Botë

Lideri suprem i Iranit bën paraqitjen e parë publike pas luftës me Izraelin

Ajatollah Ali Khamenei

Foto: Associated Press

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të shtunën ka bërë paraqitjen e tij të parë publike që nga fillimi i luftës 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit, duke marrë pjesë në një ceremoni zie në prag të Ashuras. 

Mungesa e Khameneit gjatë luftës la të nënkuptonte që udhëheqësi iranian, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore, kishte qenë i izoluar në një bunker, diçka që nuk u pranua nga media shtetërore. 

Televizioni shtetëror në Iran e tregoi atë duke përshëndetur dhe duke përkulur kokën ndaj turmës që brohoriste, e cila u ngrit në këmbë ndërsa ai hyri dhe u ul në një xhami pranë zyrës dhe rezidencës së tij në kryeqytet, Teheran. 

Pasi SHBA-ja u fut në luftë duke bombarduar tri vende kryesore bërthamore në Iran, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dërgoi paralajmërime nëpërmjet mediave sociale 86-vjeçarit Khamenei se SHBA-ja e dinte se ku ndodhej ai, por nuk kishte plane për ta vrarë.  

Më 26 qershor, pak pasi ka fillua armëpushimi, Khamenei ka bërë deklaratën e tij të parë publike pas disa ditësh, duke thënë në një deklaratë të pararegjistruar se Teherani i kishte dhënë një “shuplakë Amerikës” duke goditur një bazë ajrore amerikane në Katar dhe duke paralajmëruar kundër sulmeve të mëtejshme nga SHBA-ja ose Izraeli ndaj Iranit.