Liderë të shumtë evropianë kanë uruar Friedrich Merz, për zgjedhjen e tij kancelar i Gjermanisë të martën, në një rund të dytë të votimit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka lavdëruar Merzin si "një mik dhe ekspert i dëshmuar për Evropën", duke premtuar "të punojmë së bashku për një Evropë të fortë dhe më konkurruese".
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka thënë se “po pret me padurim punën tonë së bashku në një agjendë ambicioze të përbashkët evropiane”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka uruar Merzin duke thënë se tani “varet nga ne që ta bëjmë motorin franko-gjerman…më të fortë se kurrë” dhe të “përshpejtojmë agjendën tonë evropiane për sovranitetin, sigurinë dhe konkurrencën”.
Macroni gjithashtu ka konfirmuar se dyshja do të takohen nesër, si pjesë e udhëtimit të parë jashtë vendit të Merzit, në Paris dhe Varshavë.
Kancelari austriak, Christian Stocker ka thënë se “një kufi i përbashkët do të thotë gjithashtu përgjegjësi e përbashkët.
“Pres me padurim bashkëpunimin miqësor mes nesh dhe qeverive tona”, është shprehur ai.
Kryeministrja e Estonisë, Kristen Michal ka thënë se "një Gjermani e fortë dhe e begatë forcon të gjithë Evropën", ndërsa kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka theksuar se "Gjermania është një vend me të njëjtin mendim dhe një fqinj i besuar".
Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, ka dhënë një vlerësim të ngjashëm, duke thënë se "roli dhe lidershipi i Gjermanisë është vendimtar në ruajtjen e sigurisë së Evropës".
Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë se ishte "i kënaqur që është ai që do të udhëheqë një vend kaq të lidhur me vendin tonë në shumë fusha".
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, ka theksuar se "së bashku ne qëndrojmë për sigurinë, demokracinë dhe një aleancë të fortë".
Kryeministrja e Letonisë Evika Siliņa, ka thënë se vendi i saj “vlerëson lidershipin e Gjermanisë në Evropë dhe rolin e saj të rëndësishëm në sigurinë dhe prosperitetin e rajonit të Detit Baltik”.
Merzin e ka uruar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai ka thënë se shpreson të shohë "më shumë lidership gjerman në çështjet evropiane dhe transatlantike".