Ashtu si në vitin 1967, kur një garues i papritur fitoi “Grand National” (garë e përvjetshme e kuajve që mbahet në Angli) për shkak të një përplasjeje masive të kuajve në një nga pengesat e fundit, Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetari i parlamentit të Iranit dhe bashkëbiseduesi i supozuar i Donald Trumpit, duket se ka dalë në krye ndërsa rrethi përreth tij është ngushtuar me shpejtësi.
Në grupin e liderëve të famshëm të Iranit, të reduktuar pa mëshirë nga atentate të synuara, Ghalibaf dallohet si një i mbijetuar. Por nëse presidenti amerikan shpreson se ka gjetur më në fund “Delcy Rodriguez-in e Iranit”, një lider pragmatik nga brenda regjimit, i gatshëm të bëjë marrëveshje me Amerikën, ai mund të duhet të mendojë sërish.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGhalibafit i mungon sofistikimi i Ali Larijanit, ish-sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, i cili ndonjëherë ishte në konflikt me udhëheqësin suprem të mëparshëm, por kishte një rrjet të gjerë kontaktesh ndërkombëtare. Imazhi i Ghalibafit, përkundrazi, është ai i një “njeriu të fortë”, ndoshta tipari që i pëlqen më shumë Trumpit.
Por përpjekja nga Uashingtoni për ta “caktuar” Ghalibafin tregon ose një keqkuptim të sistemit kompleks politik të Republikës Islamike, ose një përpjekje për ta përmbysur atë: pushteti në Iran historikisht qëndron te udhëheqësi suprem, dhe Mojtaba Khamenei është zgjedhur për këtë rol nga Asambleja e Ekspertëve.
Edhe pse është e vërtetë që Khamenei nuk është parë që nga zgjedhja e tij dhe besohet se është rëndë i plagosur, Irani këmbëngul se ai është vendimmarrësi funksional.
Edhe nëse Khamenei do të vdiste, Ghalibaf ka pak pretendime si klerik dhe nuk do të ishte një kandidat i besueshëm për ta zëvendësuar atë pa dobësuar rolin fetar të udhëheqësit suprem. Po kështu edhe presidenti Masoud Pezeshkian, i zgjedhur dy vjet më parë, ka edhe dy vjet mandat për t’i përfunduar.
Vendi vakant për postin e sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare pas vdekjes së Larijanit është plotësuar nga një tjetër figurë e ashpër e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Mohammad Bagher Zolghadr. Kështu, në afat të shkurtër, Ghalibaf mund të bëhet jo lideri formal i Iranit, por pjesë e një udhëheqjeje që po i ngjan gjithnjë e më shumë një shteti sigurie, nëse kjo është ajo që kërkon Trumpi.
Ghalibaf lindi në vitin 1961 në Mashhad, Khorasan, dhe rrënjët e tij lidhen fort me IRGC-në. Gjatë luftës Iran-Irak, ai komandoi divizionin e 5-të Nasr të IRGC-së, një njësi e përfshirë në disa nga betejat më të përgjakshme. Ai u bë i mbrojturi i i Ali Khameneit, i cili u bë udhëheqës suprem në vitin 1989, dhe u emërua drejtues i sektorit ajror të IRGC-së nga viti 1997 dhe më pas shef i policisë nga viti 2000. Në IRGC ai drejtoi edhe degën e ndërtimit të organizatës, kështu që, siç do të thoshte Trumpi, ai e njeh “artin e marrëveshjes”.
Ghalibaf e filloi karrierën e tij politike si kryetar bashkie i Teheranit midis viteve 2005 dhe 2017, një periudhë gjatë së cilës dolën në pah akuzat e para nga shumë për korrupsion. Mbështetësit e tij thonë se zhvillimi i Teheranit, përfshirë zgjerimin e metrosë, ishte rezultat i vizionit të tij largpamës. Ai madje ishte subjekt i një profili pozitiv në vitin 2008 në Neë York Times, ku u përshkrua si një “modernizues autoritar” kur foli në forumin ekonomik të Davosit për hapjen e Iranit ndaj investimeve të huaja.
Por ai ishte gjithashtu një konservator social, i cili në vitin 2013 urdhëroi që të gjitha sekretaret femra, daktilografet apo menaxheret e zyrave në administratën komunale të zëvendësoheshin me burra.
Shtypja e kundërshtimit ka qenë një nga tiparet kryesore të karrierës së tij. Gjatë protestave studentore në vitin 1999, Ghalibaf ishte një nga 24 komandantët e IRGC-së që nënshkruan një letër drejtuar presidentit reformist Mohammad Khatami, duke paralajmëruar se nëse demonstratat vazhdonin, ata do ta merrnin vetë situatën në dorë.
