Koreja e Veriut ka ndërtuar një bazë ushtarake sekrete pranë kufirit të saj me Kinën, e cila mund të strehojë raketat balistike më të reja me rreze të gjatë veprimi të Phenianit, sipas një studimi të ri.
Baza operative e raketave Sinpung-dong "e padeklaruar" ndodhet rreth 27 km nga kufiri kinez, ka thënë në një raport të publikuar të mërkurën organizata me seli në Uashington, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), raporton The Guardian.
Objekti në provincën Pyongan të Veriut ka të ngjarë të mund të strehojë gjashtë deri në nëntë raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) me kapacitet bërthamor, dhe po ashtu lëshuesit e tyre, ka thënë CSIS.
Sipas saj, armët "përbëjnë një kërcënim potencial bërthamor për Azinë Lindore dhe Shtetet e Bashkuara kontinentale".
Koreja e Veriut ka rritur programin e saj të armëve bërthamore që nga një samit i dështuar me Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, teksa udhëheqësi Kim Jong-un kohët e fundit ka bërë thirrje për "zgjerimin e shpejtë" të aftësisë bërthamore të vendit të izoluar diplomatikisht.
Raporti thotë se baza është një nga rreth “15-20 bazat e raketave balistike, të mirëmbajtjes, mbështetjes, ruajtjes së raketave dhe objekteve të ruajtjes së kokave bërthamore të cilat Koreja e Veriut nuk i ka deklaruar kurrë”.
Studimi tjotë se objekti “nuk dihet nëse ka qenë subjekt i ndonjë negociate për denuklearizim të zhvilluar më parë midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut”.
Duke cituar vlerësimet aktuale të analistëve të tyre, CSIS-i ka thënë se lëshuar dhe raketat mund të largohen nga baza në kohë krize ose lufte,, të lidhen me njësi speciale dhe të kryejnë lëshime të cilat mund të jenë vështirë për t’u zbuluar nga pjesë të tjera të vendit.
Samiti i Kim Jong-un në vitin 2019 me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Hanoi të Vietnamit nuk kishte pasur rezultat të mirë sepse të dy palët nuk ishin pajtuar për atë që Pheniani do të pranonte në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Që atëherë, Koreja e Veriut ka thënë vazhdimisht se nuk do të heqë dorë kurrë nga armët e saj dhe e ka shpallur veten një shtet bërthamor “të pakthyeshëm”.
Dhe pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Pheniani është afruar më shumë me Moskën.