Ambasadorja norvegjeze, Mona Juul, e cila ishte e përfshirë në përpjekjet për paqe izraelito-palestineze në vitet 1990 dhe që së fundmi kishte shërbyer në Jordani, ka dhënë dorëheqjen, ndërsa përballet me shqyrtim për kontaktet e saj me Jeffrey Epstein, ka njoftuar ministria e Jashtme e Norvegjisë.
Ministria ka bërë të ditur dorëheqjen e Juul të dielën në mbrëmje, disa ditë pasi ajo ishte pezulluar nga detyra si ambasadore e Norvegjisë në Jordani.
Ky vendim pasoi raportimet se Epstein u kishte lënë fëmijëve të Juul dhe bashkëshortit të saj, Terje Rod-Larsen, 10 milionë dollarë, në një testament të lënë pak para se ai të vdiste në një burg të New Yorkut në vitin 2019.
Ministri i Jashtëm, Espen Barth Eide, ka thënë se vendimi i Juul ishte “i drejtë dhe i nevojshëm”.
Kontakti i saj me të dënuarin për abuzim seksual tregonte një “gabim serioz në gjykim”, ka thënë ai, duke shtuar se “rasti e bën të vështirë rikthimin e besimit që kërkon ky rol”.
Hetimi i ministrisë mbi dijeninë dhe kontaktet e Juul me Epstein do të vazhdojë, dhe Juul do të vijojë diskutimet me ministrinë “në mënyrë që çështja të sqarohet”, ka deklaruar Eide.
Ministria ka njoftuar gjithashtu se ka nisur rishikimin e financimit dhe kontakteve të saj me Institutin Ndërkombëtar të Paqes, një institut kërkimor me bazë në New York, gjatë periudhës kur ai drejtohej nga Rod-Larsen.
Rod-Larsen dhe Juul ishin ndër personat e përfshirë në lehtësimin e Marrëveshjeve historike të Oslos, që synonin zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez në vitet 1990.
Juul ka thënë në një deklaratë për agjencinë norvegjeze të lajmeve NTB javën e kaluar se kontakti i saj me Epstein buronte nga marrëdhënia e bashkëshortit të saj me Epstein dhe se ajo nuk kishte pasur një marrëdhënie të pavarur shoqërore apo profesionale me të.
Ajo ka thënë se kontaktet e saj me Epsteinin kishin qenë sporadike dhe private, jo pjesë e detyrave të saj zyrtare, por e ka pranuar se duhej të kishte qenë shumë më e kujdesshme.
Miliona dosje të publikuara së fundmi për Epstein ka hedhur vëmendje të pakëndshme mbi disa figura të shquara norvegjeze.
Princesha e Kurorës Mette-Marit të premten ka kërkuar falje pasi dokumentet ofruan më shumë detaje mbi marrëdhënien e saj me Epstein.
Njësia e krimeve ekonomike të vendit ka hapur një hetim për korrupsion ndaj ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland - i cili dikur drejtoi edhe komitetin që ndan Çmimin Nobel për Paqen, për lidhjet e tij me Epstein.