Kremlini ka minimizuar zërat për një samit të afërt midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas thirrjes së presidentit amerikan, Donald Trump që të dy udhëheqësit të takohen për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Nxitja për një takim dypalësh vjen pasi presidenti amerikan u takua me Putinin në Alaska javën e kaluar dhe mirëpriti shtatë udhëheqës evropianë dhe Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Trumpi pranoi se konflikti ishte "i vështirë" për t'u zgjidhur dhe pranoi se ishte e mundur që presidenti rus të mos ishte i interesuar të përfundonte armiqësitë.
"Do të mësojmë për presidentin Putin në dy javët e ardhshme", ka thënë ai të martën. "Është e mundur që ai të mos dëshirojë të bëjë një marrëveshje".
Putini përballet me një "situatë të vështirë" nëse do të jetë kështu, ka shtuar Trumpi, pa ofruar asnjë detaj.
Trumpi ka sugjeruar se "do të ishte më mirë" nëse Putini dhe Zelensky do të takoheshin pa të, në një intervistë me prezantuesin konservator të emisionit radiofonik Mark Levin vonë të martën në mbrëmje.
Ai ka shtuar se do të merrte pjesë në një takim me të dy udhëheqësit "nëse është e nevojshme", por donte të "shihte se çfarë ndodh".
Presidenti rus i ka thënë Trumpit të hënën se ishte "i hapur" për idenë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Ukrainën, por të nesërmen ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov sikur e ka minimizuar mundësinë.
“Çdo takim do të duhej të përgatitej gradualisht... duke filluar me nivelin e ekspertëve dhe më pas duke kaluar nëpër të gjitha hapat e kërkuar", ka thënë ai, duke përsëritur një frazë të shpeshtë të Kremlinit.
Dmitry Polyanskiy, një zëvendëspërfaqësues rus në OKB, i ka thënë BBC-së se "askush nuk e kishte refuzuar" mundësinë për bisedime të drejtpërdrejta, "por nuk duhet të jetë një takim për hir të një takimi".
Ndërkohë, shefat ushtarakë të NATO-s pritet të zhvillojnë një takim virtual të mërkurën, ndërsa shefi ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar, Admirali Tony Radakin, po udhëton për në Uashington për diskutime mbi vendosjen e një force sigurie në Ukrainë.
Të martën është raportuar se Putini i kishte sugjeruar Trumpit që Zelensky mund të udhëtonte për në Moskë për bisedime, diçka që Ukraina nuk ka gjasa ta pranojë.
Propozimi mund të ketë qenë mënyra e Rusisë për të paraqitur një opsion aq të paarritshëm sa Kievi nuk do të kishte mundur ta pranonte.
Trumpi thotë se SHBA-ja mund të ofrojë mbështetje ajrore për Ukrainën
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përjashtuar të martën vendosjen e trupave amerikane në tokë në Ukrainë, por ka shtuar se Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje ajrore si pjesë e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në vend.
Një ditë pasi Trumpi premtoi garanci sigurie për të ndihmuar në përfundimin e luftës në një samit të jashtëzakonshëm në Shtëpinë e Bardhë, rruga drejt paqes mbeti e pasigurt teksa SHBA-ja dhe aleatët u përgatitën të përcaktonin se çfarë mund të përfshinte mbështetja ushtarake për Ukrainën.
"Kur bëhet fjalë për sigurinë, evropianët janë të gatshëm të dërgojnë njerëz në tokë. Ne jemi të gatshëm t'i ndihmojmë ata me gjëra, veçanërisht, ndoshta ... nga ajri”, ka thënë Trumpi në një intervistë për programin "Fox & Friends" të Fox News.
Disa orë pas takimeve të Zelenskyt në Uashington, Rusia ka nisur sulmin e saj më të madh ajror në më shumë se një muaj në Ukrainë, me 270 dronë dhe 10 raketa të lëshuara, ka njoftuar forca ajrore ukrainase, raporton Reuters.
Ministria e Energjisë ka thënë se sulmet shkaktuan zjarre të mëdha në objektet e energjisë në rajonin qendror të Poltavas, ku ndodhet rafineria e vetme e naftës në Ukrainë.
