Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Jam i vdekur që ende ecën”: Emigrantët etiopianë presin ekzekutimin në Arabinë Saudite

denimi me vdekje

Amanueli është një nga dhjetëra emigrantët etiopianë që presin ekzekutimin në Arabinë Saudite, pasi u dënuan për akuza që lidhen me drogën. Në një rrëfim për CNN, ai përshkruan udhëtimin e rrezikshëm drejt mbretërisë saudite, procesin gjyqësor që thotë se ishte i padrejtë dhe jetën në burg, ku çdo trokitje në derën e qelisë mund të jetë njoftimi për ekzekutimin.

Amanueli zgjohet çdo mëngjes pa e ditur nëse ajo do të jetë dita e fundit e jetës së tij. Një trokitje në derën e qelisë mund të nënkuptojë se ka ardhur momenti i ekzekutimit. Nuk ka telefonatë lamtumire, as vakt të fundit. Në Arabinë Saudite, ekzekutimet shpesh kryhen pa asnjë paralajmërim.

“Jam i vdekur që ende ecën”, thotë ai. “Pasi ekzekutuan miqtë e mi, nuk ha më ushqim dhe nuk pi as ujë”.

Amanuel është një emër i ndryshuar për të mbrojtur identitetin e një të riu, i cili prej disa vjetësh ndodhet në burg. CNN-i e ka siguruar rrëfimin e tij brenda burgut Khamis Mushait, në jugperëndim të Arabisë Saudite. Për arsye sigurie, media nuk e publikon identitetin e tij të vërtetë.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, Amanueli është një nga rreth 60 shtetasit etiopianë të dënuar me vdekje për akuza që lidhen me drogën, vetëm në një nga qelitë e burgut Khamis Mushait. Të tjerë të dënuar ndodhen edhe në sektorë të tjerë të këtij burgu.

“Këto nuk janë raste të izoluara”, tha Maya Foa, drejtoreshë ekzekutive e organizatës për të drejtat e njeriut “Reprieve”. “Ekziston një model i qartë i autoriteteve saudite që vënë në shënjestër emigrantët më të pambrojtur. Në shumë raste, ‘faji’ i tyre i vërtetë duket se ka qenë kalimi i kufirit në kërkim të një jete më të mirë”.

Edhe “S’kisha parë njerëz të buzëqeshur derisa mbërrita në Mbretërinë e Bashkuar” Botë 1 j. më parë “S’kisha parë njerëz të buzëqeshur derisa mbërrita në Mbretërinë e Bashkuar”

CNN-i ka biseduar edhe me familjarët e tre burrave të tjerë që ndodhen në pritje të ekzekutimit në Arabinë Saudite për akuza të ngjashme. Të gjithë thanë se për arrestimin dhe dënimin e të afërmve të tyre kishin mësuar vetëm disa javë më vonë, përmes njerëzve të komunitetit ose fjalëve që qarkullonin, dhe jo nga autoritetet saudite apo ato etiopiane.

“Ajo për të cilën lutem dhe që kërkoj nga bota është të ushtrojë presion pozitiv ndaj qeverisë saudite, që ta rishqyrtojë këtë vendim”, tha Selam, motra e njërit prej të dënuarve, e cila përdor gjithashtu një emër të ndryshuar për të mbrojtur familjen. “I lutemi qeverisë saudite të tregojë mëshirë për vëllain tim dhe për të gjithë ata që ndodhen në të njëjtën situatë”.

Sipas të dhënave zyrtare saudite të përpunuara nga organizatat joqeveritare, gjatë vitit të kaluar në Arabinë Saudite u ekzekutuan gjithsej 356 persona, numri më i lartë i regjistruar në historinë e fundit të vendit. Prej tyre, 240 ishin dënuar për vepra penale që lidhen me drogën dhe shumica ishin shtetas të huaj. Për krahasim, në vitin 2023 organizatat monitoruese regjistruan vetëm dy ekzekutime për vepra të tilla gjatë gjithë vitit. Ndërkohë, vetëm gjatë këtij viti numri i personave të ekzekutuar për krime që lidhen me drogën, por që nuk kanë shkaktuar humbje jete, ka arritur në 71, ndërsa etiopianët përbëjnë grupin më të madh të shtetasve të huaj të ekzekutuar.

