Samiti historik mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ku tema kryesore është mbarimi i luftës në Ukrainë, pritet të zhvillohet sot në Alaskë. Ky takim, që nuk e përfshin presidentin ukrainas Volodimyr Zelensky, synon të vendosë themelet për paqen dhe t’i riforcojë pozitat ndërkombëtare të Rusisë dhe SHBA-së. Ndërkaq, liderët evropianë kanë shprehur shqetësim për pasojat e mundshme pas takimit. Gjithçka që i paraprin takimit, pamje nga ky samiti historik dhe deklaratat pasuese mund t’i gjeni këtu

Zonat kohore shkaktojnë “kaos” para takimit Trump-Putin

32 min. më parë / 15 gus 2025 18:25
Donald Trump

Photo: Associated Press

Dallimi i madh në zonat kohore mes Moskës, Washingtonit dhe Alaskës ku do të mbahet takimi i shumëpritur në mes të presidentëve amerikanë e rusë, ka shkaktuar “kaos” në rrjetet sociale.

Moska është me zonë kohore 11 orë përpara Anchorages ku do të mbahet takimi.

Washington DC është katër orë para Anchorages.

Rusia i ka 11 zona kohore.

SHBA-ja i ka katër zona në territorin e saj.

Shtëpi e Bardhë dhe Kremlini kanë shtatë orë dallim.

Presidentët do të takohen në Anchorage rreth orës 11 sipas kohës lokale atje, e që në Washington i bie të jetë ora 15:00 e në Moskë 22:00.

Në Kosovë, kjo nënkupton se takimi do të nisë rreth orës 21:00.

Putini me “vizitë simbolike” para takimit me Trumpin

42 min. më parë / 15 gus 2025 18:15
Putin

Photo: Associated Press

Para se të niset përfundimisht drejt Alaskës për takim me Donald Trumpin, presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur kurora lulesh në memorialin për bashkëpunimin ruso-amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Statuja, që përshkruan pilotët sovjetikë e amerikanë të ngrirë në mes të shtrëngimit të duarve pranë një avioni, përkujton rrugën Alaskë-Siberi që transportoi rreth 8000 aeroplanë luftarakë në frontin sovjektik në periudhën 1942-1945.

Një monument i ngjashëm është edhe në Fairbanks të Alaskës. Dikur ishte edhe me flamurin rus, por që nga 2022-a aty ka ngelur vetëm flamuri amerikan.

Televizioni shtetëror rus ka thënë se rikthimi i flamurit rus atje do të ishte “shumë simbolik”. Dhe këtë Rusia e synon nga samiti i sotëm.

Siç ka shkruar CNN-i, mesazhi i Putinit me këtë vizitë është i qartë: Kujtesë që një ditë Moska e Washingtoni ishin aleatë.

Rusia s’i ndal sulmet në Ukrainë

50 min. më parë / 15 gus 2025 18:07
ukraine

Foto: Arkiv

Photo: Associated Press

Përderisa e gjithë bota po pret takimin e presidentit amerikan, Donald Trump, me atë rus, Vladimir Putin, në Alaskë për luftën në Ukrainë, Rusia nuk po i ndal bombardimet në Ukrainën qendrore.

Një raketë ruse ka marrë jetën e një qytetari të premten pasdite në Dnipro, ndërsa disa të tjerë janë lënduar në sulmet e tjera.

Raketat kanë goditur edhe Sumyn në kufi.

Po ashtu edhe dy policë ukrainas janë vrarë në Sviatohirsk në rajonin e Donetskut.

Për këto ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Edhe në ditën e negociatave, ata po vrasin. Dhe kjo flet shumë”, ka thënë ai.

Paralajmërohet diskutim “maratonik” Trump-Putin

1 o. më parë / 15 gus 2025 17:40
Vladimir Putin

Photo: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pret që diskutimet e presidentit rus, Vladimir Putin, me presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë të zgjasin deri në 6 ose 7 orë.

E takimi paraprak në Helsinki pati zgjatur rreth dy orë.

Takimi është paraparë të nisë në 11:30, sipas kohës atje, apo në 21:30 sipas kohës në Kosovë.

