Botë

Macroni do të shtyjë BE-në të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se do të nxisë një rregullore të Bashkimit Evropian për të ndaluar mediat sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç pas një goditjeje fatale me thikë në një shkollë në Francën lindore, sulmi i fundit i dhunshëm që ka tronditur vendin.

Macroni ka thënë në një intervistë të martën vonë se shpresonte të shihte rezultate brenda disa muajve të ardhshëm, raporton Reuters.

"Nëse kjo nuk funksionon, ne do të fillojmë ta bëjmë në Francë. Nuk mund të presim”, i ka thënë ai transmetuesit publik France 2, disa orë pas një goditjeje fatale me thikë në një shkollë të mesme në Nogent, Haute-Marne.

Policia mori në pyetje një nxënës 14-vjeçar të martën në lidhje me therjen e një asistenteje shkolle 31-vjeçare, gjatë një kontrolli për armë në një çantë.

Kryeministri Francois Bayrou i ka thënë parlamentit se incidenti nuk ishte një rast i izoluar. Ndërkaq Macroni ka thënë se mediat sociale ishin një nga faktorët që fajësohen për dhunën midis të rinjve.

"Platformat kanë aftësinë të verifikojnë moshën. Bëjeni”, ka shkruar Macroni në rrjetet sociale.

Komentet e Macronit vijnë mes një vale masash në vende të ndryshme të botës që synojnë frenimin e përdorimit të mediave sociale nga fëmijët.

Australia vitin e kaluar miratoi një ndalim të mediave sociale për personat nën 16 vjeç.

Edhe pse shumica e mediave sociale nuk lejojnë fëmijët nën 13 vjeç të përdorin platformat e tyre, një raport nga rregullatori i sigurisë online i Australisë zbuloi se fëmijët i anashkalojnë lehtësisht kufizimet e tilla.