► Sipas ministrit gjerman të Shëndetësisë virusi korona do të futet nën kontroll në vitin 2022. Në një intervistë me një gazetë gjermane Jens Spahn tha se «nuk do të ketë një përvjetor të dytë të koronës në këtë formë siç po e përjetojmë tani». Spahn më tutje: «Në rrjedhën e vitit do të arrijmë ta fusim nën kontroll pandeminë në pjesën më të madhe – përmes vaksinave dhe mundësisë që vaksinën t’ia përshtatim mutacioneve».
►Bashkimi Europian të premten lejoi përdorimin e vaksinës së prodhuesit suedezo-britanik Astra-Zeneca. Për shkak të problemeve në prodhim nuk është e qartë se kur dhe me sa doza do ta furnizojë BE-në Astra-Zeneca.
►Pas lejimit të tri vaksinave Moderna, Pfizer/Biontech dhe Astrazeneca, Enti Federal i Shëndetësisë në Zvicër ka paralajmëruar lejimin e vaksinës së katërt nga kompania Johnson & Johnson. Në mbarë botën ka pritje të mëdha nga kjo vaksinë sepse prodhimi i saj është më i thjeshtë, më i shpejtë dhe më i lirë se vaksinat e deritanishme.
► Nga 8 shkurti kush hyn përmes rrugës ajrore në Zvicër, është i obliguar të ketë me vete një test PCR. Kjo vlen edhe për pasagjerët që vijnë nga Prishtina dhe Shkupi. Mediat zvicerane raportojnë se shumë familje zvicerane që kanë rezervuar pushime në vende të tjera (Turqi, Egjipt e gjetiu) tani duhet të paguajnë deri në 1000 franga për testin PCR.
► Në Zvicër ka qenë e planifikuar që gjatë shkurtit të vaksinohen 1,3 milionë njerëz. Por për shkak të vështirësive për t’u furnizuar me vaksina, me gjasë do të vaksinohen vetëm 650 mijë njerëz. Ndërkohë gatishmëria për t’u vaksinuar është në rritje. Tani 55 për qind e të anketuarve nga Universiteti i Zürichut deklarohen se janë të gatshëm të vaksinohen. Në dhjetor kjo shifër ishte 41 për qind. Por ende 28 për qind nuk pranojnë të imunizohen. Çdo i gjashti është i pavendosur.
► Sipas gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Kina po zhvillon një fushatë dezinformimi kundër vaksinës së firmës gjermane Biontech. Kjo fushatë nisi pasi Brazili së fundi bëri të ditur se vaksina kineze ka efekt prej vetëm 50 për qind. Këtë, sipas palës braziliane, e kanë dëshmuar testet klinike. Gazeta partiake kineze «Gobal Times» pyeti: «A mund të jetë që efekti i vaksinës së Pfizerit (dhe Biontechut) të jetë në realitet 19 për qind?» Kësaj fushate iu kanë bashkuar mediat shtetërore, shkencëtarët dhe ministria e Jashtme në Pekin.