Botë

Kërcënimi i demokracisë nga ekstremizmi i Trumpit

Joe Biden

Në një fjalim në Arizona për nisjen e ndërtimit të bibliotekës që do të ketë emrin e senatorit të ndjerë John McCain, presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se demokracia amerikane është nën kërcënim nga lëvizja ekstreme e Donald Trumpit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë një prej paralajmërimeve më të mëdha se Donald Trumpi dhe aleatët e tij janë kërcënim për demokracinë amerikane.

Bideni ka thënë se ish-presidenti më shumë është i interesuar për pushtet personal sesa për mbajtjen e vlerave bazë të shtetit amerikan dhe se për këtë bashkëfajtorë ka bërë shumë republikanë.

Gjatë fjalimit në Arizona, pasi mori pjesë në nisjen e punimeve për bibliotekën në emër të senatorit të ndjerë republikan, John McCain, Bideni ka thënë se lëvizja “T’ia kthejmë namin Amerikës” e Trumpit është kërcënim ekzistencial për sistemin politik të SHBA-së.

“Ka diçka të rrezikshme që po ndodh tani në Amerikë. Është lëvizja ekstremiste që nuk ka besimet bazë në demokracinë tonë. Lëvizja e MAGA. Jo krejt republikanët, as shumica e republikanëve nuk mbështesin ideologjinë ekstremiste. E di sepse kam punuar me republikanët në krejt karrierën. Agjenda e tyre ekstremiste, nëse vazhdon, do të ndalë institucionet e demokracisë amerikane siç i njohim. Ata nuk po i fshehin sulmet. Ata po i promovojnë hapur”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Bideni ka nisur këto kritika para zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Përqendrimi i Bidenit reflekton statusin e Trumpit si prijës i padiskutueshëm për nominim presidencial nga republikanët.

“Demokracia do të thotë sundimi nga njerëzit, jo i monarkëve, sundimi i parave apo i të plotfuqishmit. Pavarësisht partisë, kjo do të thotë respektim i zgjedhjeve të lira dhe fer, duke pranuar rezultatin, fitore apo humbje. Do të thotë se nuk mund ta duash shtetin vetëm kur fitoni”, ka thënë presidenti amerikan.

Fjalimi i Bidenit në Arizona ishte i katërti në të cilin flet për kërcënimin e demokracisë, temë që është e rëndësishme për të teksa po bën përpjekje për mandatin e dytë, ani pse ka shqetësime nga votuesit për moshën e tij. Bideni sivjet mbush 80-vjet.

Republikanët që janë në garë me Trumpin për nominimin partiak nuk kanë bërë përpjekje ta sfidojnë për qëndrimet e tij të rrejshme për zgjedhjet e vitit 2020 dhe Bideni ka thënë se votuesit nuk bën që t’i lënë ta shmangin këtë temë.

Bideni ka bërë përpjekje të ndërrojë narrativen politike kah sulmet që i ka përdorur vazhdimisht para zgjedhjeve të mesmandatit kur demokratët morën kontrollin e Senatit, por për pak humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Si në fjalimet e mëparshme edhe ai i së enjtes ishte zgjedhur për shkak të vendondodhjes. Ishte afër Universitetit shtetëror të Arizonas, në të cilin është Instituti McCain, që krejt karrierën ia ka kushtuar kritikave ndaj autokratëve nëpër botë.

Presidenti Biden ka thënë se “nuk ka dyshime se Partia Republikane e ditëve të sotme nxitet dhe poshtërohet nga ekstremistët e ‘T’ia kthejmë namin Amerikës’ [MAGA]”.

Përktheu: Gent Mehmeti