Në një audioregjistrim të publikuar më vonë në rrjetet sociale, ai pranoi se ai dhe komandanti i forcës Qods të IRGC-së, gjenerali Qassem Suleimani, i vrarë me urdhër të Trumpit në vitin 2020, kishin përdorur shkopinj duke lëvizur me motoçikleta në rrugë për të shtypur protestat studentore. “Unë isha ndër ata që kryenin rrahje në rrugë dhe jam krenar për këtë. Nuk më interesonte që isha një komandant i rangut të lartë”, ishte mburrur Ghalibaf.
Në mënyrë të ngjashme, ai nuk tregoi hezitim në përdorimin e dhunës gjatë protestave “grua, jetë, liri” në Teheran në vitin 2022, duke thënë se policia duhej të kishte zbatuar më herët ligjet për hixhabin. Kur protestat për krizën ekonomike të Iranit shpërthyen në fillim të këtij viti, Ghalibaf i pa ato si një “grusht shteti i pjesshëm” dhe “terrorizëm në stilin e Shtetit Islamik”.
Ghalibaf kandidoi për herë të parë për president në vitin 2005, me një fushatë të modeluar sipas metodave të Tony Blair, përfshirë sondazhet e fokus-grupeve. Ai u paraqit si një populist që mbështeste globalizimin, privatizimin dhe një qeveri më të vogël, i gatshëm, brenda kufijve, të vazhdonte agjendën reformiste të Khatamit. Ai doli i katërti në rundin e parë me 4 milionë vota.
Më vonë, Hassan Rouhani pretendoi se në vitin 2005 Ghalibaf kishte bërë një marrëveshje për të liruar disa kontrabandistë të mëdhenj droge dhe karburanti në këmbim të mbështetjes së tyre.
Ghalibaf kandidoi sërish për president në vitin 2013, por doli i dyti larg pas Rouhanit.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Ghalibaf është ndjekur nga akuza për korrupsion që nuk kanë shkuar kurrë në gjykatë. Kur ai kandidoi sërish për president në vitin 2024, fushata e tij u shoqërua me histori se gruaja, vajza dhe dhëndri i tij kishin bërë një udhëtim luksoz blerjesh në Stamboll në vitin 2022. U publikuan fotografi ku ata shiheshin me valixhe të shumta, në një kohë kur iranianët e zakonshëm po vuanin nga sanksionet dhe inflacioni i lartë.
Thuhej se familja kishte blerë dy apartamente në Stamboll me vlerë 1.6 milion dollarë. Ghalibaf tha se ishte viktimë e shpifjeve politike dhe pretendoi se kishte qenë gjithmonë kundër atij udhëtimi.
Si kryetar i parlamentit, ai ka ndjekur përgjithësisht linjën kryesore, duke mbështetur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, por më pas, kur Trumpi u tërhoq prej saj, argumentoi se e ardhmja e Iranit qëndronte në aleanca me Rusinë dhe Kinën. Kritikët e tij pretendojnë se mbështetësit e Ghalibafit ishin pas sulmit ndaj ambasadës saudite në Teheran në vitin 2016, që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Nga këndvështrimi i Trumpit, pak nga këto kanë rëndësi nëse ai beson se, duke negociuar me Ghalibafin, po negocion me qendrat reale të pushtetit në Iran. Ghalibaf ka lidhje me komandantin e përgjithshëm të IRGC-së, Ahmad Vahidi, dhe komandantin e selisë qendrore Khatam al-Anbiya, Ali Abdollahi Aliabadi.
Menjëherë pasi u bë e ditur se Uashingtoni e konsideronte të besueshëm, Ghalibaf publikoi një mesazh ku thuhej: “Populli ynë kërkon ndëshkim të plotë dhe poshtërues për agresorët. Të gjithë zyrtarët qëndrojnë fort pas Udhëheqësit dhe popullit derisa të arrihet ky qëllim. Nuk ka pasur negociata me Amerikën. Lajmet e rreme synojnë të manipulojnë tregjet financiare dhe të naftës dhe të nxjerrin SHBA-në dhe Izraelin nga bataku ku janë zhytur”.
Mbështetja e Trumpit mund të dërgojë të paktën një mesazh ndaj Izraelit që Ghalibaf nuk duhet të jetë objektiv eliminimi, por gjithashtu e vendos atë nën presion për të treguar se nuk do ta tradhtojë vendin e tij.