australia”, çdo bllokadë do të ishte masa e fundit, që Irani do ta ndërmerrte vetëm nëse do të përfshihej në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me Shtetet e Bashkuara.
Helima Croft nga “RBC Capital Markets” thotë se mund të ketë ndërprerje të përkohshme në qarkullimin detar, por një bllokadë e plotë është shumë e vështirë për t’u realizuar për shkak të pranisë së flotës amerikane në Bahrejn.
“Irani mund të sulmojë cisternat ose të vendosë mina në ngushticë për të penguar trafikun detar”, thotë Croft, por kjo sërish do të ishte lëvizje me pasoja të rënda.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake nëse dështojnë negociatat për programin bërthamor të Iranit. Megjithatë, Dhar vlerëson se këto kërcënime janë më shumë presion diplomatik sesa qëllim real për luftë.
Izraeli thotë se ka eliminuar nëntë shkencëtarë kryesorë bërthamorë iranianë
Ushtria izraelite deklaroi të shtunën se sulmet ajrore të ndërmarra një ditë më parë ndaj objekteve bërthamore të Iranit kanë rezultuar me vrasjen e nëntë shkencëtarëve kryesorë të programit bërthamor iranian.
“Gjatë sulmit të Forcave Ajrore të Izraelit në fillim të operacionit ‘Zgjimi i Luanit’, janë eliminuar nëntë shkencëtarë dhe ekspertë të lartë që kishin rol kyç në avancimin e programit të armëve bërthamore të regjimit iranian”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite, duke përmendur edhe emrat e të vrarëve.
Shkencëtarët iranianë që Izraeli pretendon se i ka vrarë:
Fereydoon Abbasi, ekspert i inxhinierisë bërthamore;
Mohammad Mehdi Tehranchi, ekspert i fizikës;
Akbar Motalebi Zadeh, ekspert i inxhinierisë kimike;
Saeed Barji, ekspert i inxhinierisë së materialeve;
Amir Hassan Fakhahi, ekspert i fizikës;
Abd al-Hamid Minoushehr, ekspert i fizikës së reaktorëve;
Mansour Asgari, ekspert i fizikës;
Ahmad Reza Zolfaghari Daryani, ekspert i inxhinierisë bërthamore;
Ali Bakhouei Katirimi, ekspert i mekanikës.
Sipas autoriteteve izraelite, eliminimi i këtyre figurave përbën goditje të rëndësishme për aftësinë e regjimit iranian për të siguruar armë të shkatërrimit në masë.
Izraeli ka goditur gjithashtu aeroporte iraniane, përfshirë aeroportin kryesor të Teheranit, Mehrabad, si dhe aeroportin në qytetin veriperëndimor të Tabrizit, të cilët janë shënjestruar disa herë.
Ministri izraelit: Teherani do të digjet nëse vazhdojnë sulmet
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi të shtunën se qytetarët në Teheran “do të paguajnë çmim të rëndë” nëse Irani vazhdon me sulmet raketore, duke paralajmëruar se kryeqyteti iranian “do të digjet”.
“Diktatori iranian po i kthen qytetarët e Iranit në pengje dhe po krijon realitet në të cilin ata – veçanërisht banorët e Teheranit – do të paguajnë çmim të rëndë për sulmet kriminale ndaj civilëve izraelitë”, ka thënë Katz pas një takimi me drejtues të ushtrisë izraelite për të diskutuar situatën.
“Nëse Khamenei vazhdon të lëshojë raketa drejt frontit të brendshëm izraelit, Teherani do të digjet”, shtoi ai.
Irani i kërcënon me sulme SHBA-në, Britaninë e Francën
Irani ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Francës se bazat dhe anijet e tyre në rajon do të shënjestrohen nëse ndihmojnë t’i ndalojnë sulmet e Teheranit në Izrael, raportoi media shtetërore iraniane të shtunën.
Irani ka thënë se do t’i vazhdojë sulmet , ndërsa një zyrtar citohet të ketë thënë se do t’i shënjestrojë edhe bazat amerikane në rajon ditët në vijim, raportoi BBC.
60 persona, përfshirë 20 fëmijë, janë vrarë nga sulmi i Izraelit në një ndërtesë të banuar në Teheran. Në mesin e fëmijëve ishte edhe një foshnjë 6-muajshe. Të premten autoritetet iraniane thanë se ishin vrarë 78 persona nga Izraeli.
Teherani: Bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara janë të pakuptimta pas sulmeve të Izraelit
Zyrtarët iranianë kanë thënë të premten se dialogu me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi programin bërthamor të Teheranit zyrtar është tashmë “i pakuptimtë”, pas sulmit masiv ushtarak të Izraelit ndaj Republikës Islamike.
“Pala tjetër (SHBA-ja) është sjellur në një mënyrë që e ka bërë dialogun të pakuptimtë. Nuk mund të pretendosh se je i interesuar të negociosh dhe në të njëjtën kohë të lejosh regjimin zionist (Izraelin) të shënjestrojë territorin iranian”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei.
Ai ka thënë se Izraeli ishte i “suksesshëm në ndikimin” e procesit diplomatik dhe se sulmet izraelite nuk do të kishin ndodhur pa lejen e Washingtonit.
Më herët gjatë ditës së premte, Irani kishte akuzuar Shtetet e Bashkuara se kishin qenë bashkëfajtor në sulmet e Izraelit, porse Washingtoni zyrtar i mohoi akuzat dhe i bëri me dije Teheranit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të ishte më “i mençur” që të negocionte mbi programin e tij bërthamor.
Rundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit ishte planifikuar të mbahej të dielën në Muskat të Omanit, por mbetet e paqartë nëse do të zhvillohet pas sulmeve izraelite.
Irani mohon se programi i tij i pasurimit të uraniumit ka qëllime të tjera përveç atyre civile, duke hedhur poshtë akuzat e Izraelit se po zhvillon fshehurazi armë bërthamore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se ai dhe ekipi i tij e kishin ditur që sulmet izraelite do të ndodhnin, por megjithatë ata ende e shihnin të mundur arritjen e një marrëveshjeje.
Irani konfirmon dëmin në zonën bërthamore Fordow
Irani ka konfirmuar se objekti bërthamor Fordow ka pësuar dëme të kufizuara pas sulmeve të fundit, raportoi The Guardian.
“Ka pasur dëm të kufizuar në disa zona në zonën e pasurimit në Fordoë”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë shtetërore për Energji Atomike, Behrouz Kamalvandi.
“Ne kishim lëvizur një pjesë të konsiderueshme të pajisjeve dhe materialeve, dhe nuk kishte dëme të mëdha dhe nuk ka shqetësim për kontaminim”, ka shtuar ai.
Natë e vështirë për ambasadorin amerikan në Izrael – 5 herë nëpër strehimore
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, ka thënë se i është dashur të shkojë në strehim pesë herë gjatë natës, për shkak të sulmeve me raketa nga Irani.
“Natë e vështirë në Izrael”, ka shkruar ai në platformën X.
Të mërkurën, Departamenti i Shtetit aranzhoi evakuimin e personelit nga lokacione në Lindjen e Mesme, dy ditë para se Izraeli të niste sulmin ndaj Iranit.