Botë

Izraeli do të përgjigjet deri të premten për planin e ri të armëpushimit në Gazë

Gaza

Foto: Associated Press

Shteti izraelit ka thënë se do t'u japë përgjigjen e tij ndërmjetësve ndërkombëtarë deri të premten mbi një plan të ri armëpushimi në Gazë e i cili është pranuar nga Hamasi, mes presionit në rritje për një armëpushim në luftën që ka marrë më shumë se 62,000 jetë palestineze.

Pas protestave masive në Izrael që kërkonin një marrëveshje për të siguruar lirimin e 20 pengjeve të mbetura izraelite të gjalla që mbahen në Gazë, u duk se Hamasi kishte ulur kërkesat e tij për një shkëmbim të burgosurish me pengje, si dhe mbi fushën e një "zone sigurie neutrale" të kërkuar nga Izraeli.

Sipas detajeve të raportuara të planit të propozuar, rreth gjysma e pengjeve të mbetura të gjalla, si dhe trupat, do të liroheshin në një marrëveshje me faza në këmbim të rreth 150 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite, disa prej të cilëve vuajnë dënime me burgim të përjetshëm, gjatë një armëpushimi të parashikuar 60-ditor.

Ndërsa Izraeli ka thënë se nuk është më i interesuar për një marrëveshje të pjesshme, duke kërcënuar në vend të kësaj një ofensivë të re në shkallë të gjerë për të pushtuar Qytetin e Gazës, detajet e propozimit të ri për armëpushim e sjellin atë shumë afër skicës së një marrëveshjeje të sugjeruar fillimisht nga i dërguari special i Donald Trumpit, Steve Witkoff. 

Pavarësisht refuzimit të një marrëveshjeje të pjesshme nga Izraeli, kreu i Mossadit, David Barnea, ka vizituar kohët e fundit Katarin mes spekulimeve se bisedimet janë më aktive nga sa është pranuar zyrtarisht nga Izraeli.

E zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit ka thënë të martën se propozimi i fundit për armëpushim në Gaza, i rënë dakord nga Hamasi, ishte "pothuajse identik" me një plan të mëparshëm të paraqitur nga Witkoff. Hamasi kishte dhënë një "përgjigje shumë pozitive dhe me të vërtetë ishte pothuajse identike me atë që pala izraelite kishte rënë dakord më parë", ka thënë zëdhënësi.

Egjipti ka thënë të hënën se bashkë me Katarin ia kanë dorëzuar propozimin e ri Izraelit dhe "topi tani është në fushën e tij".

Izraeli kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve

32 min. më parë / 19 gus 2025 19:17
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Izraeli po kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjitha 50 pengjeve të mbajtura në Gaza, ka thënë një zyrtar izraelit, duke ngritur dyshime nëse do të pranojë një propozim të ri për një armëpushim 60-ditor për të cilin është rënë dakord nga Hamasi të hënën.

Qëndrimi i Izraelit është "në përputhje me parimet e vendosura nga kabineti për t'i dhënë fund luftës", ka thënë zyrtari, pa e hedhur poshtë në mënyrë të qartë planin nga ndërmjetësit Katar dhe Egjipt.

Propozimi, i cili parasheh lirimin e rreth gjysmës së pengjeve, është "pothuajse identik" me një propozim amerikan që Izraeli e kishte pranuar më parë, ka thënë Katari.

Burime palestineze kanë thënë se sipas propozimit, 10 pengje të gjallë dhe 18 të vdekur do të dorëzoheshin teksa palët negocionin një armëpushim të përhershëm dhe kthimin e pengjeve të tjera.

Izraeli beson se vetëm 20 nga 50 pengjet janë ende gjallë pas 22 muajsh lufte.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk ka komentuar publikisht mbi propozimin, por ai ka deklaruar të hënën se Hamasi është "nën një presion të madh".

Më vonë këtë javë, pritet që kabineti izraelit të miratojë planin e ushtrisë për të pushtuar Qytetin e Gazës, ku sulmet e intensifikuara izraelite kanë bërë që mijëra njerëz të largohen.

