Duke hapur debatin të mërkurën në Bundestag, kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se Gjermania përballet këtë vjeshtë me vendime "jo për detaje, por për çështje shumë themelore" që do të përcaktojnë të ardhmen e saj.
"Ne duhet ta shohim realitetin me maturi në mënyrë që të zgjedhim rrugën e duhur për vendin tonë", ka thënë ai.
Merz ka shtuar se "liria jonë është nën kërcënim" me "ndjenjën e pasigurisë në rritje", me modelin ekonomik të Gjermanisë gjithashtu "nën presion" nga "një formë e re proteksionizmi".
Ai gjithashtu ka paralajmëruar kundër "forcave politike brenda dhe jashtë vendit" që vënë në pikëpyetje kohezionin shoqëror dhe minojnë demokracinë gjermane.
Lidhur me sigurinë, ai ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës ka një ndikim shumë konkret në jetën e tyre.
"Ne duam që kjo luftë të mbarojë", ka deklaruar Merz.
Por ai ka ripërsëritur se "ka një arsye për t'u frikësuar se lufta do të vazhdojë për një farë kohe".
Kancelari gjerman ka theksuar se "përfundimi i saj në kurriz të sovranitetit politik dhe integritetit territorial të Ukrainës është jashtë diskutimit" teksa ka paralajmëruar se "një paqe e diktuar" mund vetëm të "inkurajojë Putinin të kërkojë objektivin e tij të radhës".
Merzi po ashtu ka dënuar inkursionet e fundit ruse me dronë në Poloni dhe Rumani.
"Putini ka kohë që po i teston kufijtë”, është shprehur ai. “Ne nuk do ta lejojmë këtë”, ka shtuar.