Trumpi e ka pranuar se presidenti rus, Vladimir Putin mund të mos dëshirojë të bëjë një marrëveshje në fund të fundit, duke thënë: "Do ta mësojmë për presidentin Putin në dy javët e ardhshme".
Natyra e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën sipas një marrëveshjeje paqeje ishte e paqartë.
Mbështetja ajrore mund të marrë shumë forma, të tilla si sisteme mbrojtëse nga raketat ose avionë luftarakë që kontrollojnë një zonë ndalim-fluturimi.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka konfirmuar se mbështetja ajrore amerikane ishte "një opsion dhe një mundësi", por, ashtu si Trumpi, as ajo nuk ka dhënë asnjë detaj.
"Presidenti ka deklaruar përfundimisht se çizmet amerikane nuk do të jenë në terren në Ukrainë, por ne sigurisht që mund të ndihmojmë në koordinim dhe ndoshta të ofrojmë mjete të tjera garancish sigurie për aleatët tanë evropianë", ka thënë ajo në një konferencë për shtyp.
Para samitit të së hënës në Uashington, Rusia, e cila shpesh ka thënë se është dakord me idenë e garancive të sigurisë për Kievin, përsëriti qëndrimin e saj të hershëm se "kategorikisht" refuzon "çdo skenar që përfshin vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë".
Analistët thonë se më shumë se 1 milion njerëz janë vrarë ose plagosur në konflikt, i cili filloi me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Pse Putini nuk është dhe mund të mos jetë kurrë gati të takohet me Zelenskyn
Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë të hënën mbi hapin tjetër - një takim dypalësh midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky - dukej si diçka e arritur në mënyrë unanime. Pastaj erdhi përgjigja ruse.
"U diskutua ideja se do të ishte e përshtatshme të studiohej mundësia e rritjes së nivelit të përfaqësuesve të palëve ruse dhe ukrainase", ka thënë ndihmësi i Kremlinit Yury Ushakov, duke informuar gazetarët mbi telefonatën e presidentit të SHBA-së Donald Trump me Putinin.
Asnjë përmendje e asnjërit udhëheqës me emër, apo ndonjë tregues se "përfaqësuesit" mund të ngriheshin në atë nivel.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka shprehur një ton më pajtues në një intervistë televizive shtetërore më vonë të martën. Por ai ka thënë se duhet të ketë përgatitje të mëdha për takim të nivelit të lartë.
"Ne nuk refuzojmë asnjë formë pune - as dypalëshe as trepalëshe. Çdo kontakt që përfshin zyrtarë të lartë duhet të përgatitet me kujdesin më të madh”, është shprehur Lavrov.
Në gjuhën e Kremlinit, kjo do të thotë se ata nuk janë aspak gati të bien dakord për këtë.
Dhe kjo nuk duhet të jetë surprizë.
Kjo është një luftë që Putini e filloi duke njohur në mënyrë të njëanshme një pjesë të tokës ukrainase (republikat e vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Luhanskut) si të pavarura. Ai ka argumentuar se Ukraina është “një pjesë e patjetërsueshme e historisë, kulturës dhe hapësirës shpirtërore (të Rusisë)” dhe ndarja e saj nga Rusia është një gabim historik.
Pra, nëse ky takim ndodh, siç e thotë Orysia Lutsevich, drejtoresha e programit të Rusisë dhe Euroazisë në "Chatham House", Putini "do të duhet të pranojë dështimin e të ulurit me një president që ai e konsideron si shaka nga një vend që nuk ekziston".
Gjithashtu, argumentoi ajo, do të ishte një ndryshim i madh në ton që do të ishte e vështirë t'i shpjegohej popullit rus.
"Putini u ka shpërlarë trurin kaq shumë rusëve duke thënë se Zelensky është nazist, se Ukraina është një shtet kukull i Perëndimit... se Zelensky është i paligjshëm, atëherë pse po flet papritmas me të?", është shprehur ajo.
Kremlini jo vetëm që vë në dyshim rregullisht legjitimitetin e udhëheqësit ukrainas, duke u fiksuar te shtyrja e zgjedhjeve në Ukrainë, e paligjshme sipas ligjit ushtarak, por në memorandumin e tij të fundit "paqeje" kërkon që Ukraina të mbajë zgjedhje para se të nënshkruhet ndonjë traktat përfundimtar paqeje.
