Forcat izraelite kanë ndaluar 13 anije me aktivistë të huaj dhe që kishin për synim të transportonin ndihma për në Gazë, por 30 anije po vazhdojnë të lundrojnë drejt enklavës palestineze të shkatërruar nga lufta, kanë thënë të enjten organizatorët e flotiljes.
Një video nga ministria e Jashtme izraelite tregon aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg, të ulur në një kuvertë të rrethuar nga ushtarë.
Thunberg, raportohet se është arrestuar dhe është marrë në paraburgim në portin e Ashdodit, raporton The Guardian.
"Disa anije të flotiljes Hamas-Sumud janë ndaluar në mënyrë të sigurt dhe pasagjerët e tyre po transferohen në një port izraelit”, ka thënë ministria e Jashtme izraelite në X.
"Greta dhe miqtë e saj janë të sigurt dhe shëndoshë”, ka shtuar ajo.
Flotilja Globale Sumud, që transporton ilaçe dhe ushqim për në Gazë, përbëhet nga më shumë se 40 anije civile me rreth 500 parlamentarë, avokatë dhe aktivistë.
Flotilla publikoi disa video në Telegram me mesazhe nga individë në bordin e anijeve të ndryshme, disa prej të cilëve mbanin pasaportat e tyre dhe pretendonin se ishin rrëmbyer dhe dërguar në Izrael kundër vullnetit të tyre, dhe duke përsëritur se misioni i tyre ishte një kauzë humanitare jo e dhunshme.
Erdogani e quan “banditizëm” ndaljen nga Izraeli të flotës me ndihma për Gazën
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka denoncuar ndërprerjen e flotes Global Sumud nga Izraeli si "banditizëm" dhe një akt brutal që synonte civilët që shpërndajnë ndihma humanitare.
Erdogan ka thënë të enjten se flota ka "ekspozuar" edhe një herë politikat e dhunshme të Izraelit.
Aktivistët në bord kanë thënë të mërkurën vonë se marina izraelite ka kapur të paktën 19 nga anijet e flotës ndërsa ato i afroheshin Gazës.
Flota, e përbërë nga gati 50 anije dhe 500 aktivistë, mbante një sasi simbolike ndihme humanitare.
Organizatorët kanë thënë se anijet Sirius, Alma dhe Adara u kapën rreth 70 milje detare, ose 80 milje, nga bregu i Gazës.
Autoritetet izraelite kanë thënë se aktivistët në bord, përfshirë Greta Thunberg, janë të sigurt dhe po transferoheshin në Izrael.
Grupi, i cili përfshin nipin e Nelson Mandelës, Mandla Mandela, ish-kryetaren e bashkisë së Barcelonës, Ada Colau dhe disa ligjvënës evropianë, ka hënë se mbetet i palëkundur në misionin e tij për të thyer bllokadën e Izraelit dhe për të shpërndarë ndihma për palestinezët.
Ndalimi i anijeve me ndihma drejt Gazës shkakton reagime ndërkombëtare
Ndalimi nga Izraeli i anijeve të flotës Global Sumud, e cila ishte nisur me ndihma drejt Gazës, ka shkaktuar reagime në shumë vende të botës.
Marina e Izraelit e kishte paralajmëruar më parë flotën se po i afrohej një zone aktive luftimesh dhe po shkelte një bllokadë të ligjshme, dhe u kishte kërkuar organizatorëve të ndryshonin drejtimin. Ajo kishte ofruar të transferonte çdo ndihmë në mënyrë paqësore përmes kanaleve të sigurta në Gaza.
Flota është përpjekja e fundit nga deti për të thyer bllokadën e Gazës nga Izraeli, pjesa më e madhe e së cilës është shndërruar në një shkretëtirë nga pothuajse dy vjet luftë.
Në një deklaratë, Hamasi ka shprehur mbështetje për aktivistët dhe e ka quajtur ndërprerjen e flotës nga Izraeli një "akt kriminal", duke bërë thirrje për protesta publike për të dënuar Izraelin.
Anijet ishin rreth 70 milje detare larg Gazës kur u ndaluan, brenda një zone që Izraeli po e kontrollon për të ndaluar çdo anije që afrohet.
Greqia ka thënë se është informuar se 39 anije nga flota po lundrojnë drejt portit izraelit të Ashdodit dhe se të gjithë në bord janë të sigurt, nuk është ushtruar dhunë, ka raportuar transmetuesi publik grek.
Flota shpresonte të mbërrinte në Gazë të enjten në mëngjes nëse nuk do të ndalohej.
Zyrtarët izraelitë e kanë denoncuar vazhdimisht misionin.
"Ky refuzim sistematik (për të dorëzuar ndihmën) tregon se objektivi nuk është humanitar, por provokues", ka thënë Jonathan Peled, ambasadori izraelit në Itali, në një postim në X.
Izraeli ka vendosur një bllokadë detare ndaj Gazës që kur Hamasi mori kontrollin e enklavës bregdetare në vitin 2007 dhe ka pasur disa përpjekje të mëparshme nga aktivistët për të dërguar ndihma nga deti.
Në vitin 2010, nëntë aktivistë u vranë pasi ushtarët izraelitë hipën në një flotë prej gjashtë anijesh të drejtuar nga 700 aktivistë pro-palestinezë nga 50 vende.
Izraeli ndalon shumicën e anijeve me ndihma të cilat ishin nisur për në Gazë
Forcat izraelite kanë ndaluar 39 anije që transportonin ndihma dhe aktivistë të huaj, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg, drejt Gazës, duke lënë vetëm një anije ende duke lundruar drejt enklavës palestineze, thanë organizatorët e flotës të enjten.
Mirëpo, sipas platformës live tracker, besohet se vetëm katër anije të flotes Global Sumud janë ende duke lundruar, shkruan The Guardian.
The Independent raporton se forcat izraelite kanë kapur 39 anije që transportonin aktivistë dhe ndihma për në Gazë, dhe vetëm një anije është ende duke lundruar në drejtim të Rripit të Gazës.
Nga katër anijet që janë listuar si "në lundrim", dy janë duke shkuar në veri, drejt Qipros. Një anije është ende në brigjet e Egjiptit, dhe një anije, Mikeno, është tani në ujërat territoriale të Gazës dhe thuhet se është disa kilometra larg tokës.
Më herët kamerat që transmetonin pamje të drejtpërdrejta nga anijet, treguan ushtarë izraelitë me helmeta duke hipur në anije, ndërsa pasagjerët e mbledhur së bashku me jelekë shpëtimi mbanin duart lart.
Zyrtarët izraelit e kanë quajtur provokim misionin e Globale Sumud, si dhe kanë bërë thirrje që ndihmat të dërgohen në një port izraelit. Flota Globale Sumud, që transporton ilaçe dhe ushqim për në Gazë, përbëhej nga 40 anije civile me rreth 500 aktivist në mesin e tyre, parlamentarë dhe avokatë.