Më shumë se 11 mijë palestinezë, dy të tretat e tyre gra dhe të mitur, janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila nuk bën dallime midis vdekjeve të civilëve dhe militantëve. Rreth 2700 persona janë raportuar të zhdukur
200 mijë palestinezë të tjerë kanë ikur nga veriu i Gazës që nga 5 nëntori, ka bërë të ditur Zyra humanitare e OKB-së, teksa forcat tokësore izraelite luftojnë me militantët palestinezë rreth spitaleve ku pacientët, të sapolindurit dhe mjekët janë të bllokuar pa energji elektrike teksa pakësohet edhe furnizimi.
Zyra humanitare, e njohur si OCHA, ka njoftuar se vetëm një spital në veri është në gjendje të pranojë pacientë. Të gjithë të tjerët nuk janë në gjendje të funksionojnë dhe kryesisht shërbejnë si strehimore nga luftimet, duke përfshirë më të madhin e Gazës, Shifan, i cili është i rrethuar nga trupat izraelite dhe ku 36 foshnja janë në rrezik të vdesin, sepse nuk ka energji elektrike për inkubatorët.
Lufta, tani në javën e saj të gjashtë, u shkaktua nga sulmi i papritur i Hamasit në Izrael, në të cilin militantët masakruan qindra civilë dhe tërhoqën zvarrë rreth 240 pengje në Gaza. Izraeli nisi sulme të rënda ajrore për gati tri javë përpara se të dërgonte trupa dhe tanke në veri. Lufta ka lënë të vrarë mijëra civilë palestinezë dhe ka shkaktuar shkatërrim të gjerë në enklavën e varfër.
Izraeli u ka kërkuar civilëve që të evakuojnë qytetin e Gazës dhe zonat përreth në veri, por pjesa jugore e territorit të rrethuar nuk është shumë më e sigurt. Izraeli kryen sulme të shpeshta ajrore nga veriu në jug, duke goditur ato që thotë se janë objektiva të militantëve, por shpesh duke vrarë gra dhe fëmijë.
Përkeqësimi i situatës
Strehimoret e drejtuara nga OKB-ja në jug janë të mbipopulluara, me mesatare prej një tualeti për 160 persona. Në total, rreth 1.5 milionë palestinezë, më shumë se dy të tretat e popullsisë së Gazës, janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Njerëzit qëndrojnë në radhë për orë të tëra për bukën e pamjaftueshme dhe ujin e njelmët. Plehrat po grumbullohen, ujërat e zeza po vërshojnë rrugët dhe çezmat janë tharë sepse nuk ka karburant për pompat e ujit apo impiantet e trajtimit. Izraeli ka ndaluar importin e karburantit që nga fillimi i luftës, duke thënë se Hamasi do ta përdorte atë për qëllime ushtarake.
Fillimi i motit me shi e të ftohtë vetëm sa e shtoi mjerimin. Në një kamp me tenda jashtë një spitali në qytetin qendror të Deir al-Balahas, njerëzit u përpoqën nëpër baltë të ngrinin më shumë tenda, të cilat në dukje ishin të paqëndrueshme.
“Të gjitha këto tenda u rrënuan për shkak të shiut”, ka theksuar Iqbal Abu Saud, e cila ishte larguar nga qyteti i Gazës me 30 nga të afërmit e saj. “Sa ditë do të duhet të merremi me këtë?”.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e cila po përpiqet të ofrojë shërbime bazë për mbi 600 mijë njerëz të strehuar në shkolla dhe objekte të tjera në jug, ka njoftuar se mund të mbarojë karburanti deri të mërkurën, duke e detyruar atë të ndalojë shumicën e operacioneve të ndihmës. Ajo tha se nuk ishte në gjendje të vazhdonte importimin e furnizimeve të kufizuara të ushqimit dhe ilaçeve përmes kalimit të Egjiptit, Rafah, e vetmja lidhje e Gazës me botën e jashtme.
Me forcat izraelite që luftojnë militantët palestinezë në qendër të qytetit të Gazës, të dyja palët kanë shkaktuar gjendjen e rëndë të spitaleve. Imazhet e mjekëve që përpiqen të mbajnë ngrohtë të porsalindurit në Shifa kanë qarkulluar gjerësisht.
Izraeli akuzon Hamasin për përdorimin e spitaleve si mbulesë për luftëtarët e tij, duke pretenduar se Hamasi ka ngritur qendrën e tij kryesore komanduese brenda dhe nën spitalin Shifa, pa ofruar prova vizuale. Si personeli i Hamasit ashtu edhe i Spitalit Shifa mohojnë akuzat izraelite.
