Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të enjten se Rusia po i ndjek nga afër raportet mbi pezullimin e dërgesave të armëve amerikane në Ukrainë.
"Po e ndjekim me vëmendje”, ka thënë ai.
"Me sa duket, industritë po përpiqen të prodhojnë numrin e nevojshëm të raketave, veçanërisht pasi ka pasur shumë dërgesa në Izrael dhe Ukrainë, kështu që ka probleme të caktuara në këtë drejtim, ka shtuar Peskov.
Ai ka thënë se "sa më pak raketa të dërgohen në Ukrainë, aq më afër është fundi i operacionit ushtarak special", duke përdorur termin e Kremlinit për veprimin e tij në Ukrainë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të diskutojnë të premten në një telefonatë, ndërprerjen e papritur të disa dërgesave të rëndësishme të armëve amerikane për Kievin, ka bërë të ditur Financial Times të enjten.
SHBA-ja ka ndaluar disa dërgesa të armëve kritike në Ukrainë për shkak të rezervave të ulëta, kanë thënë burimet për Reuters.
Ky vendim bëri që Ukraina të thërriste të dërguarin në detyrë të SHBA-së në Kiev të mërkurën, për të nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të ndihmës ushtarake nga Uashingtoni, dhe për të paralajmëruar se ky veprim do të dobësonte aftësinë e Ukrainës për t'u mbrojtur kundër sulmeve ajrore ruse që janë intensifikuar dhe përparimeve në fushën e betejës.
Lëvizja e Pentagonit ka çuar pjesërisht në një ulje të dërgesave të raketave të mbrojtjes ajrore Patriot, në të cilat Ukraina mbështetet për të shkatërruar raketat balistike ruse që lëvizin me shpejtësi.