Putini dhe zyrtarë të tjerë rusë rrallë i referohen Zelenskyt me emër, duke preferuar në vend të kësaj nofkën e ashpër "regjimi i Kievit". Nuk duhet harruar që ishte Zelensky ai që udhëtoi për në Turqi për bisedimet e para të drejtpërdrejta midis dy palëve në mesin e majit, por që Putini ka dërguar një delegacion të kryesuar nga një shkrimtar i librave shkollorë historikë.
Shtëpia e Bardhë thotë se planet e takimit Putin-Zelensky janë “në proces” pas takimeve të Trumpit.
Tatiana Stanovaya, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën Carnegie Rusia Eurasia dhe themeluese e R.Politik, e cila ofron lajme dhe analiza mbi Rusinë, argumenton se ndërsa Putini nuk e sheh një takim me Zelenskyn si kritik në një luftë që për Rusinë ka më shumë të bëjë me përballjen me Perëndimin sesa me Ukrainën, ai prapëseprapë mund ta pranojë takimin nëse mendon se do të ketë sukses.
"Kërkesat kryesore duhet të jenë në tryezë dhe Zelensky duhet të jetë në rregull të flasë për këtë”, i ka thënë ajo CNN-it në një intervistë të martën.
Deri më tani Zelensky i ka përjashtuar ato kërkesa kryesore, të cilat përfshijnë heqjen dorë nga territori që Ukraina ende kontrollon. Por Putini, argumentoi ajo, e sheh Trumpin si çelësin për ta ndryshuar këtë.
“Trumpi shihet si një mundësues i vizionit rus për zgjidhjen dhe për këtë Shtetet e Bashkuara supozohet të punojnë me Kievin për t'i nxitur ata të jenë më fleksibël, të jenë më të hapur ndaj kërkesave ruse”, ka shtuar ajo.
Stanovaya sugjeroi që Rusia mund të përpiqet ta mbajë SHBA-në në anën e saj duke bërë atë që sugjeroi Ushakov dhe duke sugjeruar një rund të ri bisedimesh në Stamboll, por me një delegacion të nivelit më të lartë, ndoshta duke përfshirë vetë Ushakovin dhe ministrin e jashtëm Lavrov. Por ai nuk do të rrezikojë një "pritë" duke u ulur me Zelenskyn dhe të përballet me refuzim të të gjitha kërkesave të tij.
Trumpi e përfundoi ditën e tij të hënën duke postuar në Truth Social se ai "filloi përgatitjet për një takim ... midis presidentit Putin dhe presidentit Zelensky".
Por, kur u zgjua dhe u lidh me emisionin e mëngjesit në Fox News të martën në mëngjes, dukej se e kishte kuptuar se kjo nuk ishte një marrëveshje e kryer.
"Unë e kam rregulluar në një farë mënyre me Putinin dhe Zelenskyn, dhe e dini, ata janë ata që duhet të vendosin. Ne jemi, ne jemi 7,000 milje larg", është shprehur Trumpi.
Putini nuk ka asnjë arsye për të pranuar në këtë pikë. Duke mos bërë asnjë lëshim, ai është shpërblyer me një samit të madh në Alaska, heqjen dorë nga një kërkesë e Trumpit për të nënshkruar një armëpushim para bisedimeve të paqes, dhe shpëtimin nga të gjitha ultimatumet e sanksioneve deri më sot.
Ndonëse e kishte ulur pak shkallën e sulmeve të natës me dronë ndaj qyteteve ukrainase gjatë muajit gusht, Rusia i intensifikoi përsëri të hënën në mbrëmje, duke lëshuar 270 dronë dhe 10 raketa. Nëse presioni i Trumpit ndaj Zelenskyt nuk ka dhënë ende rezultatet që dëshiron Moska, gjithmonë ka forcë ushtarake ku mund të mbështetet.
E vetmja kartë e paparashikueshme për Rusinë në këtë pikë është se kë do të fajësojë Trumpi kur kjo përpjekje e fundit për paqe të dështojë.