Mbajtja e pozitës së kryetarit e bën atë person automatikisht njërin prej më të fuqishmëve në Washigton dhe të dytin në linjë për të pasuar presidentin. Mirëpo Kushtetuta amerikane thotë pak se kush mund ta mbajë postin, vetëm se Dhoma “duhet ta zgjedhë kryetarin e vet”
Jim Jordan dhe Steve Scalise janë dy republikanët e parë që kanë nisur garën për zëvendësimin e Kevin McCarthy, i cili është votuar për t’u larguar nga posti i kryetarit të Kongresit për herë të parë në historinë amerikane.
Mund të shfaqen republikanë të tjerë që mund t’ia mësyjnë garës para forumit të kandidatëve që mbahet të martën dhe ndoshta mund të marrin votat të nesërmen.
Teknikisht kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve mund të bëhet kushdo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Donald Trumpi paralajmëroi se do të pranonte postin për periudhë afatshkurtër, por e ka përkrahur Jordanin në këtë garë.
Jim Jordan
Dikur halë në sy e partisë, Jordani tani është njëri prej republikanëve më të fuqishëm në Kongres. Zëri i Ohios është duke shërbyer për mandatin e nëntë. Ai është kryetar i komitetit me ndikim për gjyqësorin dhe anëtar i rëndësishëm i komitetit për mbikëqyrje në Senat.
Ai i ka përdorur këto pozita të larta për t’i prirë hetimit për impiçment të presidentit Joe Biden, mirëpo edhe për hetimet e tjera agresive ndaj administratës së demokratëve.
Mirëpo Jordan, 59-vjeçar, nuk ishte gjithmonë person i rëndësishëm në Washington. Konservatori agresiv shpesh ka nxitur pakënaqësi te republikanët për shkak të retorikës së tij shpërthyese dhe taktikave përçarëse.
Ai ishte kryetari themelues i Grupit për Lirinë në Kongres, grup pengues i krahut të djathtë, të cilin një ish-kryetar republikan i Kongresit e kishte quajtur si “terrorist të legjislativit”.
Sidoqoftë, në vitet e Trumpit, Jordani nisi të bëhej më i dukshëm brenda bazës së votuesve republikanë si një prej mbrojtësve më agresivë të Trumpit.
Në vitin 2018 kishte garuar për postin e kryetarit të Kongresit dhe ishte nominuar edhe sivjet, por me ashpërsi ka mbrojtur McCarthyn si në muajin janar ashtu edhe të martën.
Në letrën zyrtare me të cilën kërkonte përkrahjen e kolegëve të mërkurën, Jordan kishte shkruar: “Jemi në udhëkryq vendimtar në historinë e shtetit tonë”.
“Mund të përqendrohemi në ndryshimet për të përmirësuar shtetin dhe për t’u bashkuar duke ofruar zgjidhje të vërteta. Mirëpo çfarëdo që të bëjmë, ne duhet të jemi së bashku”, ka shtuar ai.
Përpjekja e tij ishte përkrahur nga disa konservatorë të njohur, me Matt Gaetzin - rebelin që i priu nismës për shkarkimin e McCarthyt – kishte shkruar: “Mentori im Jim Jordan do të ishte gjë e mirë!”.
Edhe Trumpi i ka ofruar përkrahjen. Në një postim në rrjetin e vet social “Truth Social”, ai ka thënë se Jordani “ka qenë yll shumë më herët sesa kur nisi karrierën në Washington”.
Mirëpo sjelljet e kaluara të Jordanit mund t’ia vështirësojnë misionin për të fituar përkrahjen e republikanëve centristë.
Dhe nëse i duhet përkrahja e demokratëve, nuk duket se do ta ketë. Partia u përshtatet qëndrimeve të tij pro-Trumpit dhe kundër Bidenit, teksa ka paralajmëruar se është kundër ndihmave amerikane për Ukrainën.
Steve Scalise
Steve Scalise, 57-vjeçar, ka shërbyer si numri dy i McCarthyt që prej vitit 2019 dhe aspiratat e tij për postin e kryetarit kanë qenë sekret i ditur nga të gjithë në Washington.
Duke përfaqësuar Louisianan nënurbane që prej vitit 2008, ai më së miri është i njohur për atentatin ndaj tij në qershorin e vitit 2017. Ai ishte plagosur rëndë nga një ekstremist kundër Trumpit, i cili hapi zjarr ndaj ligjvënësve republikanë që po bënin praktikë për ndeshjen e bejsbollit.
Scalise u prit në Kongres me duartrokitje tre muaj pas rehabilitimit të tij. Ai mbetet përkrahës i madh i të drejtave për armë.
Në muajin gusht, Scalise ka thënë se është diagnostikuar me një formë të rrallë, por që trajtohet, të kancerit të gjakut.