Taha al-Hajji, një avokat saudit që jeton jashtë vendit dhe mban postin e drejtorit ligjor në Organizatën Evropiane Saudite për të Drejtat e Njeriut, shprehet se ekzistojnë shqetësime serioze për mungesën e një procesi të rregullt ligjor në Arabinë Saudite.

“Gjykimet që përfundojnë me dënim me vdekje në Arabinë Saudite nuk përmbushin as standardet minimale të një procesi të drejtë”, tha ai. “Të pandehurve u mohohet e drejta për mbrojtje ligjore dhe përkthim i përshtatshëm. Si pasojë, shumë emigrantë dënohen me vdekje pa e kuptuar procesin gjyqësor, ndërsa në shumë raste vendimet mbështeten në ‘rrëfime’ të marra nën torturë”.

Në nëntor, CNN-i raportoi edhe për një rast të ngjashëm në burgun Tabuk, ku një peshkatar egjiptian u dënua me vdekje pasi ishte arrestuar me akuzën e kontrabandës së drogës.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, burgu Khamis Mushait, ku mbahet Amanueli, fsheh shumë histori të ngjashme me të tijën.

Një punë që e çoi në dënimin me vdekje

Amanueli thotë se u detyrua të largohej nga rajoni i Tigrayt në Etiopi gjatë pandemisë, në kulmin e luftës civile në vend. Ai kaloi dy vjet i bllokuar në Jemen, përpara se të arrinte të hynte në Arabinë Saudite, ku punoi si bari për rreth tre muaj.

Kur ajo punë përfundoi, punëdhënësi i tij, një shtetas saudit, i ofroi një punë tjetër, transportimin e mallrave nga një vend në tjetrin. Amanueli thotë se nuk dyshoi për asgjë, pasi personat që ia ofruan punën ishin sauditë dhe ai u besoi.

Pak vjet më parë, gjatë një prej këtyre transportimeve, ai u arrestua pasi policia gjeti hashash në automjetin që po drejtonte. “Ne mendonim se po transportonim vetëm disa gjëra të zakonshme”, kujton ai.

Sipas rrëfimit të tij, pas arrestimit u rrah me kabllo elektrike dhe u godit me shqelma në trup. Më pas iu vendosën përpara dokumente në një gjuhë që ai nuk e kuptonte dhe iu kërkua t’i nënshkruante. Ai thotë se nuk pati as avokat dhe as përfaqësues nga Ambasada e Etiopisë në Riad.

Nga tri seancat gjyqësore që u zhvilluan, vetëm në të fundit ishte i pranishëm një përkthyes. Seanca zgjati vetëm pak minuta dhe gjyqtari i komunikoi vendimin: dënim me vdekje. Amanuelit iu tha gjithashtu se nuk kishte të drejtë apelimi.

I persekutuar për besimin e tij

Amanueli, i cili është i krishterë, thotë se nuk mban më kryq në qafë nga frika e persekutimit. Sipas tij, një herë u rrah pikërisht për shkak të besimit të tij. “M’i lidhi duart pas shpine, më rrahu dhe më la për tri orë nën diell”, tregon ai, duke shtuar se sot nuk mund ta praktikojë fare fenë e tij.

Ai rrëfen se katër nga shokët e tij të qelisë kanë tentuar t’i japin fund jetës, por çdo herë të burgosurit e tjerë kanë ndërhyrë dhe i kanë shpëtuar.

Deri tani, autoritetet saudite nuk i janë përgjigjur kërkesës së CNN-it për komentet lidhur me të burgosurit e huaj të dënuar për vepra që lidhen me drogën, kushtet në të cilat mbahen, qasjen e tyre në mbrojtje ligjore dhe numrin e personave të ekzekutuar.

Dy javë më parë, pesë nga shokët e qelisë së Amanuelit u ekzekutuan. “Fillimisht thirrën dy emra, pastaj edhe pesë të tjerë. Dy të parët u kthyen, ndërsa pesë të tjerët nuk u panë më”, rrëfen ai.

Në një deklaratë publike, autoritetet saudite thanë se personat e ekzekutuar “kishin bashkëpunuar për të kontrabanduar hashash në Mbretëri”. Sipas deklaratës, hetimet çuan në ngritjen e akuzave, çështja u shqyrtua nga gjykata kompetente dhe vendimi u bë përfundimtar pasi u shqyrtua në apel dhe u konfirmua nga Gjykata Supreme. Autoritetet shtuan se Mbretëria e Arabisë Saudite mbetet e përkushtuar për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe banorëve nga rreziku i drogës, duke zbatuar dënimet më të rënda të parashikuara nga ligji ndaj personave që kontrabandojnë dhe shpërndajnë lëndë narkotike.

