Botë

Koreja e Jugut lëshon të shtëna paralajmëruese ndaj trupave të Koresë së Veriut që kaluan kufirin

koreja

Autoritetet e Koresë së Jugut kanë konfirmuar të shtunën se kanë lëshuar të shtëna paralajmëruese ndaj ushtarëve të Koresë së Veriut, që e kishin kaluar kufirin e fortifikuar mes dy vendeve më herët gjatë javës, ka raportuar BBC.

Media shtetërore e Koresë së Veriut i ka vlerësuar të shtënat si “provokim të qëllimshëm”, teksa Pheniani zyrtar e ka akuzuar Seulin për “eskalim të tensioneve”.

Incidenti është bërë i ditur në të njëjtën ditë kur presidenti i ri i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka shkuar për vizitë zyrtare në Japoni dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në javët e fundit, udhëheqësia e Koresë së Veriut i ka hedhur poshtë përpjekjet e Qeverisë së Lees për pajtim, duke i cilësuar ato si të kota dhe të pandershme.

Bazuar në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut (JCS), disa trupa ushtarake të Koresë së Veriut, e kishin kaluar të martën vijën e demarkacionit mes të dyja vendeve rreth orës 15:00 (me kohën lokale të Koresë).

Sipas JCS-së, ushtarët verikoreanë më pas ishin tërhequr në anën veriore të vijës kufitare.
Pheniani zyrtar i ka injoruar nismat diplomatike të presidentit të sapozgjedhur jugkorean, Lee Jae Myung, i cili kishte premtuar normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja Koreve gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Të dyja Koretë janë të ndara që nga përfundimi i Luftës Koreane në vitin 1953.