Netanyahu njoftoi qëllimin e Izraelit për të pushtuar të gjithë Gazën - duke përfshirë zonat ku shumica e 2.1 milionë banorëve të saj palestinezë kanë kërkuar strehim, pasi bisedimet indirekte me Hamasin për një marrëveshje armëpushimi dështuan muajin e kaluar.

Të hënën në mbrëmje, Hamasi ka njoftuar përmes një deklarate se grupi i armatosur dhe fraksionet e tjera palestineze kanë miratuar një propozim për armëpushim të paraqitur nga ndërmjetësit egjiptianë dhe katarianë, delegacioneve të tyre në Kajro një ditë më parë.

Zyrtari i Hamasit, Taher al-Nunu, i ka thënë televizionit Al-Araby se ata nuk kanë kërkuar ndonjë ndryshim në propozim, të cilin ai e ka përshkruar si "një marrëveshje të pjesshme që çon në një marrëveshje gjithëpërfshirëse".

Ai gjithashtu ka theksuar se në ditën e parë të zbatimit të tij, negociatat do të fillonin me qëllim arritjen e një armëpushimi të përhershëm.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, u ka thënë gazetarëve në Doha të martën se propozimi ishte "98%" i ngjashëm me atë të paraqitur nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff në qershor.

"Është brenda kufijve të planit Witkoff... Është një vazhdim i atij procesi”, ka thënë Ansari.

Witkoff ka propozuar një armëpushim 60-ditor sipas të cilit Hamasi do të lironte 10 pengje të gjallë dhe trupat e 18 pengjeve të vdekur në ditën e parë dhe të shtatë, në këmbim të 125 të burgosurve palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme në burgjet izraelite, 1,111 të paraburgosur nga Gaza dhe trupave të 180 banorëve të Gazës.

Izraeli e kishte pranuar planin e Witkoff, por Hamasi e kishte hedhur poshtë atë, pjesërisht sepse nuk përfshinte një garanci se armëpushimi i përkohshëm do të çonte në një armëpushim të përhershëm.

Çka përmban marrëveshja e armëpushimit për Gazën të cilën e pranoi Hamasi

2 o. më parë / 19 gus 2025 17:24
Gaza

Photo: Associated Press

Propozimi për armëpushim në Gazë, të cilin Hamasi e ka pranuar të hënën teksa një përgjigje izraelite pritet deri në fund të javës, parasheh një armëpushim 60-ditor, lirim gradual të pengjeve, tërheqje të trupave izraelite nga pjesë të Gazës dhe diskutime për përfundimin e konfliktit.

Marrëveshja është pothuajse identike me një propozim që Uashingtoni ka paraqitur më parë këtë vit, ka thënë të martën një zëdhënës i ndërmjetësit Katar. Hamasi e kishte hedhur poshtë atë marrëveshje në korrik.

Më poshtë janë detajet kryesore të propozimit për armëpushim, siç janë përshkruar për Reuters nga një udhëheqës i lartë i Hamasit dhe dy burime sigurie egjiptiane, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti:

- Dhjetë pengje izraelite të mbajtura në Gazë do të kthehen së bashku me trupat e 18 të tjerëve, gjatë 60 ditëve. Izraeli thotë se nga 50 pengje të mbajtura nga Hamasi dhe aleatët e tij, 20 besohet se janë gjallë.

- Në këmbim, Izraeli do të lirojë 150 palestinezë të ndaluar që i kishte dënuar me burgim të përjetshëm dhe 50 palestinezë që i kishte dënuar me më shumë se 15 vjet.

- Për çdo trup që Hamasi kthen, Izraeli do të kthejë trupat e 10 militantëve palestinezë.

- Izraeli do të lejojë që ndihma të hyjë në Gazë me përfshirjen e Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

- Ushtria izraelite do të mbetet në Gazë, por do të tërhiqet në një zonë afërsisht 1 kilometër të gjerë përgjatë kufijve veriorë dhe lindorë të enklavës, që përfshin edhe zonat e Beit Lahiya dhe Shejaia.

- Sapo armëpushimi të hyjë në fuqi, Hamasi dhe Izraeli do të fillojnë negociatat për një armëpushim të përhershëm.