Amanueli tregon se pas ekzekutimit, një roje iu afrua një të burgosuri saudit, i cili ua bëri me shenjë të burgosurve të tjerë duke kaluar gishtin nëpër fyt për t’u treguar se çfarë kishte ndodhur. “Ne u detyruam t’i njoftonim vetë familjet”, thotë ai.

Edhe “Kthehu në vendin tënd”: Migrantët përballen me presion për t’u larguar nga Afrika e Jugut Botë 3 j. më parë “Kthehu në vendin tënd”: Migrantët përballen me presion për t’u larguar nga Afrika e Jugut

Megjithatë, ai nuk ua ka treguar ende prindërve se ndodhet në korridorin e vdekjes. “Nuk dua që ky lajm të jetë ai që do t’i vrasë”, shprehet ai. Vetëm disa të afërm të largët kanë një ide për seriozitetin e situatës së tij dhe, sipas Amanuelit, ai u ka kërkuar vetëm një gjë: “Lutuni për mua”.

Rruga drejt Arabisë Saudite

Historia e Amanuelit ndjek të njëjtën rrugë që përshkojnë çdo vit qindra mijëra emigrantë. Shumica janë etiopianë që largohen nga Briri i Afrikës - një nga rajonet më të varfra në botë, i goditur nga thatësira dhe konfliktet e armatosura - në kërkim të një jete më të mirë dhe punësimit në Arabinë Saudite. Një marrëveshje dypalëshe për punësimin mes Etiopisë dhe Arabisë Saudite ka krijuar mundësi për migrim të ligjshëm, megjithatë shumë prej emigrantëve vazhdojnë ta kalojnë kufirin në mënyrë të parregullt.

“Ky është korridori më i madh migrator në kontinent për nga numri i njerëzve që e përshkojnë”, thotë Ayla Bonfiglio, drejtuese e Qendrës për Migracion të Përzier (Mixed Migration Centre – MMC) për Afrikën Lindore dhe Jugore. Sipas saj, vlerësohet se mbi 100 mijë emigrantë etiopianë hyjnë çdo vit në Arabinë Saudite, ndërsa numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumica e të dhënave mblidhen vetëm nga emigrantët që kalojnë përmes Jemenit.

Edhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e Kombeve të Bashkuara e përshkruan këtë korridor, që kalon përmes Xhibutit dhe më pas me varka përmes Ngushticës Bab el-Mandeb ose Gjirit të Adenit drejt Jemenit, si një nga rrugët më të ngarkuara dhe më të rrezikshme të migrimit në botë.

Udhëtimi është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Sipas Bonfiglios, ata që kanë disa mundësi financiare paguajnë kontrabandistët për t’i transportuar natën me makina ose kamionë përmes Xhibutit. Ndërsa ata që nuk kanë para detyrohen të ecin në këmbë deri në 200-250 kilometra, nën temperatura ekstreme, me shpresën se familjet e tyre do të arrijnë të dërgojnë para për të paguar kontrabandistët në qytetin portual të Obokut përpara se ata të mbërrijnë.

Për shumë emigrantë, mbijetesa gjatë këtij udhëtimi është vetëm fillimi i një kalvari edhe më të vështirë.

Familjet me të cilat foli CNN-i në rajonin e Tigrayt treguan se të afërmit e tyre ishin marrë peng nga grupe të panjohura gjatë kalimit nëpër Jemen. Rrëmbyesit i detyruan familjet të merrnin borxhe për të siguruar lirimin e tyre.

“Ai mbeti i bllokuar dhe ne morëm hua për ta liruar. Ende nuk kemi arritur t’ua kthejmë paratë familjeve që na ndihmuan”, tha një prej të afërmve.

Sipas studiuesit Surafel Getahun, i cili merret me migrimin e parregullt nga Etiopia, shumë emigrantë nuk arrijnë kurrë të dalin nga ky cikël borxhesh. Për të shlyer detyrimet ndaj kontrabandistëve, ata shpesh detyrohen ose manipulohen të transportojnë hashash ose khat drejt Arabisë Saudite. Khat është një bimë me efekt stimulues, e ligjshme në pjesën më të madhe të Afrikës Lindore, por e ndaluar në Arabinë Saudite, një dallim që kontrabandistët e shfrytëzojnë.