Të hënën ushtria publikoi pamjet e një spitali për fëmijë ku forcat e saj hynë gjatë fundjavës, duke treguar armë që tha se gjeti brenda, si dhe dhoma në bodrumin ku beson se militantët mbanin pengje. Videoja tregonte atë që dukej të ishte një sistem tualeti dhe ventilimi i instaluar me nxitim, si dhe një motoçikletë me një vrimë plumbi në të, në bodrum.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi hodhi poshtë akuzat, duke thënë se bodrumi i paraqitur ishte pjesë e spitalit dhe ishte kthyer në një strehë për njerëzit e zhvendosur.
“Spitali u evakuua me forcë nën kërcënimin e armëve ... Pse nuk ndaluan asnjë nga rezistenca e supozuar apo pengjet e supozuara?”, thuhet në deklaratë. Ai mohoi se objekti kishte lidhje me një tunel që forcat izraelite zbuluan aty pranë.
Halli i spitaleve
Për javë të tëra, anëtarët e stafit të Shifas në mungesë të furnizimeve kanë kryer operacione te pacientët e plagosur nga lufta, përfshirë fëmijët, pa anestezi dhe duke përdorur uthull si antiseptik. Pas eksodit masiv të fundjavës, rreth 650 pacientë dhe 500 staf mbeten në spital, i cili nuk mund të funksionojë më, së bashku me rreth 2500 palestinezë të zhvendosur që strehohen brenda me pak ushqim ose ujë.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 32 pacientë, përfshirë tri foshnja, kanë vdekur që kur gjeneratori i urgjencës mbeti pa karburant të shtunën. Ajo ka theksuar se 36 foshnjat, si dhe pacientët e tjerë, janë në rrezik të vdekjes.
Të martën herët ushtria izraelite bëri të ditur në një deklaratë se kishte filluar një përpjekje për të transferuar inkubatorët nga Izraeli në Shifa. Nuk ishte e qartë nëse inkubatorët ishin dorëzuar ose si do të furnizoheshin me energji.
E drejta ndërkombëtare u jep spitaleve mbrojtje të posaçme gjatë luftës. Spitalet mund t’i humbasin ato mbrojtje nëse luftëtarët i përdorin ato për t’i fshehur luftëtarët ose për t’ ruajtur armët, por stafit dhe pacientëve duhet t’u jepen shumë paralajmërime për t’u evakuuar dhe dëmi për civilët nuk mund të jetë në disproporcion me objektivin ushtarak.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u përpoq të hënën të evakuonte rreth 6 mijë njerëz nga një spital tjetër i qytetit të Gazës, Al-Quds, por tha se kolona e tij duhej të kthehej prapa për shkak të granatimeve dhe luftimeve. Izraeli publikoi një video që tregon atë që tha se ishte një militant me një granatahedhës me raketa që hynte në spitalin Al-Quds. Një tank izraelit ishte vendosur aty pranë.
SHBA-ja ka bërë thirrje për pauza të përkohshme për të lejuar shpërndarje më të gjerë të ndihmës shumë të nevojshme. Izraeli ka rënë dakord vetëm për DAILY WINDOWS gjatë të cilave civilët mund të largohen nga Gaza veriore në këmbë përgjatë dy rrugëve kryesore.
Më shumë se 11 mijë palestinezë, dy të tretat e tyre gra dhe të mitur, janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila nuk bën dallime midis vdekjeve të civilëve dhe militantëve. Rreth 2700 persona janë raportuar të zhdukur.
Zyrtarët shëndetësorë nuk e kanë përditësuar numrin, duke përmendur vështirësinë e mbledhjes së informacionit.
Të paktën 1200 njerëz janë vrarë në anën e Izraelit, shumica janë civilë të vrarë në sulmin e nisur nga Hamasi. Ushtria ka njoftuar se 46 luftëtarë janë vrarë në operacionet tokësore në Gaza dhe se shumë nga militantët janë vrarë.
Rreth 250 mijë izraelitë janë evakuuar nga komunitetet pranë Gazës, ku militantët palestinezë ende gjuajnë breshëri raketash, dhe përgjatë kufirit verior, ku Izraeli dhe grupi militant Hezbollahu i Libanit kanë shkëmbyer vazhdimisht zjarr që nga fillimi i luftës.
Lufta ka nxitur gjithashtu tensione në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Të paktën shtatë palestinezë u vranë gjatë natës gjatë një bastisjeje izraelite në Tulkarem, ka njoftuar të martën Ministria palestineze e Shëndetësisë. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria. Më shumë se 190 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori, kryesisht gjatë protestave të dhunshme dhe përleshjeve me armë të shkaktuara nga bastisjet e arrestimeve.
Përktheu: Blerta Haxhiu