Botë

Izraeli nuk ndal luftën as pas presionit amerikan

Izraeli dhe SHBA-ja me gjasë nuk kanë plan të qartë për atë që do të ndodhë më pas nëse rrëzohet regjimi i Hamasit në Gaza – çështje kyçe e agjendës së Blinkenit gjatë vizitës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë porositur Izraelin të premten që të lejojë ndihmat humanitare në Gaza dhe të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë, teksa kryeministri izraelite ka thënë se nuk do të ketë armëpushim derisa Hamasi nuk liron pengjet. Të premten, lideri i grupit militant të Hezbollahut ka ngjallur frikën për përhapje të konfliktit duke premtuar më shumë sulme përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit.

Ushtria izraelite ka ashpërsuar rrethimin e qytetit të Gazës, duke e përqendruar fushatën për shtypjen e militantëve të Hamasit, të cilët kanë nisur sulmin ndaj Izraelit që më vonë u kthye në luftë.

Gjithashtu janë ngritur shqetësime se lufta me Hamasin do të nxitë luftimet në frontet e tjera. Ushtria izraelite ka shkëmbyer zjarr me militantët e Hezbollahut në kufi me Libanin.

Në fjalimin e tij të parë publik qëkur ka krisur lufta, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka deklaruar se grupi i tij ka hyrë në betejë me luftimet që i ka zhvilluar në kufi. “Nuk do të jemi të kufizuar vetëm në këtë”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se përkeqësimi është i mundur. Mirëpo Nasrallahu nuk ka thënë se Hezbollahu është përfshirë plotësisht në luftë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në udhëtimin e tij të tretë në Izrael nga krisja e luftës, ka përsëritur përkrahjen e SHBA-së për Izraelin në luftë, duke thënë se është në drejtën e vet që të mbrohet. Mirëpo ka thënë se është e nevojshme “pauza humanitare” për shpërndarjen e ndihmave për civilët palestinezë pas alarmit për krizë humanitare në Gazë.

Pas takimit me Blinkenin, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se shteti “refuzon çdo armëpushim të përkohshëm që nuk përfshin kthimin e pengjeve”, duke iu referuar 240 personave që Hamasi i ka marrë peng gjatë sulmeve të 7 tetorit. Ai ka thënë Izraeli është duke vazhduar me ofensivën ushtarake me të gjithë fuqinë.

Blinkeni ka thënë se duhet të ketë ndihmë të menjëhershme humanitare në Gaza, vendin në të cilin “ne duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë”. Pa këtë, “nuk do të ketë partnerë për paqe”, ka thënë ai, duke shtuar se është kritike që të vazhdojë rruga drejt zgjidhjes dy-shtetërore për konfliktin izraelito-palestinez.

Hezbollahu, aleat i Hamasit, ka sulmuar pozicionet izraelite në veri të Izraelit. Ka përdorur dronë dhe mortaja. Ushtria izraelite ka deklaruar se është kundërpërgjigjur me aeroplanë luftarakë dhe helikopterë.

“Ne jemi në gjendje të lartë gatishmërie në veri, në gjendje shumë të lartë, për të reaguar ndaj çfarëdo rasti sot ose në ditët e ardhshme”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Blinkeni ka thënë se SHBA-ja, e cila ka vendosur aeroplanëmbajtëse dhe forca të tjera në lindje të Detit Mesdhe, është e angazhuar që të mos ketë front të dytë apo të tretë, duke iu referuar Hezbollahut.

Në fjalimin e tij, Nasrallahu ka thënë se grupi i tij nuk është shpërqendruar nga vërejtjet amerikane, duke thënë se “Flota juaj në Mesdhe... nuk do të na frikësojë”.

Lufta me Hezbollahun do të ishte më e rrezikshme si për Izraelin ashtu dhe Libanin. Hezbollahu është më i fuqishëm se Hamasi dhe llogaritet se ka arsenal me 150 mijë raketa, disa prej tyre me kapacitet për të sulmuar në territoret më të thella në Izrael.

Izraeli ka kërcënuar se do të sulmojë Libanin nëse nis lufta e plotë. Në këtë luftë do të rrezikonte të përfshihej Irani që përkrah Hamasin dhe Hezbollahun.

Gaza e shkatërruar

Më shumë se 9 mijë e 200 palestinezë janë vrarë në Gaza deri më tani, shumica gra dhe të mitur, ndërkaq më shumë se 23 mijë të tjerë janë plagosur, ka raportuar Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Nga sulmet e Hamasit në Izrael janë vrarë 1 mijë e 400 persona, shumica civilë. 240 të tjerë janë marrë peng.

24 ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza qëkur ka nisur operacioni tokësor. Nga fillimi i luftës, shtatë ushtarë izraelitë janë vrarë në incidente të ndara në kufirin mes Izraelit dhe Libanit.

Vizita e Blinkenit

Siç kanë bërë zyrtarët e tjerë amerikanë më parë, Bideni ka përsëritur përkrahjen për Izraelin dhe të drejtën e vet që të mbrohet.

“Ne qëndrojmë fuqishëm ndaj asaj se Izraeli jo vetëm që ka të drejtë, por obligim që ta mbrojë veten dhe të sigurohet se nuk do të ndodhë më 7 tetori”, ka thënë Blinkeni, i cili pritet të udhëtojë drejt Jordanisë. Ai ka përcjellë këshillën e presidentit Joe Biden që të ketë pauzë humanitare në luftime. Qëllimi është që të mundësohet ndihma për palestinezët dhe ata që kanë pasaporta të huaja të mund të largohen nga Gaza.

Rreth 800 persona janë larguar nga Gaza në dy ditët e fundit – hera e parë që njerëzit kanë mundur të largohen nga territori i rrethuar.

Blinkeni fillimisht ka biseduar me Netanyahun prapa dyerve të mbyllura para se të niste bisedimet e gjera me të dhe kabinetin e tij dhe pastaj u takua edhe me presidentin Isaac Herzog.

Më shumë se 3 mijë e 700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditë luftime. Nga bombardimet janë larguar më shumë se gjysma e 2.3 milionë palestinezëve në Gaza. Shkaku i rrethimit të plotë nga Izraeli, palestinezëve që nuk janë larguar, po u shpenzohet ushqimi dhe uji.

Izraeli ka lejuar 260 kamionë me ushqim dhe ilaçe në Gaza, por punëtorët vullnetarë kanë thënë se nuk janë të mjaftueshëm. Izraeli nuk ka lejuar futjen e derivateve të naftës, duke thënë se Hamasi do ta shfrytëzojë për funksionimin e rregullt të tuneleve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja nuk është duke bërë thirrje për armëpushim të përgjithshëm, por për pauzë të lokalizuar dhe të përkohshme.

Izraeli nuk ka reaguar hapur ndaj këshillës së Bidenit. Por Netanyahu, i cili edhe më parë ka përjashtuar mundësinë e armëpushimit ka thënë se “ne jemi duke avancuar... asgjë nuk do të na ndalë”. Ka premtuar se do të shkatërrojë regjimin e Hamasit.

Izraeli dhe SHBA-ja me gjasë nuk kanë plan të qartë për atë që do të ndodhë më pas nëse rrëzohet regjimi i Hamasit në Gaza – çështje kyçe e agjendës së Blinkenit gjatë vizitës.

Përktheu: Gent Mehmeti