Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë kryer sulme ndaj “disa objektivave” në një kompleks petrokimik iranian në Mahshahr, në jugperëndim të vendit.

Si IDF-ja ashtu edhe mediat shtetërore iraniane e kanë konfirmuar sulmin. Mediat iraniane raportojnë se kompleksi, i cili ndodhet pranë bregdetit verior të Gjirit Persik, është dëmtuar pjesërisht.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mediat iraniane kanë bërë të ditur se më shumë informacione rreth dëmeve dhe "viktimave të mundshme" do të publikohen më vonë.

Sulmet izraelite u kryen pavarësisht se Benjamin Netanyahu ishte paralajmëruar të mos kundërpërgjigjej nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili tashmë ishte i zemëruar që kryeministri izraelit kishte shpërfillur paralajmërimet e tij për të mos sulmuar Bejrutin.

Shqetësimi i Trumpit është se veprimet e Izraelit mund të pengojnë negociatat e vazhdueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Një zyrtar amerikan, i cituar nga Axios News, tha se Trump i kishte kërkuar Netanyahut të priste, duke thënë: "Jemi afër arritjes së diçkaje pozitive sa i përket një marrëveshjeje."

Sipas raportimeve, javën e kaluar pati një bisedë telefonike veçanërisht të tensionuar mes dy liderëve. Trump nuk i ka mohuar raportet se ai ngriti zërin dhe përdori fjalor të ashpër ndaj Netanyahut për shkak të përshkallëzimit të sulmeve izraelite në Liban.

Më herët, presidenti amerikan i tha gazetës Financial Times se Netanyahu do të duhej të pranonte çdo marrëveshje që SHBA-ja do të arrinte me Iranin, sepse, sipas tij, "nuk do të ketë zgjidhje tjetër." Duke folur për Netanyahun, Trump tha: "Unë i marr të gjitha vendimet. Ai nuk i merr vendimet."

Trumpi la të kuptohej se SHBA-ja dhe Izraeli ishin shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Megjithatë, ai e ka bërë këtë deklaratë edhe më parë, ndërsa deri më tani ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare.

Irani pezullon operacionet ushtarake kundër Izraelit

11 o. më parë / 8 qer 2026 13:52
Irani nis sulme mbi bazat amerikane, çmimi i naftës bie pas “planit” të Trumpit

Photo: Associated Press

Irani ka njoftuar se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por ka paralajmëruar se do t'i rifillojë ato nëse sulmet vazhdojnë, përfshirë edhe në Libanin jugor.

"Forcat e fuqishme të Armatosura të Republikës Islamike të Iranit, në mbështetje të popullit të shtypur të Libanit, i kanë dhënë një përgjigje të dhimbshme këtij regjimi (Izraelit)", ka thënë ushtria iraniane në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve Tasnim.

"Nëse agresionet dhe aktet armiqësore vazhdojnë, përfshirë në Libanin jugor, do të merren masa shumë më të ashpra dhe shkatërruese se më parë", ka thënë ushtria. 

Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme me raketa herët të hënën, të cilat nisën kur Teherani sulmoi disa pjesë të Izraelit.

Irani ka thënë se ka nisur sulmet pasi Izraeli goditi të dielën periferitë e kryeqytetit libanez, Bejrut, pavarësisht se Washingtoni e kishte paralajmëruar Netanyahun që të mos e bënte. 

Trumpi kërkon nga Izraeli dhe Irani që “t’i ndalin sulmet menjëherë”

13 o. më parë / 8 qer 2026 11:53
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve hakmarrëse mes Iranit dhe Izraelit, pasi përplasjet mes dy vendeve rrezikuan përpjekjet e tij të brishta diplomatike.

“Izraeli dhe Irani duhet të ndalojnë menjëherë ‘sulmet’”, ka shkruar Trumpi herët të hënën në rrjetin social Truth Social.

E në një postim tjetër më vonë, Trumpi ka shkruar se Izraeli dhe Irani po përpiqen për armëpushim.

“Të dyja palët, Izraeli dhe Irani, po kërkojnë të bëjnë armëpushim të menjëhershëm. Negociatat përfundimtare për "Paqen" po vazhdojnë...Bllokada do të mbetet në fuqi dhe në fuqi të plotë, derisa të arrihet një "Marrëveshje Përfundimtare". Gjërat duhet të lëvizin shpejt”, ka shkruar Trumpi.

Sipas një zyrtari amerikan, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të dielën, Trumpi i ka kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të përmbahej nga nisja e një sulmi hakmarrës kundër Iranit.

Kjo thirrje erdhi në një kohë kur shkëmbimi i sulmeve mes Izraeli dhe Irani po rrit shqetësimet për një përshkallëzim të ri të konfliktit në rajon dhe po vë në rrezik përpjekjet diplomatike për ruajtjen e armëpushimit dhe uljen e tensioneve.

Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme, rrezikojnë ta çojnë rajonin përsëri në luftë

14 o. më parë / 8 qer 2026 10:58
Iran

Photo: Associated Press

Izraeli dhe Irani kanë shkëmbyer sulme me raketa herët të hënën, në një seri goditjesh hakmarrëse që rrezikojnë ta rikthejnë Lindjen e Mesme në një luftë të plotë rajonale. 

