Botë

Izraeli konfirmon armëpushimin

Netanyahu dhe Trumpi

Foto: Associated Press

Qeveria e Izraelit ka deklaruar se është pajtuar me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim me Iranin.

Në një deklaratë thuhet se: “Izraeli do të përgjigjet fuqishëm nëse armëpushimi prishet”.

Qeveria izraelite ka thënë se është pajtuar me propozimin e armëpushimit pasi ka arritur "objektivat” e  sulmeve në Iran.

Sipas deklaratës, Izraeli ka hequr “kërcënimin e dyfishtë ekzistencial” të Iranit nga armët bërthamore dhe raketat balistike.

Gjithashtu thuhet se Izraeli “i ka shkaktuar dëme të rënda udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane”.

Deklarata vazhdon duke thënë se forcat izraelite, në ditën e fundit, kanë “goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij” - një milici që qeveria iraniane shpesh e përdor për të shtypur protestat - dhe duke “eliminuar një tjetër shkencëtar të lartë bërthamor’.

“Izraeli falënderon Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”, shton deklarata.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli ka pranuar marrëveshjen e armëpushimit me Republikën Islamike të Iranit në koordinim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, raporton AP.

Netanyahu ka thënë në orët e vona të së hënës se i kishte raportuar kabinetit të sigurisë së Izraelit, që vendi i ka arritur të gjitha objektivat e tij ushtarake në operacionin 12-ditor kundër Iranit.

Sipas tij, Izraeli gjithashtu ka dëmtuar lidershipin ushtarak të Iranit, disa objekte qeveritare dhe ka arritur të kontrollojë hapësirën ajrore të Teheranit.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

Armëpushimi i Trumpit nuk zgjat as dy orë