“Detyra para nesh nuk është pa sfida, por unë besoj në këtë konferencë dhe unë jam i bindur se së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha”, ka thënë ai në letrën që konfirmoi kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Si anëtar i lidershipit, Scalise politikisht është më i sofistikuar se Jordani, por përballet me pengesa të ngjashme në sigurimin e përkrahjes.
Kevin Hern
Kevin Hern, 61-vjeçar, nuk njihet aq sa Jordani ose Slacise, por ka thënë se është duke e peshuar mundësinë për të garuar për postin e kryetarit të Dhomës.
Hern është relativisht i ri në politikë. Për herë të parë është zgjedhur në vitin 2018 si përfaqësues i Oklahomas.
Ai është kryetar i Komitetit Republikan për Studime, grup që ka promovuar agjendën më konservatore të ligjbërjes.
I lindur në bazën e forcave ajrore në Missouri, Hern është ish-inxhinier i hapësirës ajrore dhe pronar i rrjetit të ushqimit të shpejtë “McDonald’s”. Ishte pronar i 24-të i “McDonald’s” në Oklahoma.
Konservatorët e Grupit për Lirinë në Kongres vazhdimisht e kanë përkrahur në ambicien për postin e liderit, por shtegu i tij drejt 218 votave që i duhen mbetet i paqartë.
Donald Trumpi?
Mbajtja e pozitës së kryetarit e bën atë person automatikisht njërin prej më të fuqishmëve në Washigton dhe të dytin në linjë për të pasuar presidentin.
Mirëpo Kushtetuta amerikane thotë pak se kush mund ta mbajë postin, vetëm se Dhoma “duhet ta zgjedhë kryetarin e vet”.
Historianët dhe ekspertët ligjorë vazhdimisht kanë argumentuar se themeluesit e Amerikës kanë supozuar se personi për postin duhej të zgjidhej mes anëtarëve të zgjedhur.
Dhe deri në ditët e sotme, çdo kryetar ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga partia shumicë, por kjo nuk ka ndalur që të dalin disa emra në garën për postin.
Në vitin 2015, presidenti Barack Obama ishte tallur me audiencën se “Kanye [West] është duke menduar që të garojë për kryetar të Dhomës. Nuk ka mundur të jetë më e çuditshme”.
Ashtu siç ndodhi në janar kur emri i Trumpit u përmend për këtë post dhe u përkrah nga kongresistja e krahut të djathtë të republikanëve, Marjorie Taylor Greene dhe të tjerë.
Të enjten, para se të shpallte përkrahjen për Jordanin, ish-presidenti ka thënë se do të bënte çfarëdo që është e nevojshme për të ndihmuar në këtë situatë.
Në një intervistë për Fox News, Trumpi ka thënë se do ta pranonte rolin për afat më të shkurtër dhe do të shërbente si “unifikues” derisa republikanët të gjenin personin për periudhën afatgjate.
Mediat amerikane më parë kanë raportuar se Trumpi mund ta vizitojë Capitolin – për herë të parë që prej trazirave të 6 janarit – për adresim para republikanëve në forumin e kandidatëve që mbahet të martën.
Duke lënë anash librat me fantazi, Trumpi ka shumë armiq në Washington dhe nuk do të mund të siguronte votat për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Aksidentalisht, konferenca e republikanëve të Dhomës thekson se personat me aktakuza nuk mund të shërbejnë.
Kandidatët e tjerë
Pasi votoi për të larguar nga pozita McCarthyn të martën, Patrick McHenry është emëruar kryetar i përkohshëm.
McHenry, 47-vjeçar, ka përfaqësuar Karolinën e Veriut në Kongres që prej vitit 2005 dhe është anëtar i Komitetit për Shërbime Financiare.
Ligjvënësi me kordele është lojalist i McCarthyt dhe negociator i mirë, i cili luajti rol kyç gjatë përballjes së republikanëve me Shtëpinë e Bardhë për tavanin e borxheve.
Dy anëtarët e lidershipit republikanë – Tom Emmer dhe Elise Stefanik – kanë thënë se nuk do të garojnë për postin.
Mirëpo si anëtarë të rangut të tretë e të katërt të Dhomës – mund të dalin si pretendentë nëse gara zgjatet.
Mirëpo ka pakënaqësi të madhe në konferencën e republikanëve. Shumë ligjvënës kanë kërkuar reforma.
Kongresisti nga Florida, Carolos Gimenez, ka thënë se me më të moderuarit e partisë nuk do të votojnë për asnjë kryetar i cili nuk angazhohet që pragu për largimin nga pozita të jetë më i lartë.
Nën drejtimin e McCarthyt, Gaetz i vetëm e sfidoi dhe me ndihmën e demokratëve e largoi nga pozita e kryetarit.
“Nuk mund të vazhdojmë të qeverisemi në këtë formë”, ka thënë Gimenez të martën.
Përktheu: Gent Mehmeti