“Emigrantët nuk e dinë se khati është i ndaluar në Arabinë Saudite”, thotë Getahun. “Kontrabandistët përfitojnë nga kjo mungesë informacioni dhe i detyrojnë ta transportojnë pa u shpjeguar rrezikun serioz që i pret”. Si pasojë, shumë prej tyre arrestohen.

Në këtë kontekst, Girmachew Adugna, ekspert i migrimit nga Etiopia dhe Briri i Afrikës, vë në pikëpyetje përdorimin e dënimit me vdekje për vepra penale që lidhen me drogën, por që nuk përfshijnë dhunë. Sipas tij, emigrantët etiopianë janë veçanërisht të pambrojtur për shkak të pengesave gjuhësore, mungesës së ndihmës ligjore dhe pretendimeve se disa prej tyre janë detyruar nga trafikantët të transportojnë drogë. Këta faktorë, sipas tij, cenojnë të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor.

Ai shton se dialogu i drejtpërdrejtë mes Etiopisë dhe Arabisë Saudite mund të ndihmojë që emigrantëve etiopianë t’u garantohen një gjykim i drejtë dhe mbrojtje ligjore.

Dy vendet kanë bashkëpunuar edhe më parë në çështjet e migracionit. Midis viteve 2017 dhe 2022, Arabia Saudite deportoi rreth 500 mijë shtetas etiopianë, sipas të dhënave të Ayla Bonfiglios.

Në vitin 2022, qeveritë e dy vendeve ranë dakord të riatdhesonin më shumë se 100 mijë etiopianë që jetonin në Arabinë Saudite pa dokumente të rregullta. Shumë prej tyre ishin mbajtur në qendra ndalimi që organizatat për të drejtat e njeriut i kanë përshkruar si të mbipopulluara dhe me kushte abuzive. Në atë kohë, IOM vlerësonte se në Arabinë Saudite jetonin rreth 750 mijë shtetas etiopianë, prej të cilëve afërsisht 450 mijë kishin hyrë në mënyrë të parregullt.

Për disa nga të burgosurit etiopianë në Arabinë Saudite, çdo shenjë e ndërhyrjes së qeverisë së tyre përfaqëson shpresë dhe mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

Amanueli thotë se muajin e kaluar përfaqësues diplomatikë etiopianë vizituan burgun dhe i premtuan se çështja e tij do të rishqyrtohej. Megjithatë, deri tani qeveria etiopiane nuk e ka kundërshtuar publikisht trajtimin e shtetasve të saj të arrestuar për akuza që lidhen me drogën në Arabinë Saudite.

Ministria e Jashtme e Etiopisë nuk pranoi të komentojë për rastet individuale, duke argumentuar se proceset ligjore janë ende në zhvillim. Në një deklaratë me shkrim, ajo bëri të ditur se mban “komunikim të rregullt dhe angazhim konstruktiv” me autoritetet saudite dhe se 1.971 shtetas etiopianë kanë përfituar nga faljet mbretërore, pa sqaruar nëse mes tyre kishte edhe persona të dënuar me vdekje për vepra që lidhen me drogën.

Në një deklaratë tjetër të publikuar të hënën e kësaj jave, ministria tha se do të vazhdojë të përdorë “të gjitha kanalet diplomatike dhe konsullore në dispozicion” për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e shtetasve etiopianë jashtë vendit, duke vijuar njëkohësisht dialogun me autoritetet saudite për çështjet e pazgjidhura.

Edhe Rrëfime tronditëse nga Sudani: dhunë seksuale dhe rrëmbime gjatë luftës Botë 1 muaj më parë Rrëfime tronditëse nga Sudani: dhunë seksuale dhe rrëmbime gjatë luftës

Autoritetet saudite, ndërkohë, nuk i janë përgjigjur ende kërkesës së CNN-it për koment.

Për momentin, Amanueli thotë se gjithçka që mund të bëjë është të presë trokitjen në derën e qelisë, për të cilën beson se mund të vijë në çdo çast. “Nuk e di saktësisht se kur do të ndodhë. Mund të jetë edhe nesër. Sa herë dëgjoj trokitje, mendoj se ka ardhur radha ime”, përfundon ai.