Ndërkohë, rebelët Huthi të Jemenit gjithashtu kanë sulmuar Izraelin dhe kanë paralajmëruar se do të shënjestrojnë anijet e lidhura me Izraelin në Detin e Kuq, duke rritur më tej tensionet.

Izraeli ka kryer sulme në Iranin qendror dhe perëndimor në orët e para të së hënës si përgjigje ndaj sulmeve raketore nga Teherani, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me valë sulmesh. Ky ishte shkëmbimi i parë i sulmeve mes dy vendeve që nga armëpushimi i arritur më 8 prill. 

Shpërthime u dëgjuan në pjesën qendrore të Izraelit, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore përpiqeshin të kapnin raketat iraniane. Sirena alarmi janë dëgjuar gjithashtu në të gjithë Jordaninë fqinje.
Irani ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të mbajnë përgjegjësi për çdo përshkallëzim të mëtejshëm.

“Askush nuk beson se regjimi izraelit do të ndërmerrte ndonjë veprim pa koordinim me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, gjatë një konference për gazetarët në Teheran. 

“Shtetet e Bashkuara mbajnë përgjegjësi për agresionin e regjimit izraelit dhe do të jenë gjithashtu përgjegjëse për pasojat e çdo përshkallëzimi të tensioneve”, ka shtuar ai.

Garda Revolucionare iraniane ka njoftuar se kishte goditur dy baza ushtarake në Izrael, duke i përshkruar sulmet si pjesë të Operacionit “Nasr” (Fitore). Sipas saj, raketat u lëshuan pasi Izraeli goditi stacione radari në tri zona të Iranit. 

Ushtria izraelite ndërkaq ka thënë se kishte shënjestruar lëshues raketash tokë-ajër të vendosur mbi kamionë.

Teherani kishte paralajmëruar për hakmarrje të dielën, pasi Izraeli goditi periferinë jugore të Bejrutit pa paralajmërim, në kundërshtim me kërkesën e Washingtonit që të përmbahej.

E hëna shënon ditën e 100-të të luftës me Iranin, e cila sipas raportit filloi më 28 shkurt, kur Izraeli dhe SHBA-ja vranë udhëheqësin suprem iranian, Ali Khamenei, si dhe drejtues të tjerë të lartë iranianë.

Lufta ka vazhduar deri më 8 prill, kur Irani dhe SHBA-ja arritën një armëpushim. Megjithatë, përpjekjet për t’i dhënë fund përfundimtar konfliktit janë vështirësuar nga kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës në kohë paqeje kalonte rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror, si dhe nga përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollah.

Teksa furnizimet globale të energjisë mbeten ende të kërcënuara dhe teksa Irani ende zotëron një rezervë të madhe uraniumi të pasuruar në nivele të larta, e po ashtu me përfshirjen e rebelëve Huthi në luftime, rreziku që lufta të shpërthejë përsëri në shkallë të gjerë duket se po rritet.

Dy zyrtarë rajonalë kanë thënë se të hënën po zhvillohen përpjekje intensive diplomatike për të shpëtuar armëpushimin midis Iranit dhe SHBA-së pas shkëmbimit të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit.

Sipas tyre, zyrtarë nga Egjipti, Arabia Saudite, Turqia, Pakistani dhe Katari i kanë kërkuar administratës amerikane të ushtrojë presion mbi Izraelin që të kufizojë sulmet e tij ndaj Iranit dhe Bejrutit. Ata gjithashtu u kanë bërë thirrje zyrtarëve iranianë të ndalojnë sulmet ndaj Izraelit.

Rriten çmimet e naftës pas sulmeve mes Iranit dhe Izraelit

16 o. më parë / 8 qer 2026 09:48 Nga: BBC
brent

Çmimet e naftës kanë vazhduar të rriten pasi Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme me raketa për herë të parë që nga armëpushimi i arritur ndërmjet palëve dhe Shteteve të Bashkuara në muajin prill.

Çmimi i naftës së tipit Brent, që shërben si standard global, u rrit me 4.5 për qind, duke arritur në 97.30 dollarë për fuçi. Ndërkohë, nafta bruto e tregtuar në Shtetet e Bashkuara shënoi një rritje prej 4.3 për qind, duke u ngjitur në rreth 94.50 dollarë për fuçi.

Sipas profesoreshës së asociuar Jiajia Yang nga Universiteti James Cook në Australi, është ende herët për të përcaktuar nëse sulmet shënojnë një përshkallëzim të plotë të konfliktit, por tregtarët tashmë po llogarisin rreziqet e reja për tregjet globale të naftës.

Ndikimi i tensioneve u reflektua edhe në tregjet financiare aziatike. Bursa në Azi pësoi rënie të ndjeshme të hënën, me indekse të rëndësishme, si Kospi i Koresë së Jugut, që humbi gati 8 për qind të vlerës së tij.

Analistët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja të rëndësishme për furnizimin global me energji dhe stabilitetin e tregjeve ndërkombëtare.