Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kryeministri suedez thotë se do të marrë të djathtën ekstreme në qeveri

Ulf Kristersson

Foto: Associated Press

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka deklaruar se do të lejojë partinë e ekstremit të djathtë “Demokratët Suedezë” (SD) të hyjnë në qeveri për herë të parë, dhe do t’u japë anëtarëve të saj poste të rëndësishme ministrore, nëse koalicioni i tij fiton zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Pavarësisht se është bërë partia e dytë më e madhe politike në Suedi pas "Social Demokratëve" në zgjedhjet e fundit, SD-ja aktualisht luan vetëm një rol mbështetës në koalicionin që drejtohet nga një qeveri minoritare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por Kristersson, i cili drejton partinë e qendrës së djathtë “Të Moderuarit”, ka thënë të mërkurën se nëse koalicioni i tij me katër parti fiton zgjedhjet e shtatorit, SD-ja do të ketë “ndikim të madh politik dhe poste të rëndësishme ministrore në fushat e emigracionit dhe integrimit”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me liderin e SD-së, Jimmie Akesson, Kristersson, sondazhet për të cilin, pas katër vjetësh në qeveri nuk duken në favor të tij, ka thënë se “Ne kemi rënë dakord të nisim fuqishëm mandatin e ardhshëm dhe të formojmë një qeveri të fortë me shumicë, nëse marrim besimin e votuesve”.

Ky njoftim ishte një moment historik për politikën suedeze, e cila deri më tani e ka trajtuar SD-në, një parti me rrënjë neo-naziste, kryesisht si të përjashtuar.

Nooshi Dadgostar, udhëheqëse e partisë së majtë, ka thënë se mundësia që “Demokratët Suedezë” të hyjnë në qeveri së bashku me “Të Moderuarit” është “e neveritshme” dhe u ka bërë thirrje liderëve politikë “të mendojnë edhe një herë”.

“Tani ka shumë në lojë dhe tani e dimë se mund të kemi ministra ekstremistë të djathtë në qeveri”, ka thënë ajo për gazetën Dagens Nyheter. 

“Tani duhet të bashkohemi për të ofruar një rrugë tjetër për Suedinë”, ka shtuar. 

Që nga momenti kur zëvendësoi “Të Moderuarit” si partia e dytë më e madhe në Suedi në vitin 2022 dhe hyri në një rol mbështetës në koalicionin e Kristersson-it, SD-ja ka pasur ndikim të konsiderueshëm në qeveri, veçanërisht në çështjet e emigracionit.

Duke qëndruar krah Ulf Kristersson të mërkurën, Jimmie Akesson, i cili ka drejtuar "Demokratët Suedezë" që nga viti 2005, kur ajo ishte një parti e vogël në skajet e politikës suedeze, ka thënë se pas zgjedhjeve të ardhshme ai pret që partia e tij të ketë ndikim në përpjesëtim me madhësinë e saj.

Politikat e "Demokratëve Suedezë" përfshijnë ndalimin e personave nga vende jashtë “zonës së afërt” të Suedisë për të kërkuar azil në vendin skandinav, një hap që do të binte ndesh me ligjin për të drejtat e njeriut, si dhe sigurimin që “më shumë nga ata që nuk kanë të drejtë të jenë në Suedi të largohen sesa të vijnë në Suedi”.

Imigracioni masiv në Suedi, pretendon partia, e ka “ndryshuar Suedinë për keq” dhe ka rezultuar në “shumë probleme shoqërore”.

Islamofobia është gjithashtu e spikatur. Në një dokumentar të kohëve të fundit, Akesson pretendon se të ishe mysliman dhe të ishe suedez ishte “një kontradiktë”.