Lajmi se një ushtarak amerikan dyshohet se zbuloi informacione të klasifikuara në një forum videolojërash, ishte befasi për shumë njerëz - por ekspertët thonë se kjo nxjerr në pah një sfidë të re gjithnjë e më të zakonshme për shërbimet e sigurisë
Jack Texeira u regjistrua në Gardën Kombëtare Ajrore - ku ai kishte qasje në materiale sekrete. Ai është akuzuar për nxjerrjen e dokumenteve të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera, gjoja për t'u bërë përshtypje miqve të tij në grupin Discord, ku ai kaloi pjesën më të madhe të kohës.
Në fakt, postimi i materialeve të klasifikuara në grupet e bisedave të videolojërave po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm dhe njerëzit që i nxjerrin ato, shpesh kanë motive shumë të ndryshme nga sinjalizuesit tradicionalë.
War Thunder është lojë pa pagesë që imiton luftimet, krijuar nga Gaijin Entertainment, kompani e themeluar ruse tani me bazë në Budapest. Lojtarët përdorin avionë, helikopterë sulmues, tanke, artileri dhe armë të tjera për të luftuar kundërshtarët.
Fansat e videolojës kanë kohë që ndajnë dokumente të klasifikuara, duke përfshirë manualet e përdorimit për avionët luftarakë amerikanë.
"Nuk ka vërtet një lojë tjetër si War Thunder", thotë një lojtar me emrin Lukas.
Ai është, me fjalët e tij, një budalla që i do pajisjet ushtarake dhe një lojtar i zjarrtë i lojës.
“Për shumë prej nesh, të flasësh për tanke në forume ose në Reddit është si zotërinjtë e vjetër që flasin për kohëmatësit e tyre të preferuar”, tha Lukasi.
"Por disa idiotë i marrin shumë seriozisht gjërat e tilla dhe nëse kanë qasje në dokumente të klasifikuara që vërtetojnë mendimin e tyre në një diskutim, ata do ta nxjerrin atë".
War Thunder krenohet me realizmin e armëve të tij, porse sa realiste janë ato është një çështje debati.

Lufta e argumenteve në internet
Në përpjekje për të provuar që të huajt në internet e kanë gabim dhe për të bindur zhvilluesit që të përditësojnë armët në lojë, lojtarët kanë nxjerrë vazhdimisht dokumente teknike të klasifikuara dhe manuale përdorimi.
Në janar, dokumentet ushtarake në lidhje me F-16-shin amerikan u postuan në internet nga një lojtar i War Thunder në mes të një debati mbi aftësitë e avionit.
Gjatë diskutimit të sistemeve të kontrollit të fluturimit dhe armëve të avionit, një anëtar i forumit postoi detaje rreth një sistemi të njohur si Paneli i Kontrollit të Dyqaneve (SCP) dhe e mbështeti argumentin e tyre me më shumë dokumente, duke përfshirë manualin e përdorimit të pilotit.
"War Thunder është një videolojë", paralajmëroi një moderator i forumit të lojës. "Ndaloni kryerjen e krimeve federale mbi argumentet në internet për të".
Por për disa lojtarë me leje sigurie, postimi në internet tejkalon pasojat e mundshme të shkeljes së ligjeve të sigurisë.
"Njerëzit mendojnë se bota online dhe offline kanë marrëdhënie të ndara, të ndryshme. Por të dyja krijojnë miqësi me një ndjenjë komuniteti dhe përkatësie", thotë Rachel Kowert.
Ajo është drejtoreshë kërkimore e Take This, një organizatë jofitimprurëse e fokusuar në shëndetin mendor dhe lojërat, dhe thotë se dëshira për të bërë përshtypje së bashku me "efektin e dezinhibimit në internet" mund të jetë një kombinim toksik.
"Pas një tastiere njerëzit janë të pacipë dhe mendojnë se ka shumë më pak pasoja. Kështu që ata i çojnë gjërat më tej sesa do t'i bënin personalisht".
"Pra, për të fituar një argument ose për t'u bërë përshtypje njerëzve me të cilët kanë krijuar një miqësi në internet, ata i çojnë gjërat më tej. Një mënyrë për ta bërë këtë? Postimi i dokumenteve të klasifikuara".
Shumë lojtarë të simulatorit luftarak po i shërbejnë personelit me qasje në dokumente - por ata duhet ta dinë më mirë, paralajmëron konsulenti i industrisë së mbrojtjes, Nicholas Drummond.
"Ekziston një vijë shumë e qartë midis informacionit që mund të ndani dhe që nuk mundeni", thotë ai.

(Mos)ndalimi i ndarjes së sekreteve
Pavarësisht kësaj, dokumentet ushtarake janë zbuluar nga lojtarët e War Thunder të paktën shtatë herë. Detajet rreth pajisjeve ushtarake amerikane, kineze, britanike dhe franceze janë shfaqur të gjitha vitet e fundit.
Në korrik të vitit 2021, u zbuluan detaje të klasifikuara nga Publikimi i Mbështetjes së Pajisjeve të Ushtrisë - një manual përdorimi i tankut kryesor të betejës britanike Challenger 2.
Më vonë, u shfaqën gjithashtu informacione të ngjashme për tankun francez, Leclerc, dhe helikopterin sulmues franko-gjerman, Eurocopter Tiger.
Në qershor të vitit 2022, sekretet ushtarake kineze u shfaqën online, në këtë rast një lloj municioni antitank i përdorur nga ushtria e Kinës.
Dokumentet e zbuluara nga lojtarët u përkasin niveleve më të ulëta të klasifikimit. Por ato janë ende sekrete - dhe publikimi i tyre mund të jetë i rrezikshëm.
Modelet e armëve shpesh kërkohen nga shtetet armiqësore që kërkojnë të kenë një avantazh ndaj kundërshtarëve. Disa sugjerojnë që t'i shtysh njerëzit të zbulojnë sekretet është vetëm një version tjetër, më modern i një kurthi mjalti.
Të gjitha dokumentet tani janë hequr nga forumi.
"Lojtarët tanë janë shumë të pasionuar pas War Thunder dhe automjeteve ushtarake, dhe ndonjëherë ata janë shumë të pasionuar", thotë Anton Yudintsev, themeluesi i Gaijin Entertainment, krijuesi i War Thunder.
Por ai thotë se lojtarët nuk duhet të shqetësohen për rrjedhjet nëse duan që zhvilluesit të përditësojnë lojën.
"Politika jonë është dhe ka qenë gjithmonë e qartë: ne kurrë nuk do të bëjmë ndryshime në lojë bazuar në dokumente pa një burim të qartë dhe ligjor".
Por duke pasur parasysh trendin në rritje të lojtarëve të videolojërave që nxjerrin materiale të klasifikuara në internet - ky paralajmërim mund të bjerë në vesh të shurdhër.
Përktheu: Forca Jashari