Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të mërkurën se Rusia po vazhdon t’i shqyrtojë deklaratat e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me tarifat, ndonëse është shprehur se vendi i tij ka fituar imunitet nga këto masa ekonomike falë përvojës së gjatë, ka shkruar Reuters.
“Kemi jetuar edhe nën presionin e një numri të madh të sanksioneve për kohë të gjatë, ekonomia jonë vazhdon të operojë përkundër numrit të madh të kufizimeve”, ka theksuar Peskov para gazetarëve.
“Kështu që, sigurisht, që kemi fituar imunitet në këtë drejtim, dhe vazhdojmë t’i kemi parasysh të gjitha deklaratat që bëhen nga presidenti Trump dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë lidhur me këtë çështje”, ka shtuar ai.
Trumpi kishte thënë të hënën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin tarifa dhe masa të tjera ndaj Rusisë pas 10 ose 12 ditëve, nëse Kremlini zyrtar nuk shfaq gatishmëri për t’i dhënë fund luftës më shumë se tre vjeçare në Ukrainë.