Kancelari austriak do të takohet me diktatorin rus të hënën. Kjo është vizita e parë e një politikani europian në Moskë pas agresionit rus kundër Ukrainës. Opinionet në Perëndim janë të ndryshme lidhur me këtë vizitë. Austria mban lidhje të ngushta dhe jokritike me regjimin e Putinit prej vitesh. Pak muaj pas aneksimit të Krimesë Putin e pati vizituar Austrinë më 2014 dhe qe pritur krahëhapur nga politikanët e Vjenës. Austria ishte vendi i parë në BE që ia hapi dyert Putinit atëbotë. Vizita e tanishme gjithsesi do të jetë një rast për Putinin për t’u shfaqur para opinionit botëror si burrështetas. Dhe këtë mundësi po ia ofron kancelari austriak, thonë kritikët e tij.
Kancelari i Austrisë Karl Nehammer është nisur të dielën në mbrëmje për në Moskë. Të hënën në orën 15:00 ai do të takohet me Vlladimir Putinin në Kremlin. Pala austriake tha se vizita është bërë pas marrëveshjes me kancelarin gjerman, me kryetaren e Komisionit Europian, me kryetarin e Këshillit Europian, me presidentin turk dhe krerë të tjerë politikë. Edhe presidenti ukrainas është informuar, sipas austriakëve.
Kancelari Nehammer vizitoi të shtunën Kievin, ku u takua me kryetarin e Ukrainës, Vollodimir Zelenski. Nehammer do të jetë politikani i parë i nivelit të lartë nga vendet e BE-së që takon Putinin pas agresionit të tij kundër Ukrainës.
Një gazetar i njohur austriak (Florian Klenk) shkroi në Twitter se shanset që Nehammer të arrijë diçka te Putini janë 0,001 për qind, por së paku, shton gazetari, Nehammer nuk do të bie në gjunjë para Putinit (një aludim në një ish-ministre të jashtme austriake e cila e pati ftuar Putinin në dasmën e saj dhe pati vallëzuar me të dhe dikur edhe qe gjunjëzuar para tij). Klenk mendon se duke pasur parasysh vrasjet në Ukrainë vizita ia vlen.
Paul Ronzheimer, gazetar i gazetës gjermane BILD, i cili prej javësh është duke raportuar nga Kievi, shkroi në Twitter se kancelari austriak po shkon në Moskë për t’ia tundur dorën një krimineli të luftës.
Në disa media austriake fjalët krime lufte të Rusisë po shkruhen në thonjëza dhe kështu po aludohet se akuzat tani për tani janë vetëm të Ukrainës, sepse, gjoja, nuk dihet nëse krimet i kanë kryer ushtarët rusë. Për reporterë të tjerë perëndimorë që kanë qenë në vendet e krimeve ruse në Ukrainë nuk ka dilemë se krimet e luftë si ka kryer ushtria ruse.
Austria mban lidhje të ngushta dhe jokritike me regjimin e Putinit prej vitesh. Pak muaj pas aneksimit të Krimesë Putin e pati vizituar Austrinë më 2014 dhe qe pritur krahëhapur nga politikanët e Vjenës.
Sipas gazetës gjermane BILD një diplomat i BE-së ka thënë se vizita e Nehammer në Moskë po duket si një shou për relacione publike. Ndërsa po kjo gazetë citon një diploamt ukrainas, i cili deklaroi: “Çfarë mbivlerësimi i vetes nga ana e kancelarit austriak, i cili seriozisht beson se ka kuptim një vizitë në momentin e tanishëm pasi Putini ka treguar se çfarë krimineli brutal i luftës është”. Vizita gjithsesi do të jetë një rast për Putinin për t’u shfaqur para opinionit botëror si burrështetas. Dhe këtë mundësi po ia ofron kancelari austriak, thonë kritikët e tij.