Që prej fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, komuniteti hebraik në shtetet evropiane po jeton në frikë për shkak të protestave propalestineze që janë mbajtur në disa prej tyre. Hebrenjtë në Gjermani janë ankuar se u është ndaluar përditshmëria qëkur ka nisur lufta në Gazë
Gjermania po përballet me ngritje të incidenteve antisemite pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit që ka nisur në muajin tetor. Ani pse nuk ka krahasime me pogromet e para 85 vjetëve, të cilat ishin të sponsorizuara nga shteti nazist, shumica e hebrenjve janë duke jetuar në frikë në Gjermani dhe shtete të tjera evropiane.
Ata janë duke fshehur identitetin e tyre në publik dhe kanë shmangur lagjet në të cilat pati protesta propalestineze.
Qeveria e Gjermanisë ka qenë përkrahëse e madhe e Izraelit. Presidenti gjerman, Frank Walter Shteinmeier, dhe liderët e tjerë vazhdimisht kanë premtuar se do të mbrojnë komunitetin hebraik në Evropë.
Mirëpo Anna Segal, menaxhere e komunitetit hebraik në Berlin, e cila është sulmuar gjatë muajit të kaluar, ka thënë se nuk është bërë mjaftueshëm në mbrojtjen e hebrenjve në Gjermani.
“Ne jemi të shqetësuar. Kemi shumë frikë me të cilën po përballemi. Gjithashtu na është ndaluar jeta e përditshme, e cila sjell sfida, por gjithashtu ka ndikuar edhe në gjendjen emocionale, sepse shpejt pyesni veten: çfarë mund të presim këtë? Dhe nëse ne fshihemi nga jeta e përditshme, ku do të na shpjerë kjo?”, ka thënë Segal.
Ajo ka thënë se 450 anëtarët e komunitetit janë në frikë se mund të frikësohen dhe se autoritetet gjermane nuk do të reagojnë siç duhet në kërkesat e tyre për siguri.
“Kemi shumë ndalesa, si për komunitetin ashtu edhe për shkollat e fëmijëve tanë. Për shembull, janë anuluar të gjitha ekskursionet. Nuk mund të dalim më jashtë. Gjithashtu nuk ka sport ose not, nuk ka ecje nëpër parqe, të cilat i kemi bërë çdo ditë”, ka thënë Segal.
Një muaj bombardimesh të pamëshirshme në Gazë ka lënë 10 mijë e 800 palestinezë të vrarë, shumica gra dhe të mitur.
Presidenti gjerman ka deklaruar se nuk do të tolerohet antisemitizmi.
“Ju siguroj se ky shtet nuk do të pushojë për sigurinë tuaj dhe të fëmijëve. Nuk do të tolerojmë antisemitizmin në shtetin tonë, as të vjetrin, as të riun, as të krishterin, as myslimanin, as të majtën, as të djathtën”, ka thënë presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier.
Mirëpo ka pasur kritika se mesazhet nga qeveria janë duke ngjallur ndjenjën kundër myslimanëve. Debati për pozicionimin gjerman në politikën e jashtme do të zgjatet aq sa konflikti mes Izraelit dhe Hamasit.
Zyrtarët e Izraelit kanë thënë se mijëra militantë palestinezë janë vrarë dhe për vrasjen e civilëve kanë fajësuar Hamasin, duke thënë se po operon nga zonat e banuara dhe se po përdor civilët si mburojë njerëzore.