Putini u vonohet të gjithëve, “por jo Trumpit”

1 o. më parë / 15 gus 2025 17:27
Vladimir Putin

Photo: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbërrijë në kohë për takimin historik me presidentin amerikan, Donald Trump, në Alaskë.

“Presidenti gjithmonë ia del (në kohë)”, ka thënë Peskov teksa hipte në një aeroplan në rajonin Magadan.

Putini njihet për vonesat në takime. Në një rast ai e ka lënë Papa Françeskun të priste për një orë në një vizitë në Vatikan më 2013. Përgjatë dekadave, ai njihet se i ka lënë liderë të shumtë që ta presin.

Gjatë rrugës për në Alaskë, Putini u ndal në qytetin e Magadanit, ku vizitoi një fabrikë e një shkollë.

Nga ky qytet për në Alaska fluturimi zgjat katër orë.

Peskov ka thënë se Putini do të aterrojë në Anchorage të Alaskas rreth orës 11 në mëngjes (sipas kohës lokale), ku do të pritet nga Trumpi.

Takimi është paraparë të nisë në 11:30, sipas kohës atje, apo në 21:30 sipas kohës në Kosovë.

Trump e Putin takohen sot në Alaskë, temë qendrore – lufta në Ukrainë

2 o. më parë / 15 gus 2025 16:36
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen sot në samitin historik që zhvillohet në Alaskë, ku temë qendrore do të jetë përfundimi i luftës në Ukrainë.

Gjatë udhëtimit të tij për në Alaskë, presidenti amerikan ka folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.

Ai ka thënë se Putini është i zgjuar dhe se ata kuptohen mirë me njëri-tjetrin.

“Putini është djalë i zgjuar dhe ne kuptoheni shumë mirë. Kemi respekt të ndërsjellë. Mendoj se do të dalë diçka nga ky takim. Vura re se ai po sjell edhe shumë biznesmenë nga Rusia, mirëpo nuk do të ketë biznes pa marrë fund lufta”, ka thënë Trump. (Detajet)

Takimi i së premtes, pjesë e të cilit nuk do të jetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, shihet si vendimtar për të ardhmen e Ukrainës, si dhe për synimet e Trumpit për arritjen e paqes.

Ky takim konsiderohet i rëndësishëm për përpjekjet e Putinit për ta riformuar pozitën e Rusisë në skenën botërore.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky ka deklaruar se është koha që lufta të përfundojë.

“Gjëja kyç është që ky takim duhet të hapë një rrugë reale drejt paqes së drejtë dhe diskutimit thelbësor midis liderëve brenda një formati trepalësh – Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pala ruse. Është koha t’i japim fund luftës, ndërsa hapat e nevojshëm duhet të bëhen nga Rusia. I kemi shpresat tek Amerika”, ka shkruar Zelensky. (Detajet)

Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se pala ruse shpreson që t’i vazhdojë “diskutimet e dobishme” edhe gjatë samitit.

“Ne kurrë nuk planifikojmë përpara. E dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Do ta paraqesim atë. Kemi arritur shumë gjëra edhe gjatë vizitave të Steve Witkoffit, i emëruar special nga Shtetet e Bashkuara për Lindjen e Mesme. Shpresoj që të vazhdojmë këtë bisedë shumë të dobishme”, ka thënë Lavrov.

Pjesë e delegacionit amerikan janë Marco Rubio, Sekretar i Shtetit, Scott Bessent, Sekretar i Thesarit, Howard Lutnick, Sekretar i Tregtisë, John Ratcliffe, Drejtor i CIA-s dhe Susie Wiles, Shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Atyre do t’u bashkohet gjithashtu një grup zyrtarësh të tjerë të lartë, përfshirë të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff dhe shefen e protokollit Monica Crowley.

Delegacioni rus do ta përfshijë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Andrey Belousov, ministrin e Financave Anton Siluanov, kreun e fondit sovran rus, Kirill Dmitriev dhe ish-ambasadorin e Rusisë në SHBA, Yuri Ushakov.

Udhëheqësit evropianë, të cilët kanë mbetur po ashtu jashtë bisedimeve, janë shprehur të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i cungojë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.

LEXO EDHE: