Miguel Uribe Turbay, kandidati konservator për president të Kolumbisë, vazhdon të jetë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore, dhjetë ditë pas atentatit që e la të plagosur rëndë në kokë.
Sipas njoftimit të spitalit “Santa Fe” në Bogota, Uribe i është nënshtruar një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale për të ndalur gjakderdhjen në tru. Mjekët e kanë përshkruar gjendjen e tij si “jashtëzakonisht kritike”, ndërsa familjarët kanë bërë thirrje për lutje dhe përkrahje.
“Orët pas operacionit janë vendimtare. Miguel vazhdon të luftojë për jetën si kurrë më parë. Është dashuria dhe mbështetja që po e mban gjallë”, ka thënë bashkëshortja e tij, Maria Claudia Tarazona, para spitalit.
39-vjeçari Uribe, senator dhe pretendenti kryesor për t’u nominuar si kandidat për president nga partia e tij në zgjedhjet e vitit 2026, u qëllua tri herë gjatë një aktiviteti në kryeqytetin Bogota më 7 qershor. Sulmi ka tronditur opinionin në Kolumbi, duke nxitur mijëra qytetarë të dalin në protesta të heshtura nëpër qytete të ndryshme të vendit.
Një 15-vjeçar është arrestuar si i dyshuar kryesor, ndërsa ai ka mohuar akuzat për tentim-vrasje. Policia ka ndaluar gjithashtu një burrë të dyshuar për sigurimin e armës dhe një grua që dyshohet se ka ofruar mbështetje logjistike për sulmin.
Hetimet vazhdojnë për të zbuluar motivin dhe autorët e mundshëm që qëndrojnë prapa këtij atentati politik.
Pamje nga atentati:
🇨🇴⚠️Opositores a #MiguelUribeTurbay ha pretendido manejar la teoría de un autoatentado…
Aquí se ve claramente el momento en que el sicario de 15 años le dispara al aspirante a la presidencia y como momentos antes estaba en coordinación combina señora mayor.
¿Qué opinas?… pic.twitter.com/SGtM1elR8g
Miguel Uribe është djali i gazetares së ndjerë Diana Turbay, e cila ishte rrëmbyer më 1990 nga grupi famëkeq “Los Extraditables” (“Të Ekstradueshmit”) – aleancë e baronëve të drogës që luftonte kundër ekstradimit në SHBA. Udhëhiqej nga Pablo Escobar. Ajo u vra gjatë një aksioni të dështuar për shpëtimin e saj, ngjarje që shpesh është përmendur nga Uribe si arsyeja kryesore që e shtyu të hyjë në politikë.
“Unë dua të punoj për vendin tonë, siç do të kishte dashur nëna ime”, ka deklaruar më herët Uribe.
Sipas sondazheve të përgjithshme, Uribe ka 13% mbështetje në nivel nacional – dhe renditet në vendin e tretë pas Vicky Davila (28.9%) dhe German Vargas Lleras (22.1%).