Një kineze, të cilës iu gjetën "Bitcoin" në vlerë 5 miliardë funte, pasi mashtroi mbi 128 mijë persona në Kinë në një skemë piramidale, është dënuar nga një gjykatë në Britani të Madhe të martën me mbi 11 vjet burgim, raporton agjencia "AP".
Policia tha se hetimi ndaj Zhimin Qian (47), çoi në sekuestrimin e pajisjeve që mbanin 61 mijë “Bitcoin”. Ishte sekuestrimi më i madh i kriptomonedhave në Britani të Madhe.
Qian, e quajtur “kriptombretëreshë” nga mediat britanike, u arrestua në prill të vitit 2024. Ajo kishte kaluar vite duke iu shmangur autoriteteve dhe duke bërë një jetë “ekstravagante” në Evropë.
Qëndronte në hotele luksoze në të gjithë kontinentin dhe blinte bizhuteri dhe ora të shtrenjta, kanë thënë prokurorët.
Policia ka thënë se ajo drejtonte një skemë piramidale që joshi më shumë se 128 mijë njerëz që të investonin në biznesin e saj mes viteve 2014 dhe 2017, përfshirë shumë që investuan kursimet dhe pensionet e tyre. Autoritet thanë se ajo i ruante fondet e fituara në mënyrë të paligjshme në “Bitcoin”.
Kur tërhoqi vëmendjen e autoriteteve kineze, Qian iku në Mbretëri të Bashkuar me identitet të rremë.
Pasi arriti në Londër, policia ka treguar se ajo mori me qira një shtëpi luksoze për të cilën paguante mbi 17 mijë funte në muaj dhe u përpoq, por dështoi, që të blinte prona multimilionëshe në një përpjekje për t’i konvertuar “Bitcoinët”.
Hetuesit gjetën shënime që Qian kishte shkruar, duke dokumentuar synimet e saja – duke përfshirë “qëllimin që të bëhet monarke në Liberland, një mikroshtet i vetëshpallur që përbëhet nga një rrip toke mes Kroacisë dhe Serbisë”.
Gjyqtarja Sally-Ann Hales tha se Qian ishte arkitektja e krimeve nga fillimi deri në fund.
“Motivi i juaj ishte një lakmi e pastër. Ju u larguat nga Kina pa menduar për njerëzit, investimet e të cilëve i kishit vjedhur dhe shijuar për një periudhë kohore një mënyrë luksoze jetese. Ju gënjyet dhe komplotuat, duke kërkuar gjatë gjithë kohës të përfitoni”, tha Hales.
Biznesmenja, e cila kishte pranuar fajësinë për veprat penale, u dënua të martën me 11 vjet e tetë muaj burgim nga Gjykata e Kurorës në Southwark.
Ajo u dënua së bashku me bashkëpunëtorin e saj, shtetasin e Malajzisë, Seng Hok Ling (47). Ling u akuzua se kishte ndihmuar Qianin të transferonte dhe pastronte kriptomonedhat. Ling u burgos nga gjykata e njëjtë për 4 vjet e 11 muaj, pasi u deklarua fajtor për veprën penale për të cilën akuzohej.