Botë

Katër të vdekur në sulmin në kishën në Michigan

Kisha në Grand Blanc në Michigan, duke u djegur

Të paktën katër persona janë vrarë dhe tetë tjerë janë plagosur, në sulmin e armatosur në një kishë në Michigan, raporton “BBC”. 

Zyrtarët thanë se sulmi ndodhi të dielën në Kishën e Jezus Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Grand Blanc, një qytet rreth 100 kilometra në veriperëndim të Detroit, ndërsa po merrnin pjesë qindra persona në meshë. 

I dyshuari, i identifikuar si Thomas Jacob Sanford (40), u qëllua për vdekje në parkingun e kishës pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Sipas hetimeve fillestare, thuhet se ai përplasi veturën në derën e kishës, e më pas shtiu me automatik në drejtim të pranishmëve. Ai po ashtu i kishte vënë zjarrin kishës. 

Motivi mbetet ende i paqartë. 

Dy viktima vdiqën nga plagët nga arma e zjarrit, ka thënë shefi i policisë i qarkut të Grand Blanc, William Renye, në konferencë për media. 

Ai tregoi më vonë se dy persona të tjerë ishin gjetur të vdekur në kishë dhe vazhdojnë kërkimet për të tjerë. Sulmi ndodhi rreth orës 10:25